E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu në Kukës: “Arsimi, prioritet i mandatit të dytë”



Kreu republikan, Fatmir Mediu, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Kukës, është shprehur se arsimi do të jetë prioritet i mandatit të dytë qeverisës të koalicionit të djathtë. “Nuk do të ndalemi në rrugën tonë të angazhimeve, në radhë të parë duke u fokusuar tek arsimimi dhe edukimi i fëmijëve tanë, pasi si të arsimohen fëmijët tanë, ashtu do të jetë e ardhmja e Shqipërisë nesër, prandaj ne do të synojnë ndërtimin e shkollave të reja dhe kushte më të mira për nxënësit. Gjithashtu ne do të stimulojmë të rinjtë, të cilët duan të studiojnë në universitetet më të mira të botës duke u financuar nga shteti. Këto do të jenë qëllimet dhe angazhimet tona”, - tha Mediu gjatë fjalës së tij.

Kandidatët e PD-së inspektojnë punimet në rrugën e Shëngjergjit

Kandidatët e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Ilir Rusmali dhe Gent Strazimiri, inspektuan punimet për ndërtimin e rrugës që lidh komunën e Shëngjergjit me Tiranën. Me ndërtimin e këtij segmenti rrugor banorët e Shëngjergjit do të udhëtojnë drejt Tiranës vetëm për 30 minuta, ndërkohë që në kushtet aktuale koha e udhëtimit në këtë destinacion zgjat 4 orë. Kryetari i Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi, tha se ndërtimi i kësaj rruge është konkretizim i projektit të kryeministrit Berisha për të afruar çdo fshat 15 minuta me akset kombëtare. Kandidatja e PD-së në qarkun e Tiranës, Majlinda Bregu, në takimin me banorët e Shëngjergjit tha se qeveria mbajti premtimet e dhëna dhe se më 28 qershor votuesit e Shëngjergjit do të rikonfirmojnë Partinë Demokratike në pushtet.

Basha u premton fermerëve: “Do të pesëfishohet granti për prodhimin vendas”

Kandidati i Partisë Demokratike, kryesues i listës në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha, është takuar me banorë të komunave Gjyral dhe Shalës. Basha premtoi në këto takime pesëfishimin e fondeve që do të përdoren për subvencionimin e fermerëve. “Subvencionet e drejtpërdrejta për të gjitha projektet për shtimin e prodhimeve vendase do të marrin nga qeveria 5 herë më shumë fonde se në periudhën 2007-2009”, - tha Basha. Në takimin me banorët e Shalësit, Basha premtoi projekte konkrete për zhvillimin e kësaj zone. “Zotohem këtu për 3 investime, të cilat nuk do të jenë të vetme. Për rrugën Shalës-Kutalli, për rrugën Shalës-Hazaret dhe për rikonstruksionin e plotë të ujësjellësit Cërrik-Shalës”, - tha kandidati i PD-së në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›