Kur profesorët shkojnë në luftë
Krijuesit e politikave në SHBA (“më të mirët e më të zgjuarit,” siç i quajti David Halberstam), i gabuan që të dyja pyetjet. Rezultati ishte një luftë shkatërrimtare që vrau më shumë se 55,000 amerikanë, bashkë me rreth 3 milionë vietnamezë dhe thellësisht dëmtoi pozitën e SHBA në botë.
Sot, planifikuesit ushtarakë dhe krijuesit e politikave të SHBA ballafaqohen me pyetje të tjera me ndërlikime të thella afatgjata për sigurinë e SHBA dhe paqen ndërkombëtare: A është terrorizmi i Lindjes së Mesme në një mënyrë i pandarë nga teologjia islame? A është një përgjigje e pashmangshme islamike ndaj globalizimit dhe perëndimizmit? A është, më saktë, në të vërtetë një përgjigje ndaj varfërisë dhe zhvillimit të paktë, e që ndodh e zhvillohet mbi gjuhën e religjionit? Apo, ashtu si vetë Osama bin Laden sugjeroi, a është një përgjigje ndaj intervenimit ushtarak të SHBA në rajon? Nëse SHBA heq dorë nga prezenca e saj intervencioniste në Lindje të Mesme, a do t’i lërë Al-Qaeda rehat amerikanët, apo kjo do t’u japë guxim që t’i përndjekin gjer në brigjet e veta? A janë shtetet e Lindjes së Mesme të gatshme e të afta për demokraci perëndimore apo kjo është një fantazi neokonservative që është rrezikshmërisht etnocentrike?
Nëse krijuesit e politikave amerikane iu përgjigjen gabimisht këtyre pyetjeve, sigurisht që populli në rajon do të vuajë dhe, edhe më shumë amerikanë do të vdesin pa nevojë, qoftë në më shumë luftëra në Lindje të Mesme, në 11 Shtatorët e ardhshëm, apo në të dyja bashkë.
Në një përpjekje që të mobilizojë ekspertizën akademike për të adresuar pyetje të tilla, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tash vonë shpalli projektin ‘Minerva’. Sipas ‘Minervës’, Pentagoni ka alokuar 50 milionë dollarë për akademikë që do të punojnë në një sërë frontesh: do të shkruajnë për lidhjen mes religjionit, e posaçërisht islamit, me terrorizmin; do të përkthejnë, analizojnë dhe do të arkivojnë publikisht dokumente të kapura gjatë luftës së Irakut; do të krijojnë një arkiv të centralizuar të dokumenteve në dispozicion publik për doktrinat dhe teknologjitë e ushtrisë kineze dhe do të japin propozime për zhvillimin e paradigmave të reja, të cilat Gates i krahasoi me rolin që e luajti teoria e lojës gjatë Luftës së Ftohtë. Pentagoni ka cekur se ky hulumtim nuk do të jetë sekret dhe ka nxitur akademikë të huaj që të aplikojnë për financim. Gjatë fjalimit të tij, sekretari Gates valëviti kontributet që do të mund të bëhen nga historia, sociologjia, biologjia evolucionare dhe, më së shumti, nga disiplina ime, antropologjia.
Në shikim të parë, ‘Minerva’ është një ajër i freskët e i mirëpritur. A ju kujtohet Donald Rumsfeld? Ish-sekretari i Mbrojtjes besonte se dominimi teknologjik e jo kuptimi kulturor ishte çelësi i fitores në luftërat e Irakut dhe Afganistanit. Por, në qoftë se zyrtarët e Pentagonit do të kishin konsultuar ekspertët antropologë mbi Lindjen e Mesme, para se të pushtonin Irakun, ata do të ishin paralajmëruar se vështirë që ushtarët amerikanë do të mirëpriteshin ashtu siç u mirëpritën në Francë në vitin 1945, dhe që, në mungesë të Saddam Husseinit, sunnitët dhe shiitët do të ktheheshin kundër njëri-tjetrit.
Gates, me hak, është shumë më i interesuar në mobilizimin e shkencave njerëzore në “luftën kundër terrorit” sesa ishte Rumsfeld. Por tragjedia e kësaj nisme është se vetë gjëja që po e bën aq tërheqëse, (më në fund, Pentagoni po kërkon ndihmën e ekspertëve nga akademia), mund ta çojë në dështim.
Të marrim antropologjinë, fushë e cila mban dituri të rëndësishme rreth ekstremizmit religjioz dhe terrorizmit. Shumë antropologë thjesht nuk do të aplikojnë për financim, nëse vjen nga Pentagoni. Arsyet e tyre do të jenë të ndryshme. Antropologët edhe tash raportojnë se dyshohen që punojnë për agjencitë e inteligjencës të SHBA, kur bëjnë hulumtime në terren, jashtë vendit dhe do të jenë të brengosur që subjekti hulumtues do të refuzojë të flasë me ta, nëse ata haptazi po të financohen nga ushtria e SHBA.
Disa do të brengosen që Pentagoni do të kërkojë ta kthejë axhendën e tyre hulumtuese, sipas nevojave të veta, me këtë duke ndërhyrë në lirinë e tyre akademike. Të tjerët do të jenë të shqetësuar që kolegët e tyre do t’iu shmangen. Por shumica do të refuzojnë thjesht për shkak të principit: Antropologjia është, për shkak të shumë arsyeve, disiplina e akademisë që më së shumti anon kah e majta, dhe shumë njerëz bëhen antropologë thjesht për shkak të simpatisë së thellë ndaj llojit të njerëzve, të cilët shumë shpesh paraqiten si dëmtim kolateral i luftës.
Jemi në një udhëkryq, ku do të vendosim politikën tonë në Lindje të Mesme për një dekadë apo më shumë. Nëse duam t’i shmangemi një shkretëtire si Vietnami, nëse duam debat për politika që përfshijnë njerëz të zgjuar e të ditur si nga e majta, si nga e djathta, duhet që kërkimin e ‘Minervës’ për mençuri ta vendosim në sferën civile, para se të jetë tepër vonë.