E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e kancelares Merkel fton Ndokën për bashkëpunim



Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka, njëkohësisht ministër i Shëndetësisë, ka pritur ditën e djeshme në selinë e PDK-së një delegacion nga Partia Kristiandemokrate e Gjermanisë, e kryesuar nga Jost de Jager. Partia e ish-kancelarit të suksesshëm gjerman Helmut Kol si dhe e kancelares aktuale, Angela Merkel, ka ftuar Partinë Demokristiane në një bashkëpunim të përbashkët për vendosjen e urave të komunikimit. Gjatë këtij takimi kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i informoi miqtë kristiandemokratë gjermanë për historikun e Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Ndoka i njohu miqtë gjermanë të CDU-së me programin politik të PDK-së. “Unë u shpjegova miqve gjermanë se PDK do të kundërshtojë çdo ligj që kufizon liritë kushtetuese të qytetarëve, çdo ligj dhe reformë që synon të vendosë monopolin e dy partive politike duke varfëruar pluralizmin politik dhe duke vënë në pikëpyetje arritjet e deritanishme të demokracisë shqiptare”, - tha Ndoka. Bashkëpunimi midis PDK-së dhe CDU-së në vazhdim do të përqendrohet në mbështetjen e CDU-së për anëtarësimin e PDK-së në PPE, për kualifikimin e politikanëve të rinj të PDK-së në Gjermani, për vendosjen e urave të bashkëpunimit midis forumeve përkatëse të gruas dhe rinisë etj. Jagër e ftoi Ndokën për të vizituar së afërmi Gjermaninë, ku do të ketë takime të rëndësishme në strukturat e larta të CDU-së, ftesë që u prit me kënaqësi nga zoti Ndoka në kuadrin e vendosjes së urave të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis dy partive.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›