Ndoka: Ndryshimet në Kushtetutë të njëkohëshme me ndryshimet në kod
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, vlerësoi dje se ndryshimet në Kushtetutë duhet të bëhen njëkohësisht me ndryshimet në kodin zgjedhor, në mënyrë që të realizohet një reformë zgjedhore e pranueshme nga të gjithë. Në kuadër të diskutimeve për reformën zgjedhore, Ndoka tha se parimisht mbështet ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, por kërkon që ato të jenë të njëhershme edhe në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që reforma të jetë transparente dhe e pranueshme nga të gjitha palët. Duke ripërsëritur vullnetin e PDK-së për të realizuar një reformë të plotë, që eliminon skemat taktike të Dushkut, ai u shpreh kundër çdo inciative të njëanshme apo përjashtuese për imponimin e formulave të reformave elektorale gjysmake, si dhe përsëriti kërkesën që maxhoranca të konsultohet dhe të arrijë paraprakisht një paketë integrale të reformës zgjedhore, e cila të synojë marrjen e konsensusit edhe të partive kryesore të opozitës. Një ditë më parë, PS u shpreh për miratimin e shpejtë të ndryshimeve kushtetuese që lidhen me sistemin elektoral. Sekretari për çështjet elektorale në PS, Kastriot Islami, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit të posaçëm zgjedhor, tha se “amendamentet e propozuara nga PS për këtë qëllim duhet të miratohen më parë në parlament dhe pastaj t’i kalojnë komisionit electoral”. Partia Socialiste u shpreh dy ditë për miratimin sa më të shpejtë të ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me sistemin elektoral. Kështu, sekretari për çështjet ligjore në PS, Kastriot Islami, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit të posaçëm zgjedhor, mendon se amendamentet e propozuara nga PS për këtë qëllim “duhet të miratohen më parë në parlament dhe pastaj t’i kalojnë komisionit elektoral”. “PS ka arritur në konkluzionin që duhet të propozojë një amendament kushtetues, ku të pasqyrohet një sistem proporcional, me lista shumëemërore dhe mbi bazën e ndarjes territoriale të qarkut. Këto të gjitha janë të pasqyruara në amendamentin kushtetues, i cili në ditët në vijim pasi të ndjekë të gjitha procedurat ligjore do të kalojë për miratim në parlament. Pas kësaj, ai kthehet në një orientim për komisionin e reformës zgjedhore, i cili është i detyruar ta detajojë këtë sistem të ri zgjedhor në të gjitha nenet ku flitet për sistemin zgjedhor”, sqaroi Islami.