Dy vrasje për hakmarrje dhe dy akuza të forta ndaj shtetit
Vrasjet për gjakmarrje dhe hakmarrje po tronditin së fundmi Shqipërinë e drobitur, ndërkohë që për dy prej tyre vijnë akuza të forta për neglizhencën e shtetit.
Të premten e shkuar u vranë dy vëllezër në Pukë, për një konflikt që mund të ishte zgjidhur me kohë. Vëllai i vogël i dy viktimave, Bardhok Markaj, duke folur për GSH, akuzon policinë se nuk ka bërë asgjë për të shuar konfliktin me fisin Përmarkaj, edhe pse ishin në dijeni. Por shefi i komisariatit, Ritvan Bushati, thotë se policia i ka kryer veprimet e saj, duke ia dërguar prokurorisë çështjen, por ka qenë ajo e fundit që ka vendosur të mos fillojë procedimin.
Ndërkohë, një tjetër vrasje tronditi Tiranën më 27 qershor. Bledar Balliu u ekzekutua në mënyrë mafioze, ndërkohë që vrasësit nuk janë kapur ende.
Por nëna e fierakut Bledar Balliu, Maria, duke folur për gazetën Shqip, thotë se shteti me paaftësinë e tij bëri që ata të bëhen hasm me familjen e Aleksandër Koliçit.
Si është historia?
Aleksandër Koliçi u ekzekutua thuajse në atë vend që ishte vrarë edhe Bledar Balliu. Të dy ishin arrestuar e dënuar në kuadër të një operacioni të fuqishëm anti- drogë. Pas vrasjes së Koliçit, policia arrestoi Balliun për këtë vrasje, por më pas e la të lirë. Tani nëna e Bledarit thotë se policia me paaftësinë e saj, arrestoi Bledarin për vrasjen e Koliçit, duke i vënë kështu damkën si vrasës, edhe pse ai nuk kishte pse e vriste Koliçin. Balliu u lirua nga akuzat pwr vrasjen e Koliccit, por pas pak kohësh u ekzekutua. Nëna e Balliut thotë se dy familjet kanë qenë fqinje dhe miq të mirë. Edhe Bledari e Aleksandri kanë qenë shokë. Por tani janë në hasmëri. Maria thotë se Bledari nuk kishte pse e vriste Aleksandrin dhe më pas të qëndronte në Tiranë me duar në xhepa.