Salihi bën autokritikë: “E kam lënë pas formën e dobët”
Vjeshta e vitit të kaluar ishte për sulmuesin e SV Ried, Hamdi Salihi, e tëra për t’u harruar. Nëse gjatë sezonit 2007-2008 sulmuesi shkodran, me 12 golat e tij në 33 ndeshje, bëri një paraqitje befasuese, në pjesën e parë të sezonit aktual forma e tij nuk ishte ajo që pritej prej tij. Dëmtimi i tij, që zgjati disa muaj, e bëri të paduruar shqiptarin në bankinë. Edhe golat e tij munguan jo pak: vetëm 4 gola në 14 aktivizime të dobëta, ku në shumë ndeshje ishin jo të plota. Duket se gjatë fazës përgatitore në Belek të Turqisë, atje ku ndodhet dhe skuadra e tij austriake, SV Ried, Salihi e ka rigjetur veten. Rifillimi e kampionatit austriak nis për të me një ndeshje në transfertë kundër Matersbugut, një skuadër të cilën Salihi e njeh mirë dhe i ka shënuar shumë gola. Salihi ka vetëm një moto: të luajë dhe të shënojë. “Unë dëshiroj që në këtë fillim viti të luaj sërish një rol të mirë dhe gjithashtu sërish të luaj nga fillimi si titullar”, - flet i motivuar Salihi për faqen sportive austriake Laola1.net. Sulmuesi shqiptar 25-vjeçar pranon se faza e parë e tij nuk ishte ajo që të gjithë prisnin prej tij dhe shton: “Shpresoj se ajo kohë i përket tashmë së kaluarës”. Thuajse për tre muaj golashënuesi i katërt më i mirë i kampionatit austriak të sezonit të kaluar vuajti jo pak për shkak të dëmtimit në kavilje. Pas rikthimit të tij sulmuesi pësoi një tjetër dëmtim, që e shtyhu sërish për tri javë kthimin e tij.
Salihi kujton dhe “vjeshtën e tij më të keqe”. “Unë kam luajtur thjesht shumë keq”, - thotë ai pa e zgjatur shumë, duke shtuar se dëmtimi ka kaluar dhe ai nuk ka përse të merakoset më. Sipas faqes austriake, Salihi ka bërë një fazë perfekte përgatitore dhe gjendet sërish në bllokun e trajnerit Paul Gludovatz si titullar.
“Hamdiu ka bërë një fazë të mirë përgatitore, atë që dhe unë kam pritur prej tij. Kështu që ai është gjatë kësaj kohe shumë, shumë afër të ashtuquajturit 11-shi titullar”, - citohet Gludovatz nga faqja austriake. Salihi është duke dhënë gjithçka në stërvitje, duke dëshmuar se është ai i kohëve të kaluara. Gjithsesi, sipas laola1.net, Salihi ka qenë edhe viktimë e sistemit të lojës që ka përdorur SV Ried, ku ka pasur konkurrencën edhe të spanjollit Naço. Ky i fundit nuk ka bindur shumë në lojën e tij dhe trajneri Gludovatz dëshiron t’i japë edhe njëherë shansin Salihit për të qenë sërish sulmuesi i vetëm.
I kërkuar në merkato
Sparta e Pragës interesohet zyrtarisht për të marrë shërbimet e Hamdi Salihi, edhe pse sulmuesi i SV Riedit në kampionatin austriak ka zhvilluar një kampionat mesatar gjatë këtij sezoni.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vlerësohet shumë për nuhatjen e tij për gol në ambientet futbollistike austriake dhe sipas faqes sportive Laola1.net, Sparta e Pragës e ka ndjekur prej disa kohësh me interes Salihin. Gjithsesi, drejtuesit e klubit të Bundesligës 1 austriake janë shprehur se nuk dëshirojnë ta shesin shqiptarin. “Është e qartë që ne mund ta lejojmë atë përpara skadimit të periudhës të transferimeve (në Çeki), vetëm nëse oferta do të jetë në kufijtë e kënaqshëm financiarë”, - tha menaxheri i SV Ried, Stefan Reiter. Në Çeki periudha dimërore e transferimeve nuk është mbyllur ende. Sparta e Pragës, pas 16 javësh, renditet në vendin e katërt (kampionati çek ka 16 skuadra) me 27 pikë, 10 më pak se rivalja e madhe e saj, Slavia e Pragës (37). “Skuadra jonë tani nuk është më e fortë se ajo që patëm në verë. Ne kemi nevojë të blejmë nga një lojtar për çdo repart (mbrojtje, mesfushë, sulm)”, - tha drejtori sportiv i Sparta Pragës, Chovanec, i cili luan edhe rolin e trajnerit të 12 herë kampionëve të Çekisë. Pak ditë më parë u fol edhe për një transferim të mundshëm të sulmuesit shkodran Hamdi Salihi te Hanoveri (Bundesliga 1) gjatë merkatos së verës. Lajmi u dha nga tuttomercatoweb.com. Te Hanoveri luan kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Altin Lala. Gjatë merkatos dimërore u fol shumë se për Salihin kishte shprehur interesim të fortë edhe skuadra qipriote Apollon Limasol dhe personalisht trajneri gjerman i saj, Tomas Von Hesen.
