Programi “Tempus” akordon 1 milion euro për arsimin e lartë
Sistemi i arsimit të lartë shqiptar përfiton rreth 1 milion euro nga buxheti i Programit
”Tempus”, i Komisionit Europian. Ky program synon të modernizojnë arsimin e lartë përtej kufijve të BE-së, duke përafruar kështu standardet e universiteteve shqiptare me ato europiane. Përfaqësues të Komisionit Europian, të Ministrisë së Arsimit, qarqeve akademike, zyrtarë të marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe studentë, u mblodhën dje, në Ditën Kombëtare të Informacionit, për të prezantuar thirrjen e vitit 2009 për projekte “Tempus”, një skemë lëvizshmërie për studime universitare përtej Europës, së bashku me “Erasmus Mundus”, gjithashtu një program bashkëpunimi dhe lëvizshmërie për arsimin e lartë. Këtë vit buxheti i Tempus-it prej rreth 1 milion euro, i parashikuar për Shqipërinë, financon projekte të përbashkëta, të cilat janë partneritete shumëpalëshe mes institucioneve të arsimit të lartë në BE dhe atyre në vendet partnere. Projekte të tilla zhvillojnë, modernizojnë dhe shpërndajnë kurrikulume të reja, metoda dhe materiale mësimore si dhe sisteme të menaxhimit dhe qeverisjes së institucioneve të arsimit të lartë. Gjithashtu do të financohen edhe masa strukturore, të cilat kanë si qëllim lehtësimin e procesit reformues të institucioneve dhe sistemeve të arsimit të lartë në vendet partnere, në mënyrë që të rritet përputhshmëria e tyre me zhvillimet brenda BE-së. Gjithashtu, Shqipëria mund të përfitojë nga Dritarja e Bashkëpunimit të Jashtëm të Erasmus Mundus për Ballkanin Perëndimor, e cila jep 8.5 milionë euro të tjerë për rajonin.
22 Shkurt 2009