Ndodh edhe kështu kur bën martesë me mblesëri
Dy të rinj të dashuruar janë dënuar me 10 vite burg në total pasi tentuan të vrasin bashkëshortin e vajzës. Një histori e denjë për telenovela është mbyllur me dënimin e vajzës me 4 vjet burg dhe të dashurit të saj me 6 vjet burg.
Historia
Ka ndodhur gjithçka kur prindërit vendosën të martojnë me mblesëri Klodeta Metkolën me E.L. I dashuri i Klodetës, Lulzim Meta, 27 vjeç, nuk e ka duruar dot faktin se ai i mori të dashurën. Këtu nis një kalvar vuajtjesh për E.L. Fillimisht në telefonin e tij vërshojnë me dhjetëra kërcënime, duke i kërkuar që të divorcohet nga e shoqja. Më pas, në derën e apartamentit të tij, ai gjen të shkruar: Do të të djegim, e ke nga shoferat. Por pasi E.L nuk u zmbraps nga kërcënimet verbale, të dashuruarit vendosën të vënë në jetën planin tjetër, atë e eliminimit fizik të E.L. Lulzimi bleu eksplozivin dhe Klodeta i dha atij çelësin e makinës të të shoqit, që ta vendoste lëndën shpërthyese. Por E.L arriti të pikasë lëndën shpërthyese, rreth 500 gram, pa hipur në makinë, duke i shpëtuar vdekjes. Pasi kjo skemë nuk funksionoi, atëherë të dashuruarit vendosën të fusin tritol në lavatriçe. Në momentin kur E.L hyri në apartament, pa që ishte ulur automati. Shkoi për ta ngritur dhe lënda eksplozive shpërtheu, por ai për fat të mirë nuk u dëmtua. Pak ditë më vonë në derën e apartamentit gjeti të shkruar sërish me bojë të zezë Do të të vras o TRAP. Këtu kupa u mbush. Një grua e tillë nuk i duhej gjë. E.L ngriti padi në prokurori, e cila nuk e pati të vështirë të provojë akuzat.