Antisemitizmi në Rajhun e Katërt
Padrejtësisë sociale që është kthyer në modë në Shqipërinë e sotme do t’i duhet medoemos një kolektor shkarkimi. Kjo padrejtësi është një gjiriz dhe llagëm monstruoz; ajo nuk ka nevojë vetëm për fjalën për t’u shkarkuar, asaj i duhet edhe veprimi. Veprimi duhet legjitimuar, dhe legjitimimi nënkupton një përpunim metikuloz dhe të përsëritur të opinionit publik. Ky përpunim duhet bërë sipas një kadence jo të rregullt; përndryshe opinioni publik shqiptar – edhe kësisoj boll i çartur – rrezikon të adaptohet dhe të humbasë ndjeshmërinë. Përpunimit i duhet një mjet dhe mjeti quhet mass-media; ka një gazetë dhe një televizion, ndërsa radioja nënkuptohet. Politikëbërësi flet për ‘hanxharë të medias’ dhe iu referohet të tjerave probleme; në fakt këto hanxharë kanë kohë që dhunojnë njerëz dhe persona që deri para pak kohësh, besonin se mund të ndreqnin diçka nga rrënoja njerëzore e sotme, të cilën e maskojnë idealisht pirgjet gjigande të betonit të cilin konstruktorët e shesin si elizirin e mpiksur të mirëqenies boshe.
Çdo gjë e ka një fillim, i cili duhet të jetë shumë më i thellë nga ç’duket me sy. Persekutorët e sotëm kanë një model, dhe modeli është i dalë mode, por prapëseprapë funksionon. Kanë edhe mekanizmat e aplikimit të persekutimit; mekanizmat janë të ndryshkur, por jo të këputur. Justifikimin e kanë me pash për sa kohë që e mbështetin atë mbi parime të thjeshta morale: t’i flasësh sot për moral shqiptarit të thjeshtë, është njësoj si t’iu shesësh me detyrim veprat e plota të diktatorit komunist. Persekutorët kanë një prapavijë, por prapavija është edhe paravijë, sepse ajo është politika vetë. Politika është më e mbrapshtë se dita të cilën e përmenda në fjalinë e parë të kësaj përsiatjeje, sepse politika është produkt i konstruktorit të betonit dhe hekurit të kontrabanduar dhe të rrezatuar. Politika ka përpunuar një opinion të çartur, dhe ka gjetur gjahun e pëlqyer. Viktor Hygo tek ‘Të mjerët’ thotë: “Në këtë botë ka dy qenie që rrëqethen thellë: nëna që gjen përsëri fëmijën e vet dhe tigri që gjen përsëri gjahun e vet”. Persekutorëve iu mungonte prej kohësh ky gjah sepse politika e derimëatëhershme dhe tranzicioni ua kishte hequr duarsh: nuk ka gjë më të poshtër se të merresh vetëm me xhepistë dhe skafistë, siç po ndodhte për një dekadë të tërë me sistemin e drejtësisë shqiptare. Intelektualët e fundit i kishte rrënuar, gjykuar dhe eleminuar një tjetër regjim, ai i shkuari; por fjala e ‘fundit’ edhe këtu e ka humbur kuptimin e saj, sepse populizmit i duhet medoemos të pështyjë mbi intelektualin. Politikës populiste të post-tranzicionit komunist i duhet të prodhojë antiintelektualizëm; dhe prodhon antimjekësi. Asaj i duhet të justifikojë varfërinë e tejskajshme të disa shtresave analfabete, dhe për këtë gjë i duhet një dash kurbani. Nuk mund të akuzohet më askush për varfërinë; përpos mjekut. Ai është përgjegjës për rastet e dhimbshme kur njerëz të këputur shesin bagëtinë dhe paguajnë për operacionin. Ky është në fakt, kulmi i vuajtjes së perceptueshme për një administratë shtetërore, e cila ndihet e pafuqishme përpara kësaj shtrese mjekësh makutë, të cilët jo thjesht pasurohen në sy të saj, por kanë krijuar në mënyrën më të paturpshme, edhe monopolin e shërim-mosshërimit; në një kohë që monopolet duhet t’iu përkasin të tjerave nivele. Tigri ka gjetur gjahun e tij, dhe jo më kot gjuetia e financuar nga shteti është me plot kuptimin e fjalës një gjueti shtrigash.
