E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dërgon 120 ushtarë të tjerë në Irak



Qeveria shqiptare ka nisur dje një tjetër kontingjent paqeruajtës në Irak. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar ceremonia e përcjelljes së 120 ushtarëve të tjerë drejt Irakut. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes, Oketa, zëvendësambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Kristina, dhe drejtues të lartë të Ushtrisë shqiptare. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Berisha u shpreh se kontingjentet paqeruajtëse janë shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm e cilësor në realizimin e njërit prej 2 projekteve më të mëdha të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin e vendit në NATO. Berisha gjithashtu vlerësoi se përmes këtij misioni të ri, konsolidohet tradita më e shkëlqyer e Ushtrisë shqiptare, ajo e kontributit për paqen dhe stabilitetin në Europë dhe në botë. Ndërsa zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stive Kristina, vlerësoi se forcat shqiptare kanë treguar se dinë të shërbejnë me trimëri dhe profesionalizëm përgjatë gjithë misioneve të nisura drejt Irakut. “Gatishmëria e Shqipërisë për të kontribuar në misionet paqeruajtës demonstron përkushtimin e saj për anëtarësimin në NATO dhe integrimin euroatlantik”, - është shprehur Kristina. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Oketa, i inkurajoi ushtarakët shqiptarë për një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në misionin e lirisë së Irakut, si vazhdimësi e kontributit shumë të vlerësuar të 11 kontingjenteve paraardhëse në këtë vend.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›