E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjehen të pastër

Pas largimit të Fushë Kosovës nga Liga e Parë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka filluar ta hetojë edhe Ulpianën rreth ndeshjes Fushë Kosova – Ulpiana (0:2), që thuhet të ketë qenë e kurdisur.

Sipas rregulloreve përkatëse, edhe ekipi lipjanas mund të dënohet me heqje të pikëve apo edhe me largim prej garave. Por, drejtuesit e Ulpianës nuk frikësohen nga hetimet që i ka nis FFK-ja ndaj skuadrës së tyre, pasi ata thonë se ndeshja ndaj Fushë Kosovës nuk ka qenë e kurdisur.

“Absolutisht nuk ka fakte për kurdisje. Ai vendim është absurd, sepse është marrë në bazë të deklaratave të dy apo tre individëve të Fushë Kosovës”, tha për Express drejtori i Ulpianës, Besim Rrustemi.

Madje, Rrustemi paralajmëroi se skuadra e tij do të kërkojë nga FFK-ja t’i jepen tri pikët nga ndeshja me Fushë Kosovën, pasi ai përsërit se ajo ndeshje nuk ka qenë e kurdisur dhe ekipi i tij ka fituar me meritë.

FFK-ja takimin mes Fushë Kosovës dhe Ulpianës (0:2) e ka regjistruar si ndeshje të zhvilluar, por pikët dhe golaverazhi nuk janë regjistruar.

“Kryesia jonë do të mblidhet dhe do të ankohemi në FFK, sepse duam që fitorja e jonë ndaj Ulpianës të regjistrohet, sepse s’ka pasur kurdisje. Ne i duam pikët tona”, shtoi Rrustemi.

Largimi nga liga, tragjedi për Fushë Kosovën

Ndërsa skuadra e Fushë Kosovës nuk ka udhëtuar fare të shtunën drejt Podujevës, për ta zhvilluar ndeshjen e radhës ndaj Llapit, pasi të premten ‘pampurët’ u larguan prej lige nga Komisioni Disiplinor i FFK-së.

Ky komision e kishte marrë këtë vendim, duke u bazuar në faktet që kishte mbledhur, me arsyetimin se ndeshja Fushë Kosova – Ulpiana (0:2) ka qenë e kurdisur, me ç’rast bardhekaltrit u dërguan në Ligën e Dytë, që në fakt i bie Liga e Tretë pas Superligës dhe Ligës së Parë.

Ky vendim e ka tronditur kryesinë e Fushë Kosovës. Kryetari i kësaj skuadre, Bashkim Ismajli, thotë se ishte nervozuar kur kishte marrë lajmin për vendimin e FFK-së, pasi sipas tij, ajo ndeshje nuk ka qenë e kurdisur.

“Fushë Kosova, për mua dhe kolegët e tjerë të mi, ka qenë si pjesë e familjes. Këtë e konfirmon fakti se skuadra jonë ka qenë tejet mirë e organizuar. Andaj, vendimi i Komisionit Disiplinor i FFK-së na trondit – thjesht e përjetuam si një tragjedi në familje”, deklaroi Ismajli për Express.

Vendimin e FFK-së, Ismajli e quan absurd. “Vendimin ai komision e ka marrë pa fakte dhe pa argumente. Ai komision se është bazuar vetëm në deklaratat e dy-tre individëve, por pse nuk u morën në deklarata edhe 20 futbollistë dhe anëtarë tjerë të Fushë Kosovës”, theksoi ai.

Ismajli tha se shumë shpejt do të mblidhet kryesia e klubit për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm, duke paralajmëruar se do të ankohet ndaj vendimit të FFK-së.

Mirëpo, edhe ndaj Ismajlit, Komisioni i Garave ka nisur procedurë disiplinore dhe brenda pak ditëve Komisioni Disiplinor i FFK-së do të vendosë. Në situatë të ngjashme është edhe drejtori i këtij klubi, Nysret Rexhepi, koleg i ngush i Ismajlit.

Madje, FFK-ja ka bërë të ditur se dosja e gjithë këtij rasti të hënën do të dërgohet në Prokurori. Por, Ismajli nuk frikësohet. “Nuk brengosem aspak sepse besoj në pafajësinë time dhe të klubit tim. Jam i gatshëm të përballem me këdo dhe ku do. Por, jam i bindur se pafajësia jonë do të rezultojë në fund. Atëherë, unë do t’i nisi procedurat ligjore ndaj të tjerëve për shpifje dhe dëmtim”, përfundoi ai. Ndërkohë, edhe Rexhepi i ka thënë të premten Express-it se ndihet i pastër si loti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›