1. Gjuetia e shtrigave, antisemitizmi dhe antimjekësia
Po të kqyrësh me pak kujdes origjinalin e ‘Makbethit’ të Shekspirit, do të gjesh aty përshkrimin madhështor të aktivitetit profesional të shtrigave, të cilat po kryejnë një ‘punë që s’e ka një emër’. Përzierja shtrigane që ato po përgatisin në kazanin e magjisë, ka brenda përveç gjërave të tjera, edhe ‘liver of blaspheming jew’(2). Nëse ti përpiqesh të gjesh tek përkthimi i papërsëritshëm i Nolit termin ‘blasfemik’, e ke të kotë. Për arsye të panjohura për mua, Noli e përkthen pjesën: ‘thonj çifuti’. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndërrimin e organit ‘mëlçi’ me shtojcën ‘thua’; por për humbjen e epitetit ‘blasfemik’. Noli ka dashur me siguri që shqipja e shkruar të shmangë antisemitizmin e rrënjosur gjerësisht në Europë, dhe prirjet përgjithësisht prosemite të shqiptarit i kanë ardhur për shtat. Duke e zhveshur Shekspirin nga antisemitizmi – të cilit anglezi prapëseprapë i ngre një tjetër lapidar tek Tregtari i Venedikut – Noli ia dhuron blasfeminë shqipes së shkruar, dhe shenjon kësisoj edhe fatin e saj të largët.
E megjithatë antimjekësia e sotme i ngjason pikë për pikë një antisemitizmi të largët, të cilin persekutorët e paguar nga politika e sotme e kanë ngjyrosur dhe llangosur me një dozë konceptesh juridike, një pjesë e mirë e të cilave janë huazuar prej organizatave jo-qeveritare të cilat, duket mbrojtur të drejtat e njeriut, u kanë ofruar material të bollshëm shtypit të shkruar e të zhgarravitur për të pabërën që po ndodh me të sëmurin shqiptar. Mjeku ka një rrobë, e cila quhet përparëse – mund dhe mund të mos jetë domosdoshmërisht e bardhë – por prej profesioneve të tjera të mësuara në këmbë dhe në dorë, karriera e tij profesionale rëndom e kalon dhjetëvjeçarin kalendarik të shkollimit. Profesionet e tjera që kutërbojnë diletantizëm – në ballë të të cilave qëndron me medalje të artë politika – nuk e kanë rrobën e tyre; ka patur sigurisht veshje profesionale në mjediset e punës, por ato i përkisnin një njeriu të uniformuar prej regjimit totalitar. Një politikan i moshuar, prej idealistëve të fundit të shqiptarizmit të sotëm, guxoi në një rast t’iu drejtohej juristëve me kërkesën që ata të vishnin togat e zeza (sërish të zeza) përpara se t’i flisnin për drejtësi; ai përfundoi me arrest shtëpie. Këto toga të zeza, ashtu si edhe bluzat e nxira të mjekëve, të kujtojnë shprehjen e Musolinit: “Poshtë këmishës së zezë, mbaj të veshur këmishën e kuqe”.
Rroba është në fakt, elementi i parë i stigmës. Veshja e bardhë (apo e zbardhur) e bën lehtësisht të dukshëm për publikun, mjekun, infermieren dhe sanitaren, rroga e të cilës nuk i kaloi njëqind eurot edhe në ditën më të mirë të ekonomisë së tregut. Veshja e bardhë u kthye në element stigme; kur shtypi iu referohet përparëseve të bardha, ai po tregon vrasësin e sotëm dhe të ardhshëm; kur politika flet për këto përparëse, ato automatikisht janë nxirë. Kanë qenë çifutët ata të cilët Europa i ka treguar me gisht falë veshjes së tyre, të cilën veshje ata e ruajtën me kryeneçësi edhe në ditët kur Holokausti kishte arritur në zenit të tij.
