E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma ekonomike, përcaktohen kategoritë e reja që do t’i shtohen skemës

Ministria e Punës ka nisur draftin paraprak me ndryshimet e propozuara ligjore. Pritet vendimi i anëtarëve të grupit ndërministror të punës për miratimin e tyre

Jonida Tashi

Përcaktohen kategoritë e reja që do t’i shtohen së shpejti skemës së ndihmës ekonomike. Sipas urdhrit që vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha, i ka dërguar ministrit të Punës, Anastas Duro, janë identifikuar disa kategori, të cilat nuk përfitojnë nga skema aktuale e Ndihmës Ekonomike (NE), ndonëse janë në vështirësi ekonomike e sociale. Këto kategori, për arsye të ndryshme, kanë rënë nën nivelin e varfërisë prej 2 dollarësh në ditë për person.
Kategoritë përfituese
Ministria e Punës ka identifikuar disa kategori qytetarësh në nevojë, që pritet t’i shtohen numrit të përfituesve të ndihmës ekonomike. Jetimët dhe viktimat e trafikimit janë dy kategoritë e reja përfituese të ndihmës ekonomike. Për këto dy kategori është propozuar që në Nenin 5 të Ligjit 9355 të ndihmës ekonomike, përveç “Familjeve që nuk kanë të ardhura ose që janë me të ardhura të pamjaftueshme”, “Jetimët mbi 25 vjeç, të papunë, të cilët nuk janë në institucione ose nën kujdestari” si dhe “Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë”, të shtohen edhe dy kategori të reja përfituesish të ndihmës ekonomike, që janë: jetimët që cilët nuk janë në institucione dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror. Në Ligjin bazë 9355, Neni 19, pas pikës 3, propozohet t’i shtohet një pikë e re (pika 4), ku përcaktohen pesë grupet të reja që do të favorizohen në procesin e llogaritjes së përfitimit së ndihmës ekonomike. Grupet që do të favorizohen përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së të dy prindërve; si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur një prindi i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension si dhe kur ka anëtarë e familjes së tij janë mbi moshë pune dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pensione.
Ndryshimi i ligjit
Duke qenë se kategoritë e reja që do t’i shtohen skemës së ndihmës ekonomike nuk përcaktohen si grupe përfituese në këtë skemë, sipas Ligjit 9355 të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore dhe akteve nënligjore në fuqi, vlerësimi i këtyre kategorive dhe mbështetja me ndihmë ekonomike kërkon ndryshime në Ligjin bazë 9355 dhe në aktet nënligjore në fuqi. Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Punës ka nisur një draft paraprak me ndryshimet e propozuara ligjore dhe pritet që anëtarët (që përfaqësojnë institucionet e tjera) të shprehen rreth tij në mbledhjen e grupit ndërministror, e cila do të mbahet së shpejti. Konkretisht, janë përgatitur disa përmirësime të ligjit bazë, në mënyrë që skema e ndihmës të zgjerohet edhe për kategori të tjera, me qëllim që të përfshihen si përfitues në të. Burime nga Ministria e Punës shpjegojnë se grupi ndërministror i punës, i drejtuar nga ministri i Punës, do të miratojë përfundimisht kategoritë e reja, që shumë shpjet do të përfitojnë ndihmë nga shteti.

Kategoritë që do të përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike

Jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesit shoqëror

Viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror

Familjet në nevojë që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së të dy prindërve

Familjet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës ndërkohe që prindi tjetër nuk jeton

Familjet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur një prindi i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton

Familjet që kanë si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton

Familjet që kanë si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension si dhe kur ka anëtarë të familjes së tij janë mbi moshë pune dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pensione

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›