Eliza Dushku kafe në Bllok dhe foto me fansat
Në ditën e tretë të qëndrimit në Shqipëri Eliza Dushku ka kaluar një paradite në qendër të zonës së ish-Bllokut, në një bar të ekspozuar anës rrugës, ku aktorja shqiptare ka fituar kuriozitetin e të gjithë të pranishmëve dhe kërkesat për një foto me aktoren nga ana e tyre nuk kanë reshtur. Dushku ka qenë e shoqëruar nga aktori shqiptar Blerim Destani si dhe nga fotografi i njohur Fadil Berisha. Në ditën e parë të vizitës së saj në Tiranë, kryebashkiaku Lulzim Basha i dhuroi aktores Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolikën e qytetit, si dhe i bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak për t’i dhënë titullin “Qytetare Nderi e Tiranës” dhe emërimin si “Ambasadore Nderi e Tiranës në Botë”. Aktorja pritet të kryejë një tur vizitash në të gjithë Shqipërinë, ku një vëmendje të veçantë ajo do i kushtojë vizitës në Korçë, në vendin ku kanë lindur prindërit e saj.