Por shtrigat e Makbethit nuk e kanë patur një veshje të tyrën. Kanë patur, përkundrazi, një mjedis pune. Prej shekujsh mjekët janë konsideruar si persona gati-gati të mbinatyrshëm; në anglisht medicine man i referohet rëndom një xherahu a personi jo të shkolluar, por me aftësi shëruese. Këtë term, ekuivalent me Medizinmann të gjermanishtes, gjuhët latine e përkthejnë thjesht si ‘stregone’ dhe ‘mago’, dmth. shtrigan dhe magjistar. Këtupari ka diçka historikisht të vërtetë, e cila kërkon detyrimisht një shqyrtim të elementëve animistike dhe të magjisë, të cilat bestytnia popullore ua faturon rëndom xherahëve dhe mjekëve popullorë, thënë ndryshe të ashtuquajturve ‘njerëz të mirë’.
Në njërën prej eseve të tij të veprës ‘Totem dhe Tabu’, Sigmund Freud shkruan: “Ajo çka njeriu primitiv e shikonte si diçka të natyrshme, ishte zgjatja e pafundme e jetës – pavdekshmëria. Ideja e vdekjes u pranua vetëm më vonë, dhe me hezitim. Edhe për ne ajo mbetet e pakuptimtë dhe e pakapshme.(3)”
Funksioni i zgjatjes së pafundme të jetës në shoqërinë shqiptare të shekullit XXI i është lënë në dorë mjekëve. Ky funksion duhet përmbushur me çdo kusht, nëse mjeku nuk dëshiron që t’i nxihet bluza e bardhë; por ca më keq akoma nëse nuk dëshiron t’i nxihet ndonjë pjesë e trupit nga keqtrajtimet që i bëhen nga të katër anët, të porositura nga hanxharët e medias dhe të komisionuara nga politika. Për të zgjatur pafundësisht jetën atij i duhet të marrë mbi shpatulla barrën e magjisë dhe të lërë peng elementin racional të profesionit të tij. Magjia e mjekut shqiptar ka funksionuar deri në një farë pike të kohës, por si të gjitha magjitë, efektet e saj ndihen vetëm brenda një territori të caktuar. Jo më kot njeriu primitiv ndërsa realizonte magjinë, shënonte edhe vendin ku efekti i saj ishte i prekshëm dhe i dukshëm: jashtë këtyre kufinjve, magjia humbet fuqinë e saj.
Magjia e mjekut shqiptar u prish ditën që u prish edhe territori ku ajo po zhvillohej. Si një qenie racionale, mjeku kishte ofruar shërim – jo pavdekshmëri – brenda territorit të shenjuar prej tij dhe të njohur edhe zyrtarisht si vend të magjishëm: ky territor ishte spitali. Spitali u prish; dhe magjia u zhbë. Nuk është ky çasti i përshtatshëm për të sqaruar si dhe qysh u prish (dmth. u rrënua) ky spital; diskutimit mund t’i rikthehemi pak më poshtë. E rëndësishme është që mjeku nuk mund të ofrojë më shërim, prej momentit që territori i shënuar për magjinë mjekësore u kalb, u përmor dhe u dhunua. Që prej asaj dite ky magjistar i falimentuar pësoi fatin e të gjithë simboleve totemike të cilët nuk e mbrojtën me efikasitet tribúnë e tyre: ai u mallkua dhe u godit.
