E Diel, 1 Nëntor 2026

Skrap në plehra, dhjetëra familje jetojnë me gërmime

08/02/2012  Të mbetur të papunë kërkojnë mes erës së keqe dhe dekompozimit

ELBASAN- Skrap në plehra, kjo është puna e re e shumë kryefamiljarëve në Elbasan, të cilët tashmë do të duhet të gërmojnë gjatë për të nxjerrë hekurishte. Në masat e plehrave në fushën e madhe të tejmbushur në Elbasan ata vazhdojnë të nxjerrin hekurin e mbetur për ta shitur më pas për skrap. Shumë prej tyre janë kryefamiljarë të marrë me ndërtim më parë, ndërsa tani të mbetur të papunë kanë marrë kazmën dhe kanë filluar të gërmojnë tunele në mbeturina për të nxjerrë paratë e ushqimit të përditshëm. Ardiani tregon se ai nxjerr bukën e gojës për familjen dhe kjo është puna e vetme që mund të gjejë në këto ditë të vështira. “Leku është fshehur thellë mes plehrave dhe ne vazhdojmë të nxjerrim bukën e gojës këtu çdo ditë për të bërë disa kilogramë hekur që të paguajmë ujë e drita e të ushqehemi”. Rritja e papunësisë, varfëria ekstreme dhe ngritja e çmimeve në Elbasan ka shtuar numrin e qytetarëve që mbledhin hekurishte në fushën e mbetjeve urbane. Ata kanë punuar më parë në ndërtim apo edhe në punë të tjera dhe tashmë kanë mbetur të papunë, duke përfunduar në varfëri të plotë. Rrugëzgjidhja e vetme për ata është vetëpunësimi në fushën hedhjes se mbeturinave duke mbledhur hekurishte. Të gjitha të ardhurat që fitojnë gjatë ditës nuk janë të mjaftueshme për të mbijetuar, por kjo është rruga e vetme. Gjatë një dite pune ata mund të nxjerrin 500 deri në 1000 lekë në ditë kur janë me fat. Janë me dhjetëra familje që vazhdojnë të njëjtin ritëm në fushën aktuale të mbetjeve duke duruar erën e keqe dhe gazin e çliruar nga dekompozimi. L. Ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›