Norma e kontributeve të sigurimeve nuk ka ndryshuar, pavarësisht pagave
Instituti i Sigurimeve ka bërë dje publike të gjitha vlera e kontributeve të sigurimeve shoqërore duke theksuar se norma e tyre nuk ka ndryshuar. Instituti i Sigurimeve Shoqërore tha nëpërmjet një deklarate se për të gjithë paguesit e kontributeve të sigurimeve shoqërore të punësuar apo të vetëpunësuar nuk ka ndryshuar asgjë në skemën e pensioneve. ISSH saktësoi se paga minimale në shkallë vendi përcaktohet çdo vit me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për këtë vit paga minimale në shkallë vendi është përcaktuar në masën 17 000 lekë. Në tabelat e paraqitura nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në lidhje me vlerën e kontributeve që do të paguhen që pas vendimit të qeverisë shihet se nuk ka asnjë ndryshim në vlerë. Në të vërtetë, vendimi ka caktuar pagat minimale, të cilat në disa zëra kanë ndryshuar dhe në bazë të këtyre pagave të reja bëhet edhe llogaritja e vlerës që do të paguhet për kontributet e sigurimeve shoqërore, por kjo gjë nuk ka ndryshuar normën e kontributeve. Qeveria shqiptare bazuar në ligjin për procedurat tatimore ndryshon ose cakton pagat minimale në sektorin privat. Në lidhje me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe normën e tyre qeveria nuk ndërhyn, por thjesht me anë të agjencive të saj bën llogaritjet e reja në bazë të ligjit për kontributet e sigurimeve. Vlera e kontributeve shoqërore që paguhet për një punonjës është ulur në vitin 2006 me rreth 30 për qind në pjesën që paguante punëdhënësi dhe ka mbetur në vend në pjesën që paguan punëmarrësi. Kjo ka qenë një reformë që e ka lehtësuar punëdhënësin nga një peshë relativisht e madhe. Kjo së bashku me administrimin më të mirë të kontrolleve tatimore dhe të procedurave tatimore ka çuar në rritjen e numrit të atyre që paguajnë kontributet në mënyrë të ndjeshme. Vendimi i qeverisë për pagat e reja minimale ngjalli disa debate në lidhje me normën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, por kjo në të vërtetë më së shumti kishte të bënte me paqartësi. Norma është ajo që ishte.