Klinika e vogël ambulatore është elementi i dytë i stigmës që rëndon mbi mjekun e sotëm. Mjeku njihet prej rrobës; por edhe prej klinikës të cilën, duke e ngritur me mundim, morën përsipër t’ia taksonin dhe tatonin si biznes të madh. Këtu sërish nuk bëhet kurrsesi fjalë për barrën financiare; po të kufizohej vetëm në terma financiare, ky sulm do t’i kishte përngjasuar një ledhatimi. Klinika e vogël i ngjason pikë për pikë dyqanit të vogël të çifutit në Europën antisemite të para Luftës II Botërore: ajo klinikë është vendi ku shqiptari i varfër po humbet kursimet e tij të fundit, po humbet edhe ato të holla të pakta që i mbetën pas katastrofës së firmave piramidale.
Klinika dhe përparësja e bardhë janë dy elementë që e ndajnë mjekun nga pjesa tjetër e popullatës. Hebrenjtë kishin një veshje origjinale; dhe një dyqan të vogël. Mjaft mjekë i kanë që të dyja këto, dhe po t’i shtosh këtyre elementëve edhe faktin që shkollimi i mjekut është më i gjati ndër të gjitha profesionet, atëherë e gjitha kjo del e tepron që ai të tregohet me gisht. Ajo çka Benigni ilustron bukur tek ‘Jeta është e bukur’, kur tregon për një dyqan mbi të cilin ishte vënë me detyrim mbishkrimi: ‘negozio ebreo’(4), po ndodh praktikisht edhe mbi klinikat e vogla mjekësore, të cilat tregohen nga larg si vendet ku rripen dhe vriten qeniet e pambrojtura.
Ka edhe më: ekziston edhe një element i tretë stigme, por ai ka të bëjë ngushtësisht me mënyrën sesi perceptohet mjeku, ky çifut i një vendi prosemit. Vaktësisë fillestare shpirtërore që shoqëronte pagesën që rëndom i bëhej mjekut në regjimin e shkuar, dhe që përgjithësisht nënkuptonte shkëmbim në natyrë të favorit dhe përkujdesjes, bie fjala, përmes therjes dhe dhurimit të ndonjë kafshe shtëpie për sa kohë që i zoti i kësaj shtëpie nuk rrezikonte të vdiste urie; e pra kësaj vaktësie i ka ardhur fundi. Ditën kur mjeku filloi të kërkonte nga shteti ajo çka nuk po i jepej me një këmbëngulje prej gjigandi, dmth. shpërblimin në të holla për punën e tij masakruese, ky mjek u tregua sërish me gisht; i rrudhur në fytyrë ai u kandis të pranonte çka po i dhurohej në mënyrë përçudnuese ‘me dëshirë’ prej të sëmurit, por sërish u akuzua për mitmarrje. Në një shoqëri të kapitalizuar brenda mesnatës, ai mbeti çuditërisht pa një pikë referimi, pa një vend dinjitoz pune dhe ca më keq, nuk meritonte më të quhej as nëpunës i shtetit, por thjesht shërbëtor i nënshtetasve. Kërkesa e mjekut për t’u shpërblyer sipas punës dhe meritës u trajtua nga popullata dhe politika e votuar prej saj ashtu siç perëndimi ka trajtuar hebrenjtë prej kahere. E në fakt, antisemitizmi si model persekutimi, përpos tragjedi-komedive shekspiriane, mund të përmblidhet në dy rreshta edhe tek fjalitë e filozofit të cilin komunizmi zyrtar nuk e pranoi kurrë që të ishte antisemit: Marksit. Tek “Zur Judenfrage”(5) ai shkruan: “Cili është kulti shekullar i hebrenjve? Tregtia dhe tara-marat. Cili është Hyji i tyre mbi këtë tokë? Paraja.”
