Panteoni Shqiptar në Krizë
Ka kohë që flitet për një zënkë, një sherr, që paska plasur në Panteonin Shqiptar. Por siç ndodh në raste të tilla, gjërat thuhen nën zë. Fjala është për një peticion që i është dorëzuar Parlamentit. Këtu fillon edhe çudia e këtij lajmi. Thuhet se këtë peticion e paskan firmosur të përndjekurit, të dëbuarit e Panteonit shqiptar. Thuhet akoma, se këtë peticion e kanë firmosur edhe shumë anëtarë të vetë këtij tempulli të kombit. Ndërmjet shumë emrave edhe firmave ishin parë ato të legjendarit Skënderbe, Bogdanit, Buzukut, Nolit, Fishtës, Migjenit, vëllezërve Frashëri, Konicës, Poradecit e shumë e shumë të tjerëve. Rishfaqja e firmave të tyre ishte gjëja më e pabesueshme e kësaj historie; por megjithatë, kjo ishte shpjeguar me vetinë e pavdekësisë që kanë heronjtë e Panteonit. Ish-të përndjekurit, të dëbuarit e Pantonit, në këtë gjysëm shekulli të komunizmit shqiptar që protestonin dhe nuk pranonin anëtarësinë në Panteon, "e drejtë kjo, që i ishte dhënë tani në erën e demokracisë". Kurse anëtarët e Panteonit që kishin firmosur edhe ato peticionin kërcënon se do të dilnin vullnetarisht nga ndërtesa e tempullit. Biles këta të fundit thonin se shumë herë më parë kishin bërë kërkesa për të dalë vullnetarisht nga Panteoni, ose në "pamundësi" të kësaj t'i sistemonin në një ndërtesë tjetër.
Arsyet që kishin parashtruar në kërkesat e tyre të mëparshme, ishin shkruar në një gjuhë tepër të kujdesshme që të mos keqinterpretoheshin. Kjo për arsyen e thjeshte se kërkesat e tyre i kishte shqyrtuar dikur zyra e kuadrit e Kuvendit Popullor (ose ajo e KQ të PPSH, se ishte e njëjta gjë). Ata e kishin argumentuar kërkesën e tyre me "ngushticën e madhe", që ishte krijuar në ndërtesën e Panteonit, nga dyndja e "heronjve të rinj" të komunizmit. "Heronjtë e moshuar", - siç quheshin me një farë përçmimi nga "heronjtë e rinj" të komunizmit, heronjtë para 1944, - thonin se nga "ngushtica e madhe" kishte filluar t'i merrej fryma dhe rrezikoheshin të mbyteshin. Megjithatë, asnjë nga kërkesat e tyre nuk ishte marre parasysh, ndërkohë që në tempull vazhdonte vërshimi i "heronjve të rinj". Kurse në peticionin e përbashkët thuhet se kurrsesi nuk pranonin të rrinin në një ndërtesë, nën një çati me "heronjtë e rinj që fabrikoi komunizmi". Ishin këta "heronj" që kishin shpërfytyruar imazhin e shqiptarit për heroin. Këta "heronj", për t'u dukur sa më tokësorë ishin futur në ndërtesën e Panteonit shqiptar me ca dëshmira, ca certifikata "të rregullta" (vërtetësia e të cilave provohej nga vula e zyrës përkatëse të Kuvendit Popullor) që dëshmonin "heroizmin" e tyre. Ajo që "dëshmonte" më qartë origjinën e tyre tokësore ishte kontributi i tyre mes njerëzve. Midis tyre mund të gjeje barinj, shoferë, mjelëse të dalluara, traktoriste, brigadiere të rendimenteve të larta, "intelektualë","profesorë", që sfidonin logjikën dhe shkencën e pjesës tjetër të botës, etj. Peticioni duke dashur të paraqesë metamorfozën e heroit shqiptar, zbulonte edhe sekretin e kësaj prodhimtarie të madhe "heronjsh" të periudhës të ashtuquajtur "enveriane". "Heronjve" të tillë i ishte hequr vetia bazë e heroit të Panteonit,- rebelizmi, të menduarit të pavarur, të lirë, ose siç quhet sot, - disidencë. Këta "heronj" paraqiteshin të urtë. Disidencën, ia kishin zëvendësuar me vetinë që kishte patur njeriu para shfaqjes të Heroit të Parë, - Prometeut, - pikërisht, me frikën ose siç jemi mësuar ta quajmë sot, - konformizmin. Sherri që ka plasur në Panteon ka rrezik të na lërë pa heronj, sepse "heronjtë e rinj" të komunizmit, nuk pranojnë kurrsesi të dalin nga ndërtesa e Panteonit. Ata thonë që janë në rregull me dokumentet, dëshmitë e "heroizmit " të tyre. Biles për t'u bërë sa më të pranueshëm e modernë në sytë e botës, ata kanë ndërmarrë e bërë disa ndryshime në paraqitjen e jashtme, duke ndryshuar në disa raste tepër flagrante edhe emrat. Ndërsa Pantoni shqiptar ndodhet në krizë, Parlamenti, (një nga ndryshimet e reja në emrat që solli demokracia) akoma nuk ka vendosur se çfarë të bëjë. Ka frikë se asnjëra palë në grindje, nuk do t'i bindet vullnetit të tij, duke pretenduar secila në të vetën.
