E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksion dëshpërues i kryeministrit për shqetësimet e SHBA

Qeveria shqiptare i shikon të ekzagjeruara kritikat që vijnë nga Uashingtoni përmes diplomatëve amerikanë në Tiranë për deformimet e raporteve të qeverisë me disa institucione kryesore të shtetit, përpjekjen për t’i vënë ato nën kontroll, si dhe acarimin e skajshëm me misionin e OSBE në Tiranë. Kryeministri, Sali Berisha, u përpoq t’i relativizonte ato gjatë një deklarate për median, dhënë nga Velipoja, duke i quajtur debate normale dhe duke nënvizuar të kundërtën e atyre shqetësimeve.

Qëndrimi i kryeministrit dhe sidomos përpjekja e tij për të nënvizuar të kundërtën e shqetësimeve që vijnë nga diplomacia amerikane për zhvillimet në vend, është një mospranim i plotë i tyre, por me gjuhë të zbutur, për të mos rritur dramacitetin e debatit në publik. Dimensioni kryesor i reagimit të Tiranës në disa raste kohët e fundit është përpjekja për t’iu shpjeguar perëndimorëve keqkuptimet që ata kanë për Shqipërinë. Dhe, në këtë rast, mënyra se si e trajton kryeministri shqetësimin zyrtar të SHBA, tregon se ai në mendjen e vet e ka të fiksuar se amerikanët, por dhe disa shtete të tjera perëndimore, nuk e kuptojnë mirë se si duhet vepruar me institucionet në Shqipëri. Dhe kësisoj, në vend që të ketë një reagim ndaj shqetësimit të tyre, ai ka një shpjegim se sa mirë po shkojnë punët, shpjegim që atyre nuk iu hyn në punë. Ky stil, domethënë sistemi i vetëvlerësimit që kryeministri, së paku vitin e fundit, e përdor rregullisht për çdo gjë, sa herë është në krizë, është acarues dhe i rëndon më tej gjërat. Mospërfillja e shqetësimeve është në njëfarë mënyre më e mirë sesa shpjegimi se ata që kritikojnë, nuk i kanë kuptuar mirë gjërat. Kështu i bie që Uashingtoni nuk e kupton mirë këtë punën e kthimit të gjashtë kandidaturave për në Gjykatë të Lartë në bllok, pasi ata nuk e kuptojnë se presidenti këtë e bëri pa pyetur kryeministrin. Dhe mesazhi që jep vota kundër në bllok, sipas Berishës, në Uashington nuk duhet lexuar si kundërvënie institucionesh, por si betejë normale mes institucioneve, paçka se nga gjashtë vetë, së paku një ose dy mund të ishin më të mirë se ndonjë nga këta të gjashtët e dytë, që u morën ca nga pularitë e ca nga rruga dhe u çuan në Gjykatën e Lartë. Sipas kryeministrit, Uashingtoni e ka kuptuar gabim faktin që zonja Topalli, pasi dëgjoi shqetësimet e Mediut në Kuvend për hetimin e Gërdecit, i hodhi shqetësimet e tij në letër dhe ia nisi si detyrë shtëpie Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Kjo, sipas tij, nuk është diktat mbi qeverinë, as përpjekje për të diktuar rrjedhën e hetimeve. Sipas kryeministrit, Uashingtoni e ka keqkuptuar nxitimin dhe përmbajtjen, me të cilat po bëhet ligji për Prokurorinë e Përgjithshme dhe është i gatshëm të rishikojë pagën e kryeprokurores, duke ia rritur, vetëm që ajo të mos ankohet për nenet e tjera. Sipas kryeministrit, Uashingtoni shqetësohet kot për misionin e OSBE në Tiranë, se ai është proces negociatash dhe qeveria shqiptare ka të drejtë ta prishë atë kontratë. Me këtë sistem vetëvlerësimi, kryeministri ka një vit që funksionon. Kush ka kujtesë, qoftë dhe të shkurtër, mund të kujtojë fjalimet e tij vetëlavdëruese, që “jam kryeministri më i mirë, ndaj më duan shqiptarët”, që mëshirëploti, nëse i jep 30 vjet jetë, aty do jetë për 30 vjet etj. Kjo simptomë e tij tashmë po institucionalizohet dhe në qëndrimet ndaj shqetësimeve ndërkombëtare. Ata kërkojnë shpjegime pse po deformohet sistemi i demokracisë në Shqipëri, ky u shpjegon atyre se nuk e kanë kuptuar si duhet demokracinë. Kjo tendencë po kthehet në dimension kryesor të mënyrës se si ai po funksionon dhe po merr përsipër gjithë këtë fushatë dëshpëruese për PD. Emrat e tjerë të shumicës, që mund t’i jepnin ngjyra debatit, janë mënjanë dhe nuk përzihen. Ministri i Jashtëm, që duhet të kishte rol kryesor në këtë debat, është zhdukur nga qarkullimi dhe ua pohon diplomatëve gjithë shqetësimet, ndryshe nga Berisha që ua hedh poshtë publikisht. Ministrja e Integrimit, e cila po ashtu duhet të thoshte ndonjë fjalë për punën e OSBE, duket e qetë dhe e ka angazhuar stafin të punojë në një suplement rozë të shtypit për ta larguar stresin që jep diplomacia. Zëvendëskryeministri Pollo, i cili ka fat, se, sa afrohet me Berishën, ndodh që ai prishet me Perëndimin, po fërkon duart që të bëjë atë që ka bërë më parë me Berishën, të jetë aty për t’ua pohuar atyre nën zë atë që thonë. Ministra të tjerë të qeverisë dhe drejtues të PD, që janë dakord gjithmonë me Berishën, natyrisht nuk kanë faj, se s’kanë të drejtë të mendojnë. Kështu që Berisha po e përballon i vetëm këtë krizë, me plot djem të kollarisur rrotull që bëjnë sikur s’dëgjojnë se ç’po ndodh. Nga Uashingtoni dhe disa kancelari evropiane po i thonë “kujdes, se nuk mund të jetë kryeministër i NATO-s një njeri që në Youtube ka dhjetëra video serioze me presidentin Bush dhe qindra video gazmore duke sharë nga motra një deputet”, kurse ai vazhdon të thotë se “miqtë po më shtohen nëpër botë”, a thua se ata e kanë fjalën për fansat e Youtube apo për Ali G-në (aktor komik britanik).

Ky qëndrim është problematik, pasi as amerikanët dhe as kancelaritë evropiane, të shqetësuara për këto çështje, nuk duan shpjegime për saktësinë e informacionit, se atë e kanë. Ato duan shpjegime se si do reagohet për të mos u përsëritur kjo situatë. Reagimi i kryeministrit u tregon atyre që në shtetin tonë ligjor dhe në mënyrën se si sillet pushteti me institucionet nuk ka asnjë gabim, përveç gabimit që diplomatët amerikanë dhe ata evropianë e kanë kuptuar gabim atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›