Gruevski vendos shqipen në faqet e ministrive
Qeveria e Maqedonisë, në një nga mbledhjet e fundit, ka vendosur që të gjitha faqet zyrtare të institucioneve qeveritare, duke nisur nga faqja zyrtare e qeverisë, do të kenë edhe versionin e gjuhës shqipe. Kjo nismë ka ardhur pas kërkesës së ministrave shqiptarë, se po pengohet e drejta e komunikimit mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Ministria e Informatave dhe shërbimi për informim i qeverisë është obliguar që të përgatisë një listë me institucionet dhe ministritë, të cilët do të duhet të përmbushin kushtin dhe të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase dhe asaj angleze. Mirëpo, deri tani, një pjesë e ministrive dhe disa drejtorive janë edhe në gjuhën shqipe, sidomos atje ku ministrat apo udhëheqësit janë kuadro shqiptare. Zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku, ka nënvizuar se është sjellë konkluzion se cilat ministri dhe institucione deri tani nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Detyrimi që në të ardhmen të jenë faqet e internetit edhe në shqip ka të bëjë me të gjitha institucionet”, ka theksuar Duraku.
Problemi i komunikimit elektronik edhe kohë më parë ishte ngritur si çështje debati, mirëpo nuk pasoi asnjë zgjidhje nga organet qeveritare. Edhe Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, nuk e ka respektuar gjuhën shqipe, duke mos e vendosur në faqen zyrtare të internetit. Ndërkaq, në sheshin e Shkupit, dje në mëngjes u vendos statuja e një heroi maqedonas, Metodija Andonov çento, që është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Edhe një statujë e re është vendosur në sheshin “Maqedonia”, duke përmbushur gradualisht projektin “Shkupi 2014”. çento është një nga kryetarët e parë të presidiumit të ASNOM në Maqedoni. Statuja është e lartë pesë metra. Transporti dhe kryerja e punimeve për vendosjen e saj është bërë gjatë orëve të para të mëngjesit. Para një muaji janë vendosur edhe dy statuja të tjera gjigande në hyrjen e Urës së Gurit. Në kuadër të projektit “Shkupi 2014” është paraparë vendosja e rreth 20 statujave, një pjesë e të cilëve do të jenë të figurave historike shqiptare.
#