E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Na duhet një “precedent anglez” për marrëveshjet politikeNga TemaZoti Ndoka, tri ditë më parë është firmosur pakti bashkëqeverisës për katër vitet e ardhshme. Ndërkohë, sipas marrëveshjes, LSI do të ketë 20% të posteve në bashkëqeverisjen me P

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ndoka: Na duhet një “precedent anglez” për marrëveshjet politikeNga Tema

Zoti Ndoka, tri ditë më parë është firmosur pakti bashkëqeverisës për katër vitet e ardhshme. Ndërkohë, sipas marrëveshjes, LSI do të ketë 20% të posteve në bashkëqeverisjen me PD. Me pak fjalë, pritet vetëm zyrtarizimi i qeverisë së re. Cili është opinioni juaj për këtë marrëveshje?

Koalicioni i sotëm është një produkt i Kodit Zgjedhor, pra i ndërtuar kryesisht tek interesat e ngushta partiake, jashtë programeve dhe interesave të vendit. LSI ka humbur shkëlqimin e vet dhe orientimin politik, PD ka qenë dhe mbetet një parti pa principe të qarta demokratike. Në shumicën e rasteve PD është mbështetur tek interesat e ngushta të lidershipit të saj për të sunduar vendin, dhe jo për ta qeverisur atë. Koalicioni PD-LSI është një rrezik real për integrimin tonë në strukturat evropiane, askush nuk njeh dhe pranon institucione që dalin nga vjedhjet e votave. Ndërkombëtarët dhe shqiptarët e kanë të qartë se çfarë ndodhi më 28 qershor, do të dëshiroja shumë që Meta mos ta ketë harruar një gjë të tillë. Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për të qeverisur vendin nga një mazhorancë, që do dalë nga votat e qytetarëve dhe jo nga vjedhja e tyre e nga pazaret politike.

Z. Meta ka deklaruar se do të jetë në koalicion me Berishën deri në 2013 dhe ndoshta më tej. Sa kohë i jepni koalicionit qeverisës? Mendoni se do të ketë mosmarrëveshje?

Meta është një politikan i paparashikueshëm, ai është larguar disa herë nga postet qeverisëse, edhe nga kryeministër. Unë kam besim se z. Meta nuk do të shkelë mbi disa parime të rëndësishme demokratike, pavarësisht se është i dënuar dhe i detyruar të qeverisë me z. Berisha dhe PD. Berisha është në kufijtë e nevojës dhe domosdoshmërisë së numrave për LSI, ai ka treguar se, kur ka nevojë, nuk njeh parim dhe as normë demokratike. Mosmarrëveshjet do të lindin nga ngjarjet dhe pazaret politike, nuk besoj se do të jetojnë gjatë dy njerëz me tipare dhe bindje të ndryshme politike.

PDK u nda nga koalicioni qeverisës duke u bashkuar me një koalicion tjetër, i quajtur “Poli i Lirisë”, i cili nuk pati rezultatet e pritura në zgjedhje. Çfarë fitoi PDK në këtë mes?

PD dhe z. Berisha prishën në mënyrë të njëanshme bashkëqeverisjen me Partinë Demokristiane, pa dhënë asnjë arsye dhe pa asnjë lloj shkaku të bërë publik. Në Angli p.sh., kur prish një marrëveshje, të vrasin, kjo sipas precedentit të ndodhur vite me parë, jo sot. Në Shqipëri prishen marrëveshjet politike sipas orekseve dhe interesave të momentit, për arsye se nuk kemi një klasë politike të moralshme dhe nuk kemi një “precedent anglez”.

PDK në këto zgjedhje fitoi pavarësinë e vet politike dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Lidershipi i PD u përpoq për muaj me radhë t’i emërojë kryetarin PDK nëpërmjet gjykatave, por nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë. Vendimin për t’u bashkuar me “Polin e Lirisë” e morëm me vetëdije të plotë politike dhe sot e vlerësojmë si zgjidhjen më të mirë, pavarësisht se PD dhe shteti na luftuan në mënyrën më të ashpër të mundshme gjatë fushatës elektorale, duke vjedhur edhe votat e qytetarëve shqiptarë. Ne kemi marrë nga KQZ të gjitha filmimet e numërimit të votave për qarkun e Shkodrës, të cilat po i kontrollojmë me vëmendje dhe përgjegjësi. Jemi në fazën e fillimit, ku vërehet një vjedhje e qartë e votave të PDK, por edhe subjekteve të tjera politike. PDK, me të përfunduar procesin e kontrollit filmik, do t’i dërgojë në prokurori të gjitha provat dhe do të informojë Presidentin e Republikës dhe institucionet ndërkombëtare për vjedhjet e votave të zgjedhësve shqiptarë, tashmë të faktuara.

Para pak ditësh kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku i adresonte kreut të opozitës fajin, në rast se do të shtyhej liberalizimi i vizave....

Berisha e ka të qartë se askush nuk do t’i njohë institucionet që dalin nga një votë e vjedhur dhe e deformuar. Z. Berisha ka protestuar në rrugë, ka bojkotuar për vite parlamentin, pikërisht për vjedhjen e votës. Në këto kushte ku ndodhet sot qeverisja aktuale dhe ajo që do të dalë nga parlamenti i deformuar, do të kenë pengesa serioze për liberalizimin e vizave, dhe Berisha e di shumë mirë një gjë të tillë. Fajtori i madh është vetë z. Berisha, kryesisht për ideimin dhe realizimin e një maskarade zgjedhore, ku për fatin e keq të vendit mori pjesë edhe opozita. Shqipëria do të jetë e dënuar të durojë sanksione të rënda, derisa vendi të qeveriset nga një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira.

Këtë vit jeni jashtë parlamentit, çfarë do të bëni?

Politika nuk zhvillohet vetëm në parlament, madje besoj se ky parlament është kthyer në një garnizon ushtarak, që siç duken gjasat do të ketë vetëm një togë, se pjesa tjetër do jetë në bojkot. Parlamenti ka humbur pluralizmin politik, ka humbur debatin, ka humbur alternativat, ka humbur ngjyrat, ka humbur shkëlqimin e tij dhe është kthyer vite prapa duke u krahasuar me Kuvendin Popullor të Haxhi Lleshit. Tashme kemi vetëm dy ngjyra politike, të zezë dhe gri. Në këto kushte ne jemi të obliguar të marrim pjesë aktive në të gjitha hapësirat e mundshme për të shpalosur alternativën kristiane, për të thënë fjalën tonë për qeverisjen e vendit dhe për çdo gjë që ne mendojmë dhe gjykojmë që nuk shkon mirë. Liria për t’i thënë këto nuk mungon, pavarësisht nga rrethimi mediatik dhe mungesa e alternativës kristiane në Kuvend. Ne do të vazhdojmë të jemi një alternativë serioze, evropiane, me prezencën tonë në të gjitha zhvillimet dhe ngjarjet politike në vend. Jemi të vendosur të marrim pjesë në çdo lëvizje serioze për rikthimin e besimit dhe votës së lirë në Shqipëri, të bindur se kjo është ajo që sot kërkohet nga të gjithë. Pa paqe politike, pa institucione legjitime vendi do vazhdojë agoninë e vet, që shpresojmë mos të jetë e gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›