Ndihmuan Flodian Plakun në arrati, Gjykata e Vlorës lë në burg tre të arrestuar, njëri lirohet

Gjykata e Vlorës ka dhënë masat e sigurisë për katër personat e ndaluar disa ditë më parë në Orikum, në kuadër të operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Flodian Plaku.
Tre prej tyre janë lënë në “arrest me burg”, pasi dyshohet se kanë ndihmuar në strehimin dhe mbrojtjen e Plakut, i cili ishte në kërkim për vrasjen brutale të Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur në mars 2024 në Fushë-Krujë.
Më konkretisht, Albano Lapshi, i cili dyshohet se i çonte ushqim të kërkuarit, Ligor Doko, pronari i hotelit ku strehohej Plaku, si dhe Julian Aliaj, i kapur me armë zjarri dhe me të shkuar kriminale për trafik droge — të tre këta shtetas janë lënë në burg pa afat.
Ndërkohë, për Armando Danon, një berber nga Shkodra, është vendosur masa më e lehtë e sigurisë: “detyrim paraqitje”, pasi nuk ka pasur prova të mjaftueshme për përfshirje aktive në fshehjen e Plakut.
Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, dyshohet se është autori i ekzekutimit mafioz të Gentjan Bejtjas, i cili u qëllua me mbi 30 plumba në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Gjykata ka vlerësuar se të ndaluarit kanë pasur rol aktiv në ndihmën që i është dhënë Plakut për t’iu shmangur drejtësisë.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/