E Diel, 1 Nëntor 2026

Interneti, fushatë ndërgjegjësimi për sigurinë nga rreziku



Ervin KOÇI

Bota virtuale është një shans i madh, por edhe një rrezik. Në vrullin e përhapjes së shpejtë të internetit dhe të teknologjisë së informacionit, shqiptarët nuk duhet të harrojnë se komunikimi virtual fsheh rrezikun e vjedhjes dhe keqpërdorimit të të dhënave personale. Rëndësia e sigurisë në përdorimin e internetit u diskutua dje në një seminar me pjesëmarrjen e institucioneve dhe bizneseve që merren me menaxhimin dhe promovimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike. Pjesëmarrësit theksuan se zhvillimi i shoqërisë së informacionit shoqërohet me rritjen e kriminalitetit kibernetik, ndaj të gjitha palët e përfshira, që nga ofruesit e deri te përfituesit e shërbimit duhet të ndërgjegjësohen për këtë rrezik. Veç të tjerash, operatorëve ju kërkua edhe hartimi i një kodi etike lidhur me parandalimin e përdorimit të materialeve të paligjshme ose të dëmshme për fëmijët dhe adoleshentët.

Takimi
Në një workshop me temë: “Një internet më i sigurt përmes kooperimit”, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar i Certifikimit Elektronik (AKCE) dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfaqësues të shoqërisë së informacionit në vend. Në workshop ishte i pranishëm edhe Ministri për Inovacionin, Genc Pollo. Ministri Pollo u shpreh se, “Qeveria ka rolin kryesor në krijimin dhe promovimin e kulturës për sigurinë në internet dhe mundësimin e një interneti më të sigurt. Por sektori privat, furnizuesit me internet, duhet të luajnë rolin e tyre, një rol plotësues nëpërmjet nënshkrimit të kodeve të sjelljes dhe Memorandumeve të mirëkuptimit, si pjesë e “vetë-rregullimit” publik-privat, në përputhje me praktikat më të mira që ekzistojnë në hapësirën e BE-së. Shërbimet e reja dhe modelet e reja të biznesit sjellin risqe të reja të privatësisë dhe sigurisë, këtu do të përmendja rrjetet shoqërore si “facebook”, tashmë pjesë e realitetit shqiptar në veçanti tek të rinjtë. Nga njëra anë ato rrisin përfitimet nga mënyrat e reja të komunikimit, por nga ana tjetër rrisin shqetësimin për privatësinë e përdoruesve të internetit, të cilët vendosin informacion personal on-line. Dhe kjo nuk duhet të jetë jashtë vëmendjes tonë. Parimi kryesor i ligjit mbi mbrojtjen e të dhënave kryesore është që të gjithë që përpunojnë të dhëna personale duhet të marrin masa sigurie të tilla që të mos rrezikojnë këto të dhëna".

Ekspertët
Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Endri Hasa, përfaqësues të AKCE-s, si dhe Komisionerja e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Flora Çabej folën mbi sfidat e sigurisë së dokumentit elektronik, duke përfshirë çështje të rregullimit ligjor, teknik, ndërgjegjësimit të opinionit publik, por dhe të bashkëpunimit mes institucioneve në këtë fushë. Të ftuar gjithashtu në këtë workshop ishin edhe përfaqësues të Internet Provider-ve në vend dhe operatorë të telefonisë celulare, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në sigurinë on-line. Ndër të tjera nga këta operatorë u kërkua një bashkëpunim më i ngushtë mes tyre për hartimin e një kodi etike, me qëllim parandalimin e përmbajtjeve on-line të paligjshme, ose të dëmshme për fëmijët dhe adoleshentët. Zhvillimi i shoqërisë së informacionit normalisht shoqërohet edhe me rritjen e kriminalitetit në fushën kibernetike dhe për parandalimin e rrezikut të shfaqur nga ky lloj kriminaliteti, krahas përmirësimit dhe plotësimit të legjislacionit në fushën e krimeve kibernetike, një rëndësi të veçantë merr ndërgjegjësimi ndaj rrezikut nga krimi kibernetik.

Çfarë është bërë deri tani

* Është hartuar legjislacioni për krimin kibernetik, i adoptuar në ligjin shqiptar
* Është ngritur zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave, që funksionon nga viti 2008
* Janë organizuar një sërë nismash për rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë në Internet për grupet e ndryshme të interesit si: shkollat, familjet, institucionet financiare, kompanitë e biznesit, shoqatat e konsumatorit, shoqatat e IT etj.
* Janë hartuar rregulla për programet televizive të adoptuara nga KKRT dhe pritet adoptimi i këtyre rregullave për mjedisin on-line.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›