E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha për kafe me ambasadorin Arvizu tek ish-Blloku

08/02/2012  Pas kthimit nga SHBA

Dy ditë pas kthimit nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është shfaqur pasditen e djeshme në një lokal në zonën e ish-Bllokut duke konsumuar kafe me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Me sa duket, kafja është shfrytëzuar nga kryebashkiaku Basha për të njohur kreun e diplomacisë amerikane në vendin tonë me vizitën e zhvilluar në Uashington, ku gjatë takimeve të zhvilluara me personalitetet e këtij vendi ka shpalosur strategjinë e zhvillimit të Tiranës moderne. Për zbatimin e projekteve të parashikuara Basha ka ftuar investitorët amerikanë që të bëhen pjesë e bashkëpunimit për realizimin e tyre në terren. Basha ka siguruar investitorët amerikanë se metropoli shqiptar është një ndër mundësitë e mira për investime, kjo edhe falë masave të marra për lehtësimin e detyrimeve fiskale ndaj subjekteve të biznesit. Nuk është hera e parë që Arvizu takon Bashën në ambiente publike. Edhe para se të largohej për në Uashington Basha ka pritur në ambientet e Bashkisë ambasadorin Arvizu, me të cilin ka biseduar për më shumë se 30 minuta. Ashtu si dhe herën e fundit, pas takimit Basha dhe Arvizu nuk bënë komente për mediet, por vetëm i përcollën gazetarët e interesuar me buzëqeshje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›