E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zgjedhjet, dështim i madh, një dramë kombëtare"

Jean-Louis Laurens, drejtor i Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Europës


"Dështimi kryesor për mua në Shqipëri janë zgjedhjet elektorale. Sa herë ka zgjedhje ato kthehen në një dramë kombëtare, ndërkohë që duhet të jenë pjesë normale e ndërtimit të institucioneve".


Jean-Louis Laurens, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Demokracisë dhe Çështjeve Politike në Këshillin e Europës, i cili e njeh Shqipërinë prej dekadash dhe që ka ndjekur ecjen e vështirë të vendit në 20 vite demokraci, e thotë pa dorashka vlerësimin për vendin tonë.


Këto ditë ai gjendej në Tiranë për një vizitë zyrtare, ku asistoi edhe në ndarjen e diplomave të reja të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, por edhe për reformimin e Zyrës së Informacionit të KiE-së. Në një intervistë të shkurtër për gazetën "Shekulli" ai shpjegon disa nga pikëpjekjet fondamentale që e lidhin atë personalisht dhe institucionalisht me Shqipërinë.

Në Zyrën e Informacionit të KiE-së në Tiranë mësuam mbi një ndryshim struktural të saj dhe jo vetëm në Tiranë, por dhe në vende të tjera europiane që janë jashtë BE-së dhe aspirojnë të anëtarësohen. Konkretisht mbyllje dhe rihapje të tyre.


Çfarë përmbajnë këto ndryshime?

Jean-Louis Laurens: Është një histori e gjatë ky ristrukturim. Por shkurtimisht, Sekretari i ri i Përgjithshëm i KiE-së një nga reformat që ndërmori ishte ajo mbi praninë tonë institucionale jashtë. Kjo do të thoshte mbyllje e zyrave dhe rihapje e tyre në janar të 2011 me terma të plota në shumë vende ku ne kemi praninë tonë, jo vetëm në Tiranë. Që nga janari 2011 do të ketë dy kategori zyrash të KiE-së.


Një do të jetë zyra ndërlidhëse me organizata ndërkombëtare që do të ngrihet në Bruksel dhe që do të mbajë lidhjet me BE-në. Një zyrë do të jetë në Vjenë dhe do të mbajë lidhjet me OSBE-në. Një do të jetë në Varshavë dhe do të mbajë kontaktet me ODIHR-in.


Këto i përkasin kategorisë së parë. Kategoria e dytë përfshin ato vende për të cilat BE ka interes të veçantë dhe janë gjithsej dhjetë vende si; Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Ukraina, Moldavia, Rusia, Azerbajxhani, Armenia dhe Gjeorgjia.


Këto zyra do të drejtohen nga një përfaqësues ndërkombëtar dhe një tjetër kombëtar apo ndërkombëtar dhe kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit, decentralizimin e kompetencave dhe shërbimeve për të rritur operativitetin.


Për sa i përket Tiranës, këtu do të kemi një prani ndërkombëtare dhe një drejtues programesh apo veprimesh që mund të jetë edhe shqiptar.


Shqipëria ka nënshkruar shumë konventa dhe projekte të përbashkëta europiane në shumë fusha si mbi të drejtat e njeriut, ekstradimin, vlefshmërinë ndërkombëtare të gjykimeve penale, asistencën në çështjet penale, transferimin e personave të dënuar, për njohjen e arsimit të lartë në Rajonin Europian etj.


Çfarë është zhvilluar më mirë dhe çfarë më keq në këndvështrimin tuaj?


Jean-Louis Laurens: Ka pasur shumë progres të suksesshëm sidomos në Shkollën shqiptare të Studimeve Politike. Një nga projektet që unë kam për zemër është dhe Shkolla e Magjistraturës.


Ka pasur programe specifike për Shqipërinë apo me qasje rajonale, por reformat janë proces dhe ka ende punë për të bërë. Reformat kanë bërë që Shqipëria të bëhet palë e shumë konventave europiane.


Tani lind nevoja që Shqipëria të ndihmohet për të implementuar siç duhet këto Konventa, në të cilat bën pjesë. Për shembull, pasja e një programi në luftën kundër korrupsionit bëri që Shqipëria të nënshkruajë Konventën kundër Korrupsionit dhe të asistojë nëpërmjet këtij programi në nivele të ndryshme për të luftuar korrupsionin.


Por ndërkohë, pavarësisht procesit në zhvillim që përmendni ju zoti Laurens, korrupsioni mbetet epidemia kolektive nga lart-poshtë në Shqipëri.


Si mund të ndikojë edhe më tepër me strategji komplekse KiE tek qeveritë shqiptare për këtë?


