Ndotja e ambjentit, Ministria e Mjedisit u vendos gjobë bashkive dhe komunave
Ministria e Mjedisit, pas raportit të ISHP-së për problemet me ndotjen në vijën bregdetare, ka kryer disa kontrolle në bashki, komuna e subjekte private në zonat turistike. Autoritetet e Ministrisë të Mjedisit gjatë monitorimit të këtyre të fundit kanë konstatuar mungesë administrimi të mbetjeve urbane, por edhe ndotje akustike jashtë orareve të përcaktuara. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Kontrollit të Mjedisit në këtë ministri tregojnë se Ministria e Mjedisit gjatë dy muajve të fundit ka gjobitur 19 bashki, 17 komuna dhe 63 subjekte për ndotje të detit, mosadministrim të plehrave, mbetje private dhe ndotje akustike. Gjithashtu pjesë e këtyre ndëshkimeve janë bërë edhe disa qendra Shëndetësore për keqmenaxhim të mbetjeve spitalore. Sipas drejtorit të Kontrollit Mjedisor në këtë ministri, Alfred Deshati, Bashkia e Durrësit u gjobit me 1 milion lekë ndërsa ajo e Fushë-Krujës me 500 mijë lekë. Shkaku i gjobës ishte neglizhenca dhe mosmenaxhimi i plehrave nga ana e këtyre institucioneve. Ndërkohë që disa aktivitete të tjera private janë ndëshkuar në mënyra të ndryshme, që nga vendosja e gjobave e deri te mbyllja e veprimtarisë, masa këto që sipas drejtuesve të këtij dikasteri, kanë përmirësuar gjendjen në bregdetin shqiptar. Sipas Deshatit, shuma e gjobave të vëna përgjatë 2 muajve të fundit nga Ministria e Mjedisit, pas monitorimit të vazhdueshëm, sidomos në zonat e plazhit arrin në 53 milionë e 580 mijë lekë të reja.
Masat
Sipas drejtorit të Kontrollit Mjedisor, Alfred Deshati, autoritetet e Ministrisë së Mjedisit, nga aksionet e fundit që kanë zhvilluar në plazhin e Golemit dhe atë të Durrësit, deklarojnë se zona nga Shkëmbi i Kavajës deri në Malin e Robit që cilësohej si zona turistike me nivelin e ndotjes tej normave të lejuara nga ujërat e zeza, madje për një situatë alarmante tashmë është e pastër. “Zona që cilësohej si njollë e zezë në listën e brigjeve shqiptare nuk ekziston më. Në të gjithë segmentin nga Shkëmbi i Kavajës, Golem dhe Mali i Robit nuk ka as edhe një tubacion të vetëm që shkarkon ujera të zeza në det”, tha Deshati. Drejtori i Kontrollit të Mjedisit tha gjithashtu se Ministria e Mjedisit po merr masa për të ndryshuar situatën në plazhin e Vlorës. Sipas tij plazhi i Vlorës vazhdon të jetë një zonë jashtë mase problematike dhe se në bashkëpunim edhe me strukturat e pushtetit vendor është nisur projekti për ndërtimin e kolektorëve për kanalizimin e ujërave të zeza.
Monitorimi
Drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit bëjnë të ditur se në bashkëpunim edhe me strukturat e pushtetit vendor, Ministria e Mjedisit po kryhen një monitorim të vazhdueshëm përgjatë gjithë brigjeve shqiptare. Sipas Deshatit kjo ndodh për të garantuar një det të pastër për pushuesit. Deshati tha se Ministria e Mjedisit po merr masa që në vitin 2011 të gjitha ujërat e zeza të jenë kanalizuar në mënyrë që të mos ketë asnjë derdhje të tyre në det. Drejtori i Kontrollit të Mjedisit tha se inspektorët e mjedisit po kryejnë kontrolle të vazhdueshme në plazhin e Vlorës, po merren masa për pastrimin e saj dhe se shumë shpejt edhe kjo zonë mjaft problematike do të kthehet brenda normave të lejuara të ndotjes.
