E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi, sheshi “Gensher” në Elbasan do të mbajë emrin “Pavarësia”

Sheshi qendror i Elbasanit do të ndryshojë emër. Ai do të quhet ‘25 Nëntori-Pavarësia’ dhe kërkesa përkon me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe një nga momenteve më historike për Elbasanin, që është shpallja e Pavarësisë së tij. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, i është drejtuar me një shkresë të posaçme këshillit bashkiak të qytetit, ku i sugjeron ndryshimin e emrit të këtij sheshi. Z.Deliallisi e argumenton atë me momentet më historike të Elbasanit siç është shpallja e pavarësisë dhe një personazh historik si Aqif Pashë Biçakçiu. Këshilli Bashkiak pritet të miratojë kërkesën e prefektit, jo thjesht për faktin se mazhoranca dominon në këshillin bashkiak me 24 vota, por se edhe pakica ndan të njëjtin mendim mbi këtë emër. Ndryshimet demokratike ishin një kthesë e madhe për vendin dhe Hans Ditrih Gensher ishte i pari ndër politikanët perëndimorë që vizitoi qytetin e Elbasanit. Për këtë arsye, por nisur edhe nga emocionet e mëdha të kohës, këshilli i atëhershëm bashkiak vendosi t’i vërë emrin Hans Ditrih Gensher. Megjithatë, emri i tij do të vazhdojë të jetë i fiksuar në një nga rrugët kryesore të qytetit. Nga testimet e kryera, rezulton se propozimi i bërë nga prefekti është mirëpritur masivisht nga qytetarët. Dhe kjo duket se është një kërkesë me vend e prefektit Shefqet Deliallisi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›