Duke e akuzuar mjekun si të etur për para, dhe duke i numëruar atij paratë e fituara lart-e-poshtë, shoqëria pa moral e ditës së sotme ia ka arritur më së fundi ta vërë atë me shpatulla për muri. Shumë kohë përpara se një kirurg i njohur në Tiranë të goditej me thikë pas shpine nga një familjar i një të sëmuri – me shumë gjasa keqbërësi ishte i sëmurë mendor – mjekësisë shqiptare i nguli thikën pas shpine politika, dhe sidomos politika liberale e post-tranzicionit. Një hall më shumë dhe një brengë shtesë për shqiptarin i cili besonte në shërimin tek politika, por prapëseprapë e kërkonte atë dhunshëm tek mjeku.
2. Karizma, populizmi dhe eye-to-eye contact
Ekziston diçka për të cilën politikanët e sotëm e kanë zili mjekun: ai është kontakti eye-to-eye(6).
Mund të kesh karizëm politike dhe të jesh populist; mund edhe që të ngresh peshë masat e gjera me budallallëqet e pafundme që je duke thënë në ngërdheshje e sipër. Veçse që të gjitha këto gjëra politikani i sotëm i bën nga podiumet dhe i rrethuar prej truprojave; jo rrallë madje edhe dy-tre radhët e para të mitingjeve janë të mbushura me ithtarë të cilët i ngjiten pas kortezhit të tij si metamerët e fundit të një shumëkëmbëshi. Politikani në fakt, nuk e ka shikuar kurrë në sy njeriun: edhe në rastet e rralla kur i afrohet dhe i shtrëngon dorën, ai i ka sytë tek kamera televizive. Mungesa e kontaktit sy-më-sy e përafron këtë politikan me personin që vuan nga autizmi; por ndryshe prej autikut politikani i sotëm i përket ekstremit tjetër të fjalës së folur. Autiku hesht; politikani nuk hesht kurrë. Ka autoritet, por autoriteti i politikanit në post-tranzicionin komunisto-totalitar është një histori krejtësisht më vete.
Autoriteti i politikanit të shoqërisë shqiptare dhe asaj post-totalitare në përgjithësi është i dyshimtë; por jo për shkak të dosjes që ai pretendohet të ketë në arkivat e mykur të sigurimit të shtetit. Siç pohon Jiri Melich në punimin e tij(7), ka ‘një konfuzion lidhur me autoritetin, siç edhe ka një dëshirë për një shtet paternalist’. Njeriu i thjeshtë nga fundi i sallës apo fushës ku zhvillohet mitingu tenton të kuptojë shikimin e politikanit; por ky i fundit preferon të çlodhë syrin dhe e ngul vështrimin në linjën e horizontit. Duke mos u shikuar kurrë sy-më-sy, të dy këto qenie kanë krijuar perceptim të gabuar për njëri-tjetrin. Politikani mendon se do ta gjejë shikimin e njeriut të mjerë në vijën ku bashkohet fundi i tokës me horizontin, ose në qiell. Fjalët që Hamleti i thotë Horatit sigurisht që mund ta ilustrojnë fare mirë filozofinë e kësaj politike: ‘There are more things in heaven and earth, Horatio,/ Than are dreamt of in your philosophy’(8).
Njeriu i thjeshtë nuk e ka parë horizontin; ai ngulmon kah shikimi sy-më-sy. Politikani dhe nëpunësi i administratës nuk e kanë shikuar kurrë sy-më-sy; përndryshe ai do ta kishte kuptuar në çast mashtrimin e rëndë që fshihet pas këtyre mendjeve të sëmura. I mëkuar dikur me komunizëm ky njeri mendon se pas politikanit të sotëm qëndron shteti amë, që kujdeset për të gjitha, që siguron shtëpinë ashtu siç siguron edhe internimin, që siguron qetësinë ashtu siç siguron edhe persekutimin, që siguron shërimin ashtu siç siguron edhe funeralin: shkurt, një shtet që mendon për të gjitha, dhe një politikan që e trupëzon materialisht këtë nocion. I zhgënjyer në kulm, ky njeri i thjeshtë kuptoi që politikani i post-komunizmit është një batakçi dhe rrugaç që shan, shfryn edhe vjedh njëzet e pesë orë në ditë. Dhe që nuk ka për ta parë atë kurrë sy-më-sy. Në të gjitha rastet kur politikani ka premtuar një spital të ri dhe ka përuruar fillimin e punimeve të tij, ai ka jetuar me delirin e ripërsëritjes së thënies Fiat Lux(9), pa e kuptuar kurrë se mjekësia nuk është thjesht dhe vetëm llaç, tulla dhe katrama.