Virusi i Nilit, një tjetër person humb jetën ndërkohë që numri i të infektuarve shkon në 60
Virusi i Nilit i merr jetën një tjetër personi që kurohej në Spitalin Infektiv të Selaniku. Personi në fjalë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe prej ditësh qëndronte i shtruar në repartin e reaminacionit. Lajmin e konfirmoi Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të sëmundjeve ngjitëse. Kjo qendër shpreh shqetësimin se virusi i Nilit po përhapet me ritme të shpejta dhe se vetëm në 2 ditët e fundit numri i të prekurve është rritur ndjeshëm, ai ka arritur në 60 persona. Të prekurit me virusin e Nilit kanë rrezik të shfaqin encefalit ose meningjit ,por në shumicën e rasteve sëmundja mund të mos ketë fare simptoma. Virusi prek kryesisht personat mbi 60 vjeç ndërkohë që deri tani në Greqi nga të gjithë të prekurit vetëm një person i moshës 12 vjeç ka rezultuar pozitiv ndaj virusit. Specialistët grekë deklarojnë se numri i madh që regjistrohet vjen si pasojë e rritjes së numrit të mushkonjave në zonat e Greqisë Veriore për arsye të temperaturës së lartë dhe lagështirës, pavarësisht spërkatjeve të reja me pesticide që kanë kryer grupe nga Ministria e Shëndetësisë greke. Kjo Ministri ka ndaluar dhurimin e gjakut nga banorët e këtyre zonave, çka ka bërë që krahas frikës së virusit shumë persona të vuajnë edhe mungesën e gjakut. Virusi i Nilit është një sëmundje infektive, ajo nuk kalon nga njeriu te njeriu, merret vetëm nëse të pickojnë mushkonjat e infektuara. Temperaturat e larta dhe lagështira janë dy nga faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e numrit të mushkonjave të cilat përbëjnë rrezik për shfaqjen e këtij virusi. Të alarmuara prej kohësh, organet greke të shëndetësisë kanë rritur masat kundër këtij virusi duke dezinfektuar cdo zonë ku ka mushkonja.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të marrin ndihmën e parë në poliklinikat e lagjes
Pas fluksit të madh të pacientëve që drejtohen në QSUT për të marë ndihmën e parë edhe kur vuajnë nga virozat e stinës reagon, Pëllumb Pipero, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë njëkohësisht edhe mjek infeksionist. Pipero u kërkon qytetarëve që për probleme gastro-intensinale duhet të drejtohen nëpër poliklinika, të cilat funksionojnë nga ora 8 e mëngjesit deri ne oren 20 dhe ku ky shërbim ofrohet i njëjtë me atë në spital. Sipas Piperos cdo ditë fluksi i pacientëve që shtrohen në urgjencën e Pavionit Infektiv apo në Pediatri është shumë i lart, cka shkakton edhe kaos të panevojshëm në Qendrën Spitalore Universitare më të madhe në vend. “Nuk ka arsye që për të marrë serume të shkohet në QSUT. I këshilloj qytetarët që të shkojnë nëpër klinikat e lagjeve ku ofrohet i njëjti shërbim. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat që në të gjitha poliklinkat mund të merret serum apo medikamente të tjera në rastet e dehidratimit, helmimit apo problemeve të tjera gastro-intensinale, madje në kushte edhe me komode se sa në ato të Pavionin të Infektivit, ku mesatarisht në ditë paraqiten 120 persona”, tha Pipero. Ky fluks pacientësh, ku pjesa më e madhe e tyre vuajnë nga helmimet me orgjinë ushqimore apo virozat e stinës, con edhe në reduktimin e medikamenteve në QSUT. Drejtori i Politikave Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë edhe një herë për të t’iu ardhur në ndihmë si mjekëve ashtu dhe pacientëve u bëri thirje këtyre të fundit t’u drejtohen fillimish poliklinikave të lagjes edhe mjekut të familjes dhe vetëm me rekomandimin e tyre të kërkojnë ndihmë shëndetësore në Qendrën Spitalore Universitare ”Nënë Tereza”.
19 Gusht 2010