Plagosje dhe grabitje e dështuar, arrestohet autori i terrorit të Sukthit
DURRËS - Është vënë në pranga i riu që terrorizoi Sukthin dhe plagosi me armë një taksist gjatë tentativës për të grabitur një pikë këmbimi valutor. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se dje është arrestuar personi që terrorizoi dy ditë më parë banorët e zonës se Sukthit duke kërcënuar se do të shpërthente një granatë që mbante në duar. Efektivët blu kanë vënë në pranga si autor të ngjarjes 23-vjeçarin Eduart Hasani, nga Dibra. Arrestimi i tij është bërë në banesën e të riut në Durrës. Kapja e tij është bërë pas hetimeve të zhvilluara nga Policia e Durrësit. Blutë e Durrësit kishin marrë dëshmitë e banorëve dhe të taksistit të plagosur. Sipas policisë, Hasa është person me precedent penal. Ai ka qenë më parë i akuzuar për mbajtje lëndësh eksplozive dhe armëmbajtje pa leje.
Tentativa e grabitjes
I arrestuari mbrëmjen e 16 gushtit tentoi të grabiste një pikë të këmbimit valutor dhe më pas plagosi me armë zjarri një drejtues taksie duke mundur të çajë rrethimin e policisë, pasi kërcënoi me granatë në duar efektivët. Hasani, rreth orës 20:35 të mbrëmjes së 16 gushtit, i armatosur me kallashnikov dhe me një granatë dore, ka hyrë në ambientet e këmbimit valutor “Money Gram” që ndodhet në qendër të Bashkisë së Sukthit. Ai ka tentuar të grabisë pikën e këmbimit valutor shumë e frekuentuar, sidomos tani nga ardhja e emigrantëve. "Pasi qëlloi me armë në ambientin e lokalit, ka dalë jashtë dhe ka tentuar të largohet me një taksi Benz 240, me targë DR5163D, por ka hasur në rezistencën e pronarit të automjetit, 50-vjeçarit Mehmet Meta, banues në fshatin Sukth i Ri në Durrës", - thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja
Sipas policisë lokale, grabitësi është futur brenda, por ka hasur në rezistencën e punonjësve, të cilët nuk e kanë lejuar të marrë paratë. I gjendur para një situate të tillë, autori i krimit ka reaguar duke qëlluar në ajër. Njëri nga plumbat goditi në këmbë taksistin Mehmet Meta, që në atë moment ndodhej afër pikës, pranë automjetit të tij. Ndërsa i plagosuri është dërguar në Spitalin rajonal të Durrësit, banorët rrethuan agresorin dhe sinjalizuan policinë për ngjarjen. Grabitësi, sapo ka dëgjuar sirenat e policisë, është bërë më agresiv. Ai ka kërcënuar banorët se do të qëllonte mbi ta nëse nuk do t’i hapnin rrugën. Më pas ai mundi të largohej për t’u arrestuar pas dy ditësh nga efektivët blu si autori kryesor për agresionin me armë dhe plagosjen që kreu në qendër të Sukthit.
I shkatërrojnë makinën taksistit, tre persona në pranga
KORÇË - Tre persona u ndaluan dje nga policia e Korçës pasi tri ditë më parë kishin dhunuar dhe dëmtuar makinën e një taksisti në këtë qytet. Të arrestuarit, pas një zënke banale me një taksist kanë zgjedhur që ta nxjerrin inatin te makina e tij. Pas debatit me fjalë dhe kërcënimet për jetën që i kanë bërë drejtuesit të taksisë, 58-vjeçarit me inicialet M. XH., kanë thyer xhamat e makinës dhe kanë dëmtuar seriozisht mjetin në pjesë të ndryshme të tij.
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në qytetin e Korçës, por vetëm dje është bërë i mundur ndalimi i tre personave që kanë kryer veprën penale. Ata janë: Luan Trimi, 41 vjeç, banues në Lagjen Nr. 10 të qytetit të Korçës; Maksim Kosturi, 42 vjeç, banues në Lagjen Nr. 15, Korçë dhe Ilir Mehmeti, 34 vjeç, banues në Lagjen Nr. 17 të qytetit të Korçës. Të tre personat janë shoqëruar në polici dhe ndaj tyre ka nisur hetimi në gjendje të lirë për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me mjete të tjera, në bashkëpunim”, si dhe për veprën penale të “kanosjes së kryer në bashkëpunim”. Sipas policisë, tre shtetasit “për motive të dobëta kanë kanosur dhe më pas i kanë dëmtuar mjetin tip ‘Benz’, taksi, me targë KO 748 A, të shtetasit M.Xh, 58 vjeç, banues në Lagjen 15 në Korçë”.
Radhët për aplikimet e pasaportave, goditet punonjësja e “Aleat”
TEPELENË - Një punonjëse e kompanisë "Aleat", në zyrën vendore të aplikimeve për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike në qytetin e Tepelenës është fyer dhe goditur nga një person gjatë ditës së djeshme. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se 30-vjeçari Kastriot Meta, banor i qytetit të Tepelenës, ka shkuar në ambientet e kësaj kompanie dhe ka debatuar për motive të dobëta me punonjësen, shtetasen me inicialet A. C. "Më pas ky shtetas e ka fyer dhe goditur me shkelma dhe grushte për shkak të detyrës punonjësen e kompanisë ‘Aleat’, duke i shkaktuar asaj plagë në trup. Është dashur ndërhyrja e punonjësve të Bashkisë Tepelenë dhe më pas e Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë për të izoluar këtë shtetas dhe mos ta lejuar më tej të godiste punonjësen e pasaportave, e cila ishte në krye të detyrës. Shkaku i debatit, i cili më pas kaloi në dhunë fizike, ishte se nëna e shtetasit Kastriot Meta një ditë më parë ka shkuar për të aplikuar për pasaportë dhe ka debatuar me punonjësen e pasaportave për arsye të vonesës. Më tej në zyrë ka shkuar 30-vjeçari për të sqaruar pasi pretendonte se nënën e tij e kishte fyer punonjësja e pasaportave", - thuhet në komunikatën zyrtare të policisë në lidhje me këtë ngjarje.
Italiani bën sherr me pronarin e lokalit, plagos shqiptaren
GJENOVA - Një grua shqiptare është plagosur në Gjenova, Itali. Autor është një italian, Bruno Biondi, 50 vjeç. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e shtetit fqinj. Sipas tyre, gruaja shqiptare e plagosur është Enkeleda Brahimaj, 35 vjeçe. Italiani 50-vjeçar ishte në gjendje të dehur kur është zënë me pronarin e një lokali poshtë shtëpisë së tij. Pas sherrit ai është ngjitur në banesën e tij dhe ka marrë një armë, çifte shotgan, që e mbante pa leje. Me të në dorë ka zbritur poshtë dhe ka qëlluar në drejtim të lokalit ku kishte bërë sherr. Plumbi i parë që ka dalë nga arma ka goditur emigranten shqiptare, që nuk kishte lidhje me lokalin, por ndodhej në rrugë rastësisht. Plumbi i dytë ka plagosur Pio Dussonin, pronarin e lokalit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur karabinierët dhe kanë vënë në pranga 50-vjeçarin Biondi. Ai është vënë nën akuzë për “tentativë vrasjeje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. Mjekët thanë se gruaja shqiptare, e cila është shtruar në spital do të shërohet brenda 20 ditëve.
19 Gusht 2010