E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale kryekomunares së Ndroqit

Policia kallëzon në prokurori Fatime Gogën dhe shefen e personelit të komunës

TIRANË- Përfundon për ndjekje penale kryetarja e Komunës Ndroq të Tiranës. Fatime Goga, 51-vjeçe, lindur e banuese në Ndroq Tiranë, do të ndiqet penalisht pasi akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se ditën e djeshme, antikrimi ekonomik-financiar i ka kaluar prokurorisë materialet në ngarkim të kryetares së komunës Ndroq. Bashkë me 51-vjeçaren do të ndiqet në gjendje të lirë edhe 25-vjeçarja Irena Trimi, me detyrë shefe personeli dhe sekretare në komunën Ndroq. Sipas burimeve të policisë kryetarja dhe sekretarja e komunës së Ndroqit prej disa kohësh nuk regjistronin kërkesë-ankesat e banorëve të kësaj komunë. Këta të fundit kërkonin të dhëna e konfirmime mbi pronësinë e tokave. Por Goga e Trimi nuk prisnin banorët dhe as nuk u regjistronin ankesat atyre. Pas përpjekjeve të herë pas hershme, banorët kërkuan ndihmën e policisë. Antikrimi ekonomik-financiar nisi menjëherë hetimet për të verifikuar kallëzimet e banorëve. Pas hetimeve, policia tha se 51-vjeçarja Goga dhe 25-vjeçarja Trimi kishin shpërdoruar detyrën. Ato u morën në pyetje dhe më pas specialistët e antikrimi ekonomik-financiar u komunikoi atyre ndjekjen penale e cila do të zhvillohet në gjendje të lirë. Materialet në ngarkim të dy zyrtareve i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›