E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, rritet pagesa për familjet e varfra

08/02/2012   Këshilli i Ministrave miraton ndryshimet

Shkon në 8 mijë lekë pagesa për familjet me disa anëtarë, kategoritë e reja që i shtohen skemës

Zgjerohet më tej skema e përfitimeve të ndihmës ekonomike. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka aprovuar rritjen e masës së përfitimit të pagesës sociale për familjet e varfra me shumë anëtarë dhe shtimin e kategorive të reja përfituese.

Duke nisur nga 1 shkurti i këtij viti familjet e varfra dhe shtresat e tjera që mbështeten nga ky program do të përfitojnë pagesa më të larta. Konkretisht në projektvendim është propozuar rritja e kufirit të përfitimit të ndihmës ekonomike, e cila shkon në 8000 lekë në muaj, çka favorizon mbështetjen e familjeve me shumë anëtarë, ku përfshihen edhe familjet rome. Tashmë me ndryshimet ligjore me ndihmë ekonomike do të mbështeten edhe jetimët që kalojnë moshën 18 vjeç, por nuk janë pjesë e institucioneve të përkujdesit social, si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare. Vendimi i miratuar dje parashikon që mbështetja për dy kategoritë e fundit të jetë në masën 3000 lekë në muaj. Gjithashtu në vijim të masave të marra nga Policia e Shtetit në zbatim të ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” vlerësohet se gjatë periudhës janar-shtator 2011 janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 700 raste të dhunës në familje, të cilat do të shtohen si përfitues në skemën e ndihmës ekonomike. Bazuar në këto të dhëna, parashikohet që efekti financiar për mbështetjen me ndihmë ekonomike të viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare të jetë 25.2 milionë lekë për vitin 2012. Projektvendimi parashikon edhe mbështetjen e jetimëve që nuk janë në institucione, por jetojnë pranë të afërmeve të tyre. Propozohet që këta fëmijë të marrin ndihmë ekonomike në masën 3000 lekë në muaj, kjo për faktin se në kuadër të shpërndarjes së shërbimeve për fëmijët prioritet po i jepet qëndrimit të tyre sa më pranë familjeve biologjike, që mund të jenë të afërmit e tyre, duke u shoqëruar edhe me të ardhur si ndihmë ekonomike. Kjo ndihmë ekonomike do të vazhdojë të jepet deri në punësimin e tyre. nga të dhënave të bëra publike pohohet se gëzojnë statusin e jetimit 1300 fëmijë, nga të cilët 350 janë të moshës mbi 18 vjeç dhe përfitojnë ndihmë ekonomike dhe do të përfshihen rreth 1000 persona me një efekt prej 36 milionë lekë për vitin 2012.

Lidhur me procedurat e përfitimit saktësohet se kërkesa plotësohet nga kryetari i familjes dhe bashkëshortja kur ata janë në proces zgjidhjeje martese, por për këtë proces nuk ka ende një vendim gjykate të formës së prerë. Ndërsa për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare duhet të paraqitet dokumentacioni i mëposhtëm: kopje e noterizuar e letërnjoftimit, kopje e noterizuar e vendimit të gjykatës, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme, e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë. Fëmijët e familjeve në nevojë, të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe jetimet që nuk janë në institucione dhe ndjekin arsimin e detyrueshëm marrin një pagesë shtesë deri në mbarimin e arsimit të detyrueshëm. Masa mujore e ndihmës ekonomike caktohet sipas strukturës së familjes. Procedurat dhe dokumentacioni, kohëzgjatja dhe kriteret që duhet të plotësojnë familjet dhe individët në nevojë për kushtëzimin e përfitimit të ndihmës ekonomike, si dhe mënyra e përllogaritjes së kohëzgjatjes së përfitimit të ndihmës ekonomike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndryshimet e bëra

- Masa e plotë e ndihmës ekonomike, pavarësisht nga përbërja e familjes, nuk mund të jetë më e lartë se 8000 lekë në muaj.

Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare është 3000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.

Për anëtarin e familjes në nevojë që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.

Familjes së cilës nuk i llogaritet masa e ndihmës ekonomike si kryefamiljar dhe në përbërjen e strukturës së re, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar, pavarësisht nga përcaktimet e pikës 23 të këtij vendimi.

Për kryetarin e familjes dhe bashkëshorten që janë në proces zgjidhjeje martese, proces për të cilin nuk ka ende një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin prej tyre është 2600 (dy mijë e gjashtëqind lekë) në muaj. Kësaj mase i shtohet masa e ndihmës ekonomike për anëtarët e familjes që jetojnë bashkë me të, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 23 të vendimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›