Mjeku e ka shikuar sy-më-sy njeriun; përndryshe profesioni i tij nuk do të ekzistonte më. Sa herë ka dashur të qetësojë dhimbjen, ai ka shikuar bebet e syrit të të sëmurit. Këtë gjë e ka bërë edhe kur ka dyshuar për helmim; edhe kur ka vizituar një komatoz. E ka bërë këtë gjë edhe kur ka marrë rryshfetin, duke u përpjekur të kuptojë se mos pas atij leku që fare mirë mund të merrej me rrugë të tjera – përmes siguracioneve bie fjala – dhe pas zgjatjes së dorës paguese, po qëndronte një mallkim i fshehtë që nuk do ta linte t’i gëzonte ato lekë. Ky mjek e ka shikuar në sy të sëmurin edhe kur i ka thënë se ilaçet duheshin blerë gjetkë, sepse spitali nuk kishte; siç nuk kishte çarçafë, ujë të rrjedhshëm dhe sapun. Pas çdo pohimi të tijin dhe rënkimi të njeriut që qëndronte përballë me mjekun, ky i fundit e ka kuptuar se mallkimi që kishte rënë mbi mjekësinë dhe spitalin shqiptar, vinte prej tjetërkund.
3. Perceptimi i gabuar, monopoli i shërimit dhe era e spitaleve
Antisemitizmi është bazuar mbi një perceptim të gabuar, dhe kjo gjë pohohet gjerësisht nga filozofë të shquar, si Horkheimer, Adorno e të tjerë. Antimjekësia e sotme ca më shumë: në një masë akoma më të gjerë, edhe pse kundërveprimet janë shumë më pak të dhunshme se ato që u aplikuan mbi hebrenjtë. Këtu nuk bëhet fjalë për rrënimin fizik të strukturave mjekësore dhe njerëzve që punonin ndër to. Situata e perceptimit të gabuar lidhet me faktin se mjeku në popull zakonisht konsiderohet si sjellës i fatkeqësisë, dhe shkaktar i sëmundjes. Rolet janë përmbysur tërësisht; rasti i mjekut nga Hasi që u masakrua prej familjarëve të një të vdekuri, të cilët akuzonin mjekun për vdekjen, tregon se deri në cilin rreth të ferrit dantesk shoqëria e sotme shqiptare po përpiqet ta shtyjë mjekun në mënyrë të pakthyeshme.
Kjo shoqëri është e sëmurë; por edhe kjo dukuri nuk është tipikisht shqiptare: ajo ka bashkëshoqëruar tranzicionin edhe në vendet e tjera europianolindore: psikiatri Hans-Joachim Maaz nga ish-RDGJ-ja e ka përshkruar këtë fenomenologji në detaje(10). Pa u zgjatur mbi fenomene të tjera sociale, dhe duke u përqëndruar mbi qëndrimin e kësaj shoqërie ndaj sëmundjes si pjesë e jetës, do të shikojmë se shqiptari i sotëm ka një perceptim të shtrembëruar mbi sëmundjen dhe shërimin, perceptim që i përngjason shumë periudhës kur njeriu i referohej perëndive ktonike, atyre të lidhura me tokën. Mjeku është sjellësi i fatkeqësisë, sepse fatkeqësia është dhuratë që vjen prej tjetërkujt në formë mallkimi, dhe përderisa mjeku ka potencialin për të shëruar këtë fatkeqësi – dhe nuk e bën sistematikisht këtë gjë – përse vallë të mos jetë ai vetë sjellësi i kësaj fatkeqësie? Kush zotëron monopolin e shërimit, nëse nuk paguhet deri sa të ngopet dhe këtë pagesë ta marrë kryesisht prej shtresave të varfëra, a nuk ka gjasa që të kontrollojë edhe mosshërimin? A e ka thënia ‘të rëntë kanceri’ një ekuivalent të sajin në gjuhët e tjera? Nëse ne nuk i referohemi perëndive ktonike(11), përse vallë lokucioni ‘e treti dheu’ është kaq i përdorshëm sot e kësaj dite në shqipen e folur?