Skuadrat
Hamdi Salihi (25 vjeç, 182 cm) gjatë karrierës së tij futbollistike ka luajtur për Vllazninë (53 ndeshje, 30 gola), Panionos, Greqi (6 ndeshje, asnjë gol), Tiranën (52 ndeshje, 42 gola). Me SV Ried, ku luan nga janari i vitit 2007, Salihi ka realizuar 22 gola në 62 ndeshje. Vlera e kartonit të Hamdi Salihit është 750 mijë euro. Salihi ka një kontratë me SV Ried, qe skadon në vitin 2010.
Minifutbolli. Shqipëria fiton 5-2 me Maltën
Shqipëria e minifutbollit bëri një “autokritikë të thellë” pas humbjes befasuese 3-0 me Greqinë në ndeshjen e parë eliminatore të grupit C të Kampionatit Europian “Hungari 2010”, duke fituar me Maltën me rezultatin e thellë 5-2. Kombëtarja e minifutbollit, e drejtuar nga Armand Dama, bëri një lojë shumë agresive, shumë ndryshe nga ajo kundër Greqisë, duke kryesuar deri 5-0, përpara se vendasit të shënonin dy golat e nderit. Edhe në ndeshjen para një viti kundër Maltës, por për eliminatoret e Kampionatit Botëror, Shqipëria kishte fituar 2-1. Të pranishëm në ndeshjen Maltë-Shqipëri ishin edhe disa shqiptarë me banim në Maltë e në pallatin e sportit “Paolo Korradino” nuk mungoi kurrsesi edhe prania e flamurit kuqezi. Të dielën Kombëtarja e futbollit në sallë do të luajë kundër Gjeorgjisë, që është dhe ndeshja e fundit për përfaqësuesen tonë të futbollit “5x5”. Gjeorgjia fitoi 3-1 në ndeshjen e ditës së parë kundër Maltës, kështu që pritet një ballafaqim i fortë midis dy ekipeve.
Kalendari
19.02.2009: Greqi-Shqipëri 3-0
20.02.2009: Maltë-Shqipëri 2-5
22.02.2009: Shqipëri-Gjeorgji
Kategoria Superiore
Java 21
E shtunë, 21.02.2009, 14:30
Vllaznia-Lushnja
Gjyqtar: Remzi Sadiku (Elbasan)
Faza I: Lushnja-Vllaznia 1-4
Shënues: Çela/ Beqiri, Bashiç, Dhembi, Lici (p)
Tirana-Elbasani
Gjyqtar: Tanush Latifi (Gjirokastër)
Faza I: Elbasani-Tirana 1-0
Shënues: Abazaj
Partizani-Besa
Gjyqtar: Mentor Sopjani (Durrës)
Faza I: Besa-Partizani 0-0
E diel, 22.02.2009
Flamurtari-Dinamo (14:00)
Gjyqtar: Lorenc Jemini (Tiranë, me konsensus)
Faza I: Dinamo-Flamurtari 1-1
Shënues: Plaku / Brajkoviç
Apolonia-Shkumbini
Gjyqtar: Kridens Meta (Tiranë)
Faza I: Shkumbini-Apolonia 2-0
Shënues: Rizvanolli, Deliovski
Bylis-Teuta
Gjyqtar: Sokol Jareci (Tiranë)
Faza I: Teuta-Bylis 1-0
Shënues: Vila (p)
Kategoria e Parë
Java 18
21.02.2009
Laçi-Gramozi (Pashaj)
Kastrioti-Skënderbeu (Hoxha)
Burreli-Naftëtari (Beqiri)
Dajti-Tërbuni (Rama)
Luftëtari-Sopoti (Lulaj)
Ada-Besëlidhja (Hakrama)
Skrapari-Pogradeci (Nasse)
22.02.2009
Bilisht S.-Turbina (Alla)
21 Shkurt 2009