PSD gjen formulën
Socialdemokratët tjetër propozim për sistemin elektoral: Proporcional rajonal me korrektim nacional. Priten reagime nga partite e tjera per oferten e re
Ngërçi për reformën zgjedhore duket se mund të marrë zgjidhje. Socialdemokratët ofruan dje një propozim, për të cilin socialistët pranuan të diskutojnë dhe e mbështetën disa parti të tjera, veç LSI-së. PSD-ja pranon sistemin e propozuar nga partia më e madhe e opozitës, proporcional rajonal, por me një korrektim në rrafshin kombëtar. Engjëll Bejtaj sqaroi dje për “Korrierin” propozimin e socialdemokratëve. “Këtij sistemi i duhet shtuar një korrigjim kombëtar. Pra, krahas listave në 12 rajone, duhet të ketë edhe një listë kombëtare. Fjala vjen, një parti mund të marrë në 12 rajonet nga gjysmë deputeti. Nëse do të ishte i pastër proporcionali rajonal, atëherë këto parti do të dilnin bosh. Nëse do të kishte një korrektim kombëtar, këto 12 gjysma do të përktheheshin në 6 deputetë të plotë. Pra, kërkon që ajo përqindje që mbetet në nivel rajonal, të mos digjet, por të konvertohet në mandate të plota me një listë kombëtare”, - u shpreh Bejtaj. Sipas tij, në bazë të propozimit të socialistëve pragu shkon nga 5 deri në 20 për qind në disa zona. Në propozimin e PSD-së pragu duhet të përcaktohet dhe të gjitha partitë duhet ta njohin atë përpara se të hyjnë në garë. Nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, sqaron se sistemi proporcional rajonal nuk do të mund të quhej më spanjoll, siç janë karakteristikat e propozimit të PS-së. “Ky nuk do të mund të quhej më sistem spanjoll, por do të përafrohej shumë me sistemin që aplikojnë bullgarët, pra është sistemi bullgar. Mendoj që në kushtet e Shqipërisë, kjo do të ishte një zgjidhje që do të shuante gjithë këto hamendje dhe përplasje e në krahun tjetër, do t’i jepte secilit hakun”, - shprehet Bejtaj. I pyetur nëse propozimi është diskutuar me PS-në, ai thekson se në rrugë zyrtare jo, por në tryeza shpesh është diskutuar mundësia e aplikimit të tij. Socialistët në krahun tjetër kërkojnë të njihen më mirë me propozimin e socialdemokratëve. “Ne jemi shprehur të gatshëm për të dialoguar me të gjithë. Edhe propozimin që ju thoni, PSD-ja le ta sjellë dhe të ulemi e ta diskutojmë. Ne jemi të gatshëm për të diskutuar çdo lloj propozimi”, - i tha “Korrierit” sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PS, Kastriot Islami. Në fakt, me vendim kryesie, partia më e madhe e opozitës është shprehur e palëkundur për sistemin proporcional rajonal, ndërsa ka theksuar se është e hapur për të diskutuar lidhur me detajet e proporcionalit rajonal. Propozimi i PSD-së që ditën e parë shfaqi interes tek disa parti të vogla. Kryetari i Lëvizjes Demokristiane, Nikollë Lesi, i pyetur nga “Korrieri” deklaroi: “Korrektimi në rang kombëtar është i domosdoshëm. Kjo nuk lejon që të humbasin votat e marra, ashtu sikundër sistemi proporcional rajonal. Ndoshta duhet të rritet edhe pragu deri në 5 për qind”. Ndërkaq, jo në mënyrë zyrtare, burime pranë LSI-së e konsideruan sërish të papranueshëm propozimin, duke kundërshtuar sistemin proporcional rajonal. Por sipas nënkryetarit të PSD-së Engjëll Bejtja, propozimi në fjalë mendon se korrektimi shmang kundërshtitë e partive të vogla. Ai nënvizoi se, përderisa socialdemokratët e hedhin në tryezë, mendojnë se do të jetë i përshtatshëm për të gjitha partitë e tjera, që siç shprehet Bejtja, “në fund të fundit do të jenë të detyruar të hyjnë në një garë të ndershme”. saqellari@korrieri.com