Bindja patologjike se kanceri mund t’i jepet dikujt përmes mallkimit; dhe se jeta e përtejme do të thotë tretje në dhé e jo ngjitje në qiell (për besimtarët, të merremi vesh), të gjitha këto dëshmojnë një lidhje pashmangshmërisht antike me tokën dhe me perënditë ktonike, të konceptit të shqiptarit mbi jetën, sëmundjen dhe vdekjen. Populli që harroi të punonte tokën e tij të kujton fisin e lotofagëve të eposit homerik, i cili jetonte duke u ushqyer me lule lotusi të cilat gjendeshin lirisht nëpër fusha, dhe që provokonin limontinë dhe harresën. Në vend të lotusit shqiptari i sotëm mbledh skrap, në Gërdec dhe gjetkë. Dhe për mjekun, sjellësin e fatkeqësisë, në mënyrë të përsëritur dhe me zemëratë, është thënë: ‘mjekut ia mbulon dheu gabimet’. Ato gabime, të cilat mori përsipër t’i zhvarrosë shtypi i lirë; dhe jo vetëm ai.
Por perceptimi i gabuar nuk është thjesht çështje interpretimi: mjeku konsiderohet si sjellës i fatkeqësisë, dhe ky proces apo kjo konsideratë nuk është puro shqisore. Akoma më serioz është fakti që ky perceptim i gabuar bazohet edhe mbi një tjetër element, dhe këtë herë ai është shqisor; andaj edhe më i vështirë për t’u ndryshuar a përmbysur. Ka një ndryshim kategorik midis thënies ‘e vdiq mjeku’, dhe pohimit racional ‘mjekët nuk e shpëtuan dot’; i pari fajëson dhe dënon duke e projektuar psikologjikisht problemin në mënyrë të mbrapshtë, pohimi i dytë e konsideron vdekjen pjesë të pashmangshme të jetës tokësore.
Në rast se ke fatkeqësinë të vizitosh dhe të shtrohesh në njërin prej spitaleve të sotme, atëherë mbi shtratin ku do të dergjesh bën mirë të shkruash fjalët: “Lasciate ogne speranza, voi ch'intrate'”(12). Rrënimi fizik e ka kaluar cakun e përshkrueshmërisë nëpërmjet grafemave; ndoshta ai mund të fotografohet, por jo të përshkruhet. Pretendimet e politikës, të formuluara jo zyrtarisht, mbështeten mbi faktin që mjekësia sot nuk përbën prioritet. Popullata shqiptare e sotme ka një moshë mesatare mjaft të re; rrjedhimisht sipas statisticienëve gjakftohtë, do të sëmuret pak dhe rrallë. ǒi duhen spitalet?
Kjo popullatë mund të jetë – siç rezulton – efektivisht e re, por përsa kohë që ne jemi produkt i kujtimeve tona, ajo është duke kaluar deri në moshën e rritur pa patur kurrë mundësinë që të vizitonte një spital që ta meritonte këtë emër. E cili nga ne nuk mban mend urgjencat e dikurshme kirurgjikale, që kundërmonin jod dhe ajatinë; erën karakteristike të dizinfektantëve, rrobën vërtet të bardhë të kirurgut të urgjencës dhe autoklavët që në tërë varfërinë e tyre, sterilizonin materialet e punës, shumica e të cilave ishin dhuratë e qeverisë kineze?