Jean-Louis Laurens: Gjithmonë mund të bëhet më mirë dhe jo vetëm në Shqipëri. Kam pasur fatin ta njoh Shqipërinë para njëzet vjetësh, kur nuk kishte as Ministri Drejtësie, madje edhe më përpara kur për kuriozitet sociologjik dëgjoja Radio-Tiranën komuniste. Dhe nga çdo këndvështrim që ta shohësh Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë dhe ka ndryshuar jo pak, nëse e krahasojmë edhe me vendet e tjera ish-komuniste, me të cilat nuk ka të njëjtën pikë nisjeje.


Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë totalisht i mbyllur. Ishte një vend plot me bunkerë, ndërsa të tjerët kishin një perde të hekurt. Por ju ishit kundër gjithë pjesës tjetër të botës.


Por nuk ju duket se janë shumë njëzet vjet për të bërë edhe më shumë e më mirë?

Jean-Louis Laurens: Vërtet. Shqipëria ka humbur efektivisht shumë kohë. Politikanët shqiptarë duhet të shihnin progresin e vendit dhe të mirën e njerëzve përpara interesave personale dhe politike. Politikanët shqiptarë nuk duhet të flasin për kundërshtarin politik sikur të jetë një armik.


Por dështimi kryesor për mua në Shqipëri janë zgjedhjet elektorale. Sa herë ka zgjedhje ato kthehen në një dramë kombëtare. Ndërkohë që duhet të jenë pjesë normale e ndërtimit të institucioneve.


Por çdo zgjedhje në Shqipëri, flas jo vetëm për këto të fundit por në vijimësi në këto njëzet vjet, janë element destabilizmi, burim problemesh dhe jo zgjidhje problemesh.


Dje ishte dita e parë e Shqipërisë pa viza në Europë. Ndërkohë, jo pak shqiptarë patën probleme në pikat kufitare. Iu kërkojnë para me vete, rezervim hoteli, biletën e kthimit etj, detaje jo të paarsyeshme, por jo dhe të standardit të një qytetari europian të BE-së.


Jean-Louis Laurens: Është vështirë për mua si funksionar i KiE-së që të flas për politikën e vizave. Sa për problemet e sotshme është mjaft normale të ketë probleme, sepse është dita e parë. Nuk është normale që të shkojë vaj që ditën e parë. Nuk di si mund ta komentojë politika, por një nga vlerat fondamentale është liria e lëvizjes. Dhe sot është për shqiptarët është një ditë e madhe.


Personalisht se çfarë mendoj unë plus për liberalizimin e vizave? Perveç aspektit pozitiv, si rrezik shoh ikjen e trurit nga Shqipëria. Shqipëria pas liberalizmit të vizave mund të ndeshet me këtë rrisk, ndaj të cilit duhet të dijë t'i qaset në mënyrë racionale, që intelektualët shqiptarë ta gjejnë veten në atdhe.


Përpara pak javësh në një media zviceriane u botuan tituj dhe foto islamofobiste për rrezikun që i kanoset Zvicrës nga boshnjakët dhe shqiptarët pas liberalizmit të vizave.


Çfarë atmosfere përkapni ju si diplomat ndaj kësaj dukurie?


Jean-Louis Laurens: Islamofobia nuk i përket vetëm Zvicrës. Unë jam francez dhe në Francë ka një parti ksenofobiste, që nuk ka pak mbështetje dhe fansa. Përtej konceptit dhe problemit të Islamofobisë në Europë po rritet problemi i pranimit të asaj që është ndryshe, të 'të ndryshmit'.


Nëse gjatë kësaj vere ndodhi ajo që ndodhi me romët, do të thotë se ka diçka serioze në pranimin e 'të ndryshmit'.


Nëse ka një mesazh fondamental për t'u thënë në Europë sot ai është: "Të jetojmë të ndryshëm dhe së bashku". Por për ta përqafuar këtë lipset arsimim i gjerë, humanizëm, bujari sociale etj.


Që do të thotë se pavarësisht se më shumë, jo vetëm ne shqiptarët kemi probleme të mëdha dhe progresi drejt standardeve kolektive, globale është 'detyrë shtëpie' edhe e Europës dhe gjithë botës.


E meqë ra fjala, si diplomat me njohje të vjetra me Shqipërinë dhe në funksionin e lartë që ju keni në KiE, ju zoti Laurens si i parashihni hapat e Shqipërisë në BE?


Jean-Louis Laurens: Do t'i referohem opinionit të raportit të fundit të BE, që vëren progres, por edhe probleme. Unë këshilloj politikën shqiptare që të përdorë maksimalisht anëtarësimin që Shqipëria ka që prej vitit 1995 në KiE për të marrë mbështetje edhe nga BE. Pasi dhe shumë prioritete dhe sugjerime që ka KiE përkojnë dhe janë në fushën e veprimit drejt BE-së.


Por përgjigjen më të mirë e kanë vetë shqiptarët. Sa më mirë të punojnë shqiptarët për të mirën e tyre, aq më afër është edhe Europa.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›