E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja alarmante Vasili Punimet ne infrastrukture

Ndotja në Tiranë është tepër shqetesuese për shëndetin e popullatës. Ministri i Shëndetsisë, Petrit Vasili ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga strukturat përkatëse, në veçanti nga ato të pushtetit vendor, pasi edhe ndotësit më të mëdhenj sipas tij, vijnë nga punimet në infrastrukturë.

“Kombinimi i këtyre ndotjeve, sigurisht që krijon një situatë absolutisht të paparashikuar shëndetsore. Është një nga dëmet më të rënda sepse kemi të bëjmë më kombinim të ndotësve të ndryshëm, qofshin të karakterit infrastrukturor, mikrobiologjik siç janë problemi i mbeturinave”- tha ministri i Shëndetsisë, Petrit Vasili.

Faktorët më të rrezikshëm dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës edhe nga studimet që janë kryer nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, janë nga ndotja. Sëmundjet kardiake apo ato pulmunare janë shtruar ndjeshëm.

“8 nga 10 të faktorët që rrezikojnë më së shumti jetën e njeriut janë të influencuar nga ndotja. Dhe ju e kuptoni që sa më e madhe të jetë ndotja, aq më i madh është dhe rreziku”- tha Vasili.

Nivelin e lartë të ndotjes, specialistët e ISHP-së e kanë vlerësuar si një situatë alarmante, e cila kërkon një zgjidhje të menjëhershme, një nga të cilat do të ishte shtimi i hapësirave të gjelbërta.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›