E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjekin investitorët

Përmes një hulumtimi, Klubi për Politikë të Jashtme ka konstatuar se në Kosovë është një gjendje e keqe sa i përket trajtimit të investitorëve të huaj. Madje, Qeveria, sipas këtij hulumtimi, ka përndjekur disa kompani gjigante botërore me keqmenaxhim të proceseve. Krejt kjo duke aplikuar forma korruptive dhe diskriminuese ndaj kompanive të huaja.

Ky klub, drejtuar nga Yll Hoxha, tha se Qeveria po ofron një pasqyrë mbi dëmin që fenomeni i korrupsionit po shkakton tërheqjen e investimeve të huaja.

Qeveria po krijon një ambient me disavantazhe të theksuara në resurse, infrastrukturë, ambient politik dhe Kosova po ngec dukshëm në ofertën e saj për investitorët seriozë potencialë krahasuar me rajonin, tha Yll Hoxha.

Raporti i Klubit për Politikë të Jashtme, organizoi një konferencë Si po e largon korrupsioni investitorin nga Kosova, të bashkëfinancuar nga Banka Botërore. Drejtuesit e këtij klubi konstatuan me plot bindje se Qeveria ka krijuar rënien e investimeve të huaja direkte në Kosovë në dy vitet e fundit.

Janë evidentuar përmasat shqetësuese të korrupsionit në secilin raport të prezantuar. Ato dëmtojnë gjasat e Kosovës për t`u parë si ambient atraktiv për biznes, tha Hoxha. Ai vlerësoi se përkundur një gjendjeje jo të kënaqshme të vitit 2007, ku investimet e huaja direkte ishin 340 milionë euro, gjendja është përkeqësuar në vitin 2008 dhe ato bien 14.6 për qind. Kjo rënie ka tendencë edhe sivjet.

Hoxha, vlerësoi se shumë kompani të mëdha botërore të cilat kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë, janë tërhequr.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka mohuar të gjitha ato çfarë ka thënë Klubi për Politika të Jashtme. Zëdhënësi i kësaj qeverie, Memli Kransniqi, tha se këto janë konstatime krejt të pasakta. Ai tha se shumë organizata të tjera të mëdha kanë thënë të kundërtën e asaj që ka thënë Klubi për Politika të Jashtme.

Është e palogjikshme që Klubi për Politika të Jashtme të ketë të dhëna më shumë sesa organizata të tjera të mëdha botërore, tha Krasniqi.
Lufta ndaj korrupsionit, tha Krasniqi, ka dhënë rezultatet e veta dhe për këtë çështje janë lavdëruar nga shumë organizata botërore.

Investitorët e huaj janë në Kosovë ende dhe nuk kanë ikur kurrë nga Kosova për dallim prej disa vende të Ballkanit.

Ndërsa për kompanitë që janë përmendur nga Klubi për Politika të Jashtme, sipas Krasniqit, janë ato që nuk kanë filluar asnjë investim në vendin tonë. Ato kanë hulumtuar tregun dhe ka qenë çështje e mundësive të tyre se a duhet të investojnë në një vend apo jo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›