E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha,në Mbledhjen e Ministrave të NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, do të marrë pjesë në një numër aktivitetesh zyrtare shumëpalëshe. Basha, në Bruksel do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s. Për herë të parë në një mbledhje të tillë, do të marrin pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vende që priten të jenë anëtare të Aleancës në prill të 2009, çka pritet të rikonfirmohet edhe nga ky Ministerial. Temat kryesore që pritet të diskutohen në këtë Mbledhje janë angazhimet e Aleancës në Afganistan e Kosovë, çështje të tilla të një rëndësie të madhe për sigurinë dhe stabilitetin evropian, si ato të zgjerimit të Aleancës, marrëdhëniet NATO-Ukrainë dhe NATO-Gjeorgji, si dhe bashkëpunimi i Aleancës me vendet e Mesdheut. Gjithashtu Ministri Basha, së bashku me kolegë të tjerë , do të udhëtojë për në Oslo, ku do të nënshkruajë në emër të Qeverisë Shqiptare, Konventën e OKB-së për Ndalimin e Municioneve Thërrmuese, si dhe do të mbajë një fjalë gjatë ceremonisë së nënshkrimit. Në kushtet kur një pjesë e territorit të vendit, në veri-lindje, është ende i kontaminuar me të tilla municione të paplasura që nga periudha e luftës së Kosovës, asistenca e cila sigurohet nga të qenit palë në këtë Konventë merr një rëndësi të veçantë për vendin tonë. Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, do të marrë pjesë edhe në punimet e sesionit të 16-të të Mbledhjes së Ministrave të Punëve të Jashtme të OSBE-së që do të zhvillohet në Helsinki. Tema kryesore e Ministerialit do të jetë rikonfirmimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe diskutimi i qasjeve e propozimeve më të reja për të ardhmen e sigurisë në Evropë. Pritet që në fjalën e tij në Ministerial, Z. Basha, ndër të tjera, të rikonfirmojë vullnetin e autoriteteve shqiptare për të pritur numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme në vend, si dhe synimin e Shqipërisë për të marrë Kryesinë e Radhës të OSBE-së për vitin 2012. Në paraditen e 4 dhjetorit, në ambientet ku do të zhvillohet Ministeriali i OSBE-së, në Helsinki, Ministri Basha, së bashku me kolegët e tij kroat, maqedonas dhe amerikan, do të mirëpresin në një ceremoni zyrtare aderimin zyrtar të Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, në Kartën e Adriatikut. Ministri Basha gjithashtu do të marrë pjesë në Konferencën e organizuar në Berlin nga Instituti gjerman Aspen, me temë "Një Dialog i ri Transatlantik: Liderët Gjermanë dhe Amerikanë në Dialog me Ballkanin". Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Lulzim Basha, do të mbajë një fjalë me subjekt "Rezultatet e Samitit të NATO-s në Bukuresht në kontekstin e procesit të zgjerimit të BE-së në Evropën Juglindore". Në këtë konferencë janë ftuar dhe do të marrin pjesë zyrtarë të lartë amerikanë, gjermanë dhe evropianë, Ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore dhe një numër parlamentarësh evropianë e gjermanë. Konferenca do të hapet nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Prof. Dr. Hans-Gert Pottering. Gjatë këtyre aktiviteteve janë parashikuar edhe një numër takimesh dypalëshe të Ministrit Basha me homologë të vendeve të tjera dhe me Sekretarët e Përgjithshëm të NATO-s dhe të OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›