Greket e vjetër besonin se ishte Kutia e Pandorës, burimi i gjithë të këqijave dhe fatkeqësive që hidhëruan gjininë njerëzore. Ishte kurioziteti, tundimi i Pandorës që hapi "kutinë fatale", e lejoi të dilnin prej andej të gjitha mjerimet, sëmundjet, luftërat, uritë e botës. Por njerëzit kuptuan se, e keqja e vërtetë lindi atëherë kur ata zbritën perënditë, heronjtë në tokë. Shëmbëlltyra e heroit të parë për njerëzit, deri atëherë të pafuqishëm e të mjerë ishte Prometeu, me burimin e zjarrit hyjnor që rrëmbeu në qerren e Diellit. Por kur zbritën heronjtë në tokë, ato erdhën ashtu siç ishin në qiell, me të gjitha pasionet e veset e tyre, me të gjitha të këqijat dhe të mirat e tyre. Kur njerëzit u kujtuan se tani heronjtë shpesh bëheshin të rrezikshëm, deshën t'i kthenin ata përsëri në qiell, por ishte shumë vonë. Tani ata kishin nevojë për heronjtë, nuk jetonin dot pa to. Kështu filloi bashkëjetesa e njeriut me heroin. Është heroi që ushqen aspiratat e popujve për liri, për të jetuar më mirë. Është kjo nevojë e popujve për heronj, që jo rrallë nxjerrin figura madhore në kahun negativ të "drejtëzës" njeri. Vazhdimisht janë hasur në histori figura si Xhingis Khani, Timurlangu, Neroni, Musolini, Hitleri, Stalini, "heronjtë e mëdhenj" të shkatërrimit. Janë këta "heronj" që në emër të idealeve të larta njerëzore, evokojnë e nxisin forcat e errëta, të verbra, të fshehura, primordiale të popujve drejt dhunës të paparë. Një shkrimtar i madh i ka quajtur këto - lajthitje kolektive, çmenduri të popujve.
Komunizmi shkruajti një histori tejet të dhimbshme, të gjakosur, persekutimi njerëzor. Më mizorisht se çdo epokë tjetër, ai shpërfytyroi imazhin e heroit. Komunizmin e kanë krahasuar me ujkonjën që ha këlyshët e vet. Nga tribunat e tij, u rrezuan, u shpërfytyruan një nga një edhe idealistët, e vendin e tyre e zunë kasapët, gjakësorët. Në periudhat e lajthitjeve kolektive dalin "heronjtë" e dhunës e të shkatërrimit. Shqipëria e vuajti tmerrësisht këtë; pa të rrëzoheshin, të dëboheshin nga Panteoni i saj qindra heronj, ndjeu dhimbjen e madhe të rrallimit të këtij tempulli të kombit. Në këtë Panteon të rralluar, zunë vend "ca heronj", metamorfoza, përçudje të heroit të parë: Prometeut. Sot, komunizmit si zgjidhje për një shoqëri të ardhme njerëzore, i është vënë kryqi. Një konvente botërore, atë dhe projektuesit e saj duhet t'i nxjerrë jashtë ligji.
"Heronj" të tillë, nxorën edhe kombet më të qytetëruara. Ishin këta popuj që i "krijuan" këta "heronj", që i duartrokiten e i rriten në psikikën e tyre; i mitizuan dhe i afruan me vetë perënditë. Edhe shqiptarët kanë pasur nevojë për heronj dhe kanë nxjerrë heronj. Por për gjysëm shekulli, e lidhën fatin e tyre me një profet fals, me emrin e Enver Hoxhës. Pasi e zbritëm në tokën tonë shqiptare, nuk vonoi dhe e ndjemë forcën shkatërruese të tij, të heroit më të madh shqiptar, të shkatërrimit. Ai, me siguri, do të përcillet në histori si fatkeqësia më e madhe e këtij populli. Por fatkeqësia nuk mbaroi me vdekjen e tij. "Fantazma" e tij, vazhdon edhe sot të bëjë e të shkruajë historinë e Shqipërisë. Tani që në Panteonin shqiptar kanë filluar lëvizjet e mëdha për të rizbuluar vlerat e humbura, bota po jeton një periudhë deheroizmi. Heronjtë nuk jetojnë gjatë. Njerëzimin e kanë lodhur heronjtë tokësorë, ato bëhen të rrezikshëm. Prandaj, kujdes nga heronjtë tokësorë! Kujdes!