Ndonëse në krizë, Greqia rezulton me 1 miliardë euro armë të blera
Ndonëse Greqia ka marrë masa të ashpra shtrënguese për të shkurtuar borxhin, shteti helen është një nga vendet e BE-së që ka blerë më shumë armë gjatë vitit 2010-të. Shifrat zyrtare nga Këshilli Europian tregojnë se vendet anëtare të BE-së shiten në Greqi armë me vlerë më shumë se 1 miliard euro, në një kohë kur vendi ishte në negociata për miratimin e paketës së parë të ndihmës për këtë vend.
Në publikimin e titulluar "shifrat e shitjes së armëve nga vendet e BE-së në Greqi në mes të krizës ekonomike" vërehet se vendi me shitjet më të mëdha në Greqi, ishte Franca, e cila ka një marrëveshje të shitjes së avionëve, me vlerë 794 milionë euro. Por sipas të dhënave pavarësisht shkurtimeve, Athina zyrtare ka blerë armë për shkak të marrëdhënieve të tensionuara që ka me Turqinë.
Artikulli në portalin EUobserver.com i referohet gjithashtu edhe një deklarate të ish ministrit të Mbrojtjes, Panos Beglitis i cili ka thënë për Reuters në vitin 2010, se partnerët e Greqisë nuk kishin bërë asnjë presion ndaj Athinës, për të blerë armë në këmbim të miratimit të paketës shpëtimtare.
"Këto blerje janë bërë për mbrojtjen e vendit. Kjo nuk ka të bëjë me krizën, nuk ka asnjë marrëdhënie " ka thënë Beglitis. Ndërkohë përveç Francës, gjithashtu Holanda dhe Gjermania kanë shitur pajisje ushtarake me vlerë 90 milionë euro, po ashtu edhe Spanja me vlerë 33 milionë euro.