E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: S'trembem nga Berisha

Nard Ndoka

Ndoka tregon me vendosmëri që nuk i trembet askujt dhe beson vetëm në votat e zgjedhësve, i bindur se partia e tij do të arrijë sukses në zgjedhjet e ardhshme

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, lëshon akuza ndaj bashkëkryetarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, dyshja Islami-Rusmali ka tentuar të përjashtojë partitë e vogla nga diskutimi për reformën zgjedhore, por presioni i ushtruar nga ana e këtyre të fundit ka bërë që diskutimi mbi sistemin e ri zgjedhor të marrë një rrugë tjetër. Për sa i përket takimit të sotëm të partive të djathta, Ndoka tregon se partitë e vogla të djathta do të kërkojnë unifikimin e qëndrimit për reformën zgjedhore. Ndoka tregon me vendosmëri që nuk i trembet askujt dhe beson vetëm në votat e zgjedhësve, i bindur se partia e tij do të arrijë sukses në zgjedhjet e ardhshme. -A mund të themi se marrëveshja e Partisë Demokratike me Partinë Socialiste për ndryshimin e sistemit zgjedhor rrezikon marrëdhëniet e PD-së me aleatët? Nard Ndoka: “Partia Demokristiane ka qenë partia e parë që ka kërkuar bashkëpunimin politik midis mazhorancës dhe opozitës për realizimin e reformave të rëndësishme. Misioni madhor i krejt klasës politike është kryerja e reformave të thella që rrjedhin nga nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim-asociimit, si dhe nga marrëveshjet e tjera ndërkombëtare që kemi nënshkruar, në përpjekjen tonë të përbashkët për anëtarësimin e vendit në NATO dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, unë nuk shikoj asgjë të keqe në bashkëpunimin PD-PS apo edhe në bashkëpunimin më të zgjeruar mazhorancë-opozitë. Përkundrazi, kjo është një kërkesë e hershme e qytetarëve shqiptarë ndaj klasës së tyre politike. Sigurisht, mënyra e zgjedhur për të bashkëpunuar nga PD-ja dhe PS-ja ka ngjallur dyshime për pazare të mundshme midis këtyre dy forcave politike, çka ka shkaktuar edhe gjithë këtë debat politik. Unë personalisht nuk dua ta paragjykoj këtë bashkëpunim, por përkundrazi, kërkoj që ky bashkëpunim të zgjerohet, duke përfshirë në proces të gjithë faktorin politik të vendit. Në fund të fundit, ne duam një reformë që të garantojë zgjedhje të lira, respektim të vullnetit të qytetarëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por siguri se reforma zgjedhore do të sjellë si produkt të vetin një ligj që garanton standardet demokratike, pavarësisht nga sistemi elektoral që është preferuar të zgjidhet. PDK-ja ndërkaq, kërkon një bashkëpunim më të ngushtë midis partive pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës, sepse reforma elektorale është përgjegjësi e përbashkët dhe angazhim i kësaj mazhorance për t’u dhënë fund njëherë e mirë zgjedhjeve me standarde të diskutueshme apo “përgjithësisht të drejta”, siç i kanë vlerësuar raportet e ndërkombëtarëve, edhe pse në shumë raste ato kanë qenë vërtet të këqija”. -Nesër (sot) do të ketë një takim mes kryeministrit dhe aleatëve të djathtë. Çfarë do t’i kërkoni kreut të PD-së? “Po, do të kemi një takim me z. Berisha. Ne kërkojmë që të unifikojmë qëndrimet, të kemi një mendim të përbashkët për reformën zgjedhore. E përsëris, ne duam që ligji të shmangë çdo deformim të mundshëm të procesit zgjedhor, të garantojmë standardet, të sigurojmë se vullneti politik i elektoratit nuk do të cenohet nga askush, se çdo votë e qytetarit do të respektohet dhe do të ketë vlerën e saj reale. PDK-ja duke vlerësuar mbështetjen e saj reale në elektorat, nuk ka frikë nga askush dhe beson vetëm në votën e zgjedhësve të saj. Ne, në respekt të qytetarëve, duam që kjo votë të numërohet, të vlerësohet, të përfaqësohet politikisht. Këtë kërkojmë, asgjë më tepër”. -Nëse nuk arrihet një marrëveshje me PD-në, çfarë rruge do të ndiqni ju? “Ka pasur një tendencë për protagonizëm politik nga dyshja Islami-Rusmali, dy arkitektë të vjetër të deformimeve zgjedhore, një tendencë përjashtuese, por që falë presionit të partive politike, besoj se ky moment është tejkaluar. Ne po e ndjekim procesin me vëmendje të veçantë, jemi në kontakte të vazhdueshme me kryetarin e PD-së, z. Berisha dhe me kryetarët e partive të tjera aleate dhe besoj se ngërçi që u krijua në fillim, po tejkalohet në mirëkuptim të plotë. PDK-ja është e vendosur të mbështesë fort reformën zgjedhore, që do të sjellë si produkt të saj një ligj që garanton votën e lirë të qytetarëve dhe konkurrencën e ndershme politike. Ne jemi një parti me rritje të shpejtë dhe kemi besim tek një rezultat shumë pozitiv në zgjedhjet e ardhshme”. -Për partinë tuaj, cili sistem zgjedhor do të ishte i përshtatshëm? “Qoftë sistemi që kemi, qofshin edhe sistemet e tjerë, pra sistemi proporcional rajonal apo proporcional i pastër, janë sisteme demokratikë dhe parimisht nuk mund të kontestohen. Këtu është menduar sistemi proporcional rajonal, për të bërë një përfaqësim më të mirë të rajoneve, të qarqeve, që të mos krijohet një shkëputje e ndjeshme e deputetëve me elektoratin dhe me interesat e tyre të drejtpërdrejta. Gjithsesi, shqetësimi ynë kryesor nuk është sistemi që zgjidhet, sepse sistemi brenda varianteve demokratike do të zgjidhet, por hartimi i një ligji të saktë që u mbyll shtigjet abuzimeve me votën e qytetarëve”. -Flitet për një marrëveshje mes PDK-së dhe disa partive të vogla, konkretisht LSI-në dhe PBDNJ-në,  për të bërë presion mbi PD-në dhe PS-së. A po ndërmerret vërtet një iniciativë e tillë? “Ne jemi parti pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës, jemi pjesë e mazhorancës së djathtë. Përgjithësisht ky koalicion ka funksionuar mirë dhe qeverisja e tij ka një bilanc mjaft pozitiv. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij koalicioni, kjo është e sigurt. Në nenin e parë të Statutit është e shkruar se PDK-ja është parti e qendrës së djathtë. Pra, aleatët tanë të natyrshëm janë PD-ja dhe PR-ja. Natyrisht, ne kemi marrëdhënie shumë të mira politike edhe me LSI-në dhe PBDNJ-në, por tani për tani as që mund të flitet për një koalicion të tillë. Unë besoj se do të arrijmë të bëjmë një reformë të suksesshme zgjedhore, duke e nxjerrë atë përfundimisht nga qorrsokaku ku po e fundosnin Islami me Rusmalin. Pra, në kryerjen e kësaj reforme do të jenë pjesëmarrës të gjitha partitë e koalicionit dhe shqetësimet tona të drejta do të reflektohen në ligj. Ne nuk kemi krijuar një aleancë me LSI-në dhe PBDNJ-në, që të ftojmë partnerë të tjerë në një aleancë të tillë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›