Po të përpiqesh të takosh një punonjës reanimacioni i cili do ta ketë këtë erë karakteristike, e ke të kotë: antiseptika nuk ka më asnjë gjasë të funksionojë, përderisa familjarët e qajnë të sëmurin këmbëkryq brenda reanimacioneve, pasi kanë rrëkëllyer alkoolin e bollshëm që ofrohet në mejhanet rrotull dhe brenda spitaleve. Ata sigurisht që do ta perceptojnë realitetin falë shqisave, sado të pirë të jenë; prania e mjekut mund t’i sugjerohej duke nuhatur një rrobë të hekurosur dhe sterile, por të këtilla nuk ka më. Ditën që ky mjek humbi erën karakteristike, u përmbys përfundimisht edhe perceptimi mbi të.
...................................................
I katandisur brenda një mjedisi të tillë pune dhe i rrethuar nga një armiqësi e pafundme, profesioni mjekësor në ditën e sotme bart mbi shpatullat e tij një risk të lartë. Damkosur me vulën e mafiozit, edhe unë për një çast imagjinova një mjek kirurg i cili po dilte nga spitali me çantën e tij të mbushur plot me lekë dhe, ç’është më interesantja, edhe me organe – mëlçi, shpretka, por sidomos veshka – ashtu siç vjen furnitori në një restorant lagjeje; me këtë ngarkesë kontrabandë ai po shkon të bëjë biznes në Malajzi dhe Spanjë. Kush e ka minimumin e njohurive mbi transplantin e organeve, e di fare mirë se ç’do të thotë të sigurosh kushtet e ruajtjes së një organi për ta transplantuar; dhe ta transportosh atë deri në fund të botës, aty ku kanë shumë nevojë për veshkat e shqiptarëve, qofshin edhe ato të mbushura me gurë. Me shpresën sublime se mjekësia shqiptare do ta mbërrinte më së fundi ditën e bekuar, kur të realizonte të parin transplant të veshkave, unë dhe shumë të tjerë morëm vesh se këto dhe organe të tjera ishin vjedhur rëndom prej kirurgëve, dhe ishin transportuar me anije të tonazhit të rëndë deri përtej oqeaneve. Persekutorit të sotëm që kërkon të shesë në treg histori të tilla, dhe mbi bazën e tyre të formulojë ankesa, të artikulojë klithma dhe të prodhojë shpifje, do t’i kujtoja thënien e vjetër latine: ‘mutato nomine, de te fabula narratur’(13).
Shënime
1) Fernando Pessoa, Libri i shqetësimit të ndihmësqatipit Bernando Soarez.
2) Mëlçi çifuti blasfemik.
3) Tek ‘Totem dhe tabu’, shtëpia botuese Dituria, Tiranë 2003. Eseja Animizmi, magjia dhe plotfuqishmëria e mendimit.
4) Dyqan çifut.
5) Mbi çështjen e hebrenjve, 1843. Tek veprat, MEW, vëll. I, fq. 373.
6) Sy-më-sy
7) ‘Të menduarit në post-komunizëm: fenomen vërtet real?’ Jiri Melich, Universiteti i Otavës, 1996.
8) Hamleti, akti I, skena V. “Në tok’ e qiell, Horat, më tepër gjëra ka / Se ç’ëndërron filozofia jote” (përkthim i Nolit).
9) ‘Të bëhet dritë!’ Bibla, Zanafilla 1:3.
10) Hans-Joachim Maaz, ‘Behind the Wall: the inner life of communist Germany’. (New York: Norton, 1995), sidomos fq. 69-82.
11) Ktonik, që ka të bëjë me botën nëntokësore, infernale, të skëterrës. (nga greqishtja chthon- tokë).
12) Dante, Komedia Hyjnore, Ferri, kënga III. “Lini çdo shpresë, ju që hyni këtu brenda”.
13) Horaci, satirat, libri I. ‘Ti ke ndryshuar emrin, por për ty flet përralla’