Mjeshtri i arratisjeve, në gjyq vetëm për policin
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda është në fund të fazës hetimore ndaj mjeshtrit të arratisjeve, Ilir Paja, i cili në momentin e arrestimit në Shqipëri plagosi një agjent policie, duke e shtypur me makinë në tentativë për t’i shpëtuar prangave. Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se dosja e të pandehurit Paja ndodhet në fund të hetimeve për përplasjen e policit që po e ndiqte, por asnjë akuzë e drejtësisë italiane nuk është reflektuar në to. Ndërkohë, në lidhje me vendimin e autoriteteve italiane dhe gjermane, nga burgjet e të cilëve ka ikur në mënyrë spektakolare Ilir Paja, autoritetet shqiptare edhe pas dy letër-porosive dërguar këtyre shteteve, nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas prokurorisë, Ilir Paja edhe pse nën masa të rrepta sigurie kishte mundur të arratisej në qershorin e vitit 2006 nga burgu i Perugias ku ishte izoluar rreth 6 muaj brenda saj. Pas tre muaj arratisjeje, Paja u arrestuanë një nga provincat e Milanos nga ku u hodh nga kati i tretë i pallatit ku ishte izoluar. Akuzat ndaj tij në Itali e Gjermani janë të ndryshme, si vrasje, trafik droge, vjedhjet të vilave, rrëmbim personi, dhuna seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni për të cilat është dënuar nga shtetet përkatëse dhe pritej ardhja e vendimit të tyre.