E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktorja hollivudiane Eliza Dushku merr shtetësinë shqiptare

10-08-2011 / Gazeta 55

Aktorja me famë hollivudiane Eliza Dushku, ka realizuar dëshirën e saj, duke marrë shtetësinë shqiptare. Presidenti ka dekretuar dje kërkesën e aktores Dushku, për të pasur nënshtetësinë e vendit të origjinës së saj. Në një takim me aktoren e mirënjohur e cila prej disa ditësh po zhvillon një vizitë në vendin tonë në përpjekje të promovimit të turizmit shqiptar, kreu i shtetit i dorëzoi dekretin presidencial aktores, e cila nga ana e saj, shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë nderim. Të pranishëm në takim ishin, gjithashtu, fotografi me famë botërore, Fadil Berisha si dhe aktori Blerim Destani.
Aktorja Dushku, po zhvillon një vizitë në vendin tonë lidhur me prodhimin e një dokumentari që do t’i shërbejë promovimit te turizmit tonë në botë. Në axhendën e aktores së spikatur në kinematografinë botërore është një tur i cili do të zhvillohet në pothuajse disa nga qytet kryesore shqiptare duke filluar me Korçën, i cili është dhe vendi i origjinës së gjyshërve dhe babait të saj. Ky tur disa ditor do të vijojë edhe në Kosovë.
Pak ditë më parë ajo u prit në një takim edhe nga kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Lulzim Basha i dha aktores Dushku titullin “Qytetar Nderi” si dhe i propozoi asaj të jetë “Ambasadore Nderi e Tiranës në Botë”. Titull të cilin, aktorja hollivudiane e pranoi me kënaqësi si dhe premtoi se do bëjë gjithçka për promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë nëpër botë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›