E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, rritet numri i kategorive që përfitojnë

4.2 miliardë lekë është fatura financiare që ka parashikuar Ministria e Punës për projektligjin e ri lidhur me ndihmën ekonomike që do të përfitojnë shtetasit në nevojë. Sipas Zëvendës ministrit të Punës Kastriot Sulka, numrit aktual të 90 mijë shtetasve, pritet t’u shtohen dhe 800 të tjerë. Pjesë e zgjerimit të kategorive përfituese që janë përfshirë në draftin e ri janë dhe ata shtetas që kanë të ardhura, por që nuk e përballojnë dot jetesën, apo qytetarë të cilët kanë në përdorim një tokë dhe që për shkaqe gjakmarrjeje nuk mund të nxjerrin përfitime prej saj. Ngritja e një qendre kombëtare për fëmijët e ngujuar, duke i trajtuar ata me një ndihmë të veçantë, është një tjetër propozim i ri në draftin e diskutuar gjatë mbledhjes së komisionit të punës. Por ndryshe nga praktikat e mëparshme projektligji i dikasterit të drejtuar nga Spiro Ksera parashikon që shpërndarja e ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë të bëhet nëpërmjet bankave dhe shërbimit postar, për të shmangur sipas dikasterit të punës abuzimet e evidentuara gjatë viteve të fundit nga punonjësit e shpërndarjes së asistencës nga Pushteti lokal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›