Siri, Spanja mbyll ambasadën

Spanja ka deklaruar mbylljen e ambasadës së saj në Siri, në shenjë proteste ndaj brutalitetit të qeverisë.
Vendimi i Madridit ka pasuar veprimet e ngjashme të Britanisë, Kanadasë, Francës dhe të Shteteve të Bashkuara.
Protestat kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad kanë vazhduar edhe sot.
Shefja për ndihma humanitare e Kombeve të Bashkuara ka arritur në Siri, në përpjekje për të bindur qeverinë e atjeshme të lejojë ndihmat për civilët.
Valeri Amos ka takuar ministrin e Jashtëm sirian në Damask, para se të udhëtonte drejt Homsit, epiqendrës së protestave antiqeveritare.
Ndërkohë në Uashington, presidenti Barak Obama e ka quajtur dhunën në Siri “të dhimbshme”.
Por, ai ka thënë se nuk ka zgjidhje të thjeshtë të krizës dhe ka paralajmëruar se veprimi i njëanshëm ushtarak i SHBA-së do të ishte “gabim”.
Kombet e Bashkuara thonë se mbi 7.500 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në Siri, që nga shpërthimi i protestave në mars të vitit të kaluar.