E majta dhe e djathta në “politikat gjinore”
Në se ka një çështje për të cilën politika shqiptare, me gjithë përpjekjet e saj, ende nuk e ka sensin e nevojshëm, të duhur dhe të domosdoshëm; është vështirësia, jo thjesht teorike, për të bërë diferencimin dikotomik, të natyrshëm, të qëndrimeve konkurruese dhe në një farë mënyre edhe vlerësimeve komplementare për çështjet e politikës për “politikat gjinore”.
Nuk mundet më të ecim në rrugën e trajtimit “an block” të çështjeve gjinore dhe problematikave me natyrë komplekse që kanë gratë dhe femrat tona. Sipas mendimit tim, kjo është problematikë e vështirë, e koklavitur, komplekse, sepse është momenti që problematikat dhe trajtimi i çështjes së “barazisë gjinore”, duhet bërë sipas imperativave të kohës dhe standardeve universale të qytetërimit europian. Evidentimi i këtij handikapi të politikave të partive politike për çështjen gjinore, nevoja për optika më të qarta dhe më të përcaktuara politike nuk është ndonjë “manjakllëk doktrinarist” pa vlerë dhe e pa lidhur me kërkesat konkrete të realitetit tonë social dhe gjinor, por është një nga çështjet më thelbësore që duhet vlerësuar ndryshe.
Pikërisht nga që problemi i qëndrimit ndaj grave dhe femrave tona në përgjithësi është e sfidë e rëndësishme, betejë fondamentale, për të ecur në rrugën e duhur, të plotësimit të standardeve të drejtësisë humane, sociale, gjinore dhe seksuale të gruas në Shqipëri.
Është përshtypje e gabuar që vjen nga mungesa e vlerësimit apo e aftësisë për të dalluar “politikat nuancore” dhe debatet konceptuale që zhvillohen për “botën e femrës”. Në kohën e sotme, në shoqërinë moderne, duket nga jashtë, sikur në politikat gjinore ka pak dallime politike, ontologjike, konceptuale dhe doktrinariste, nga që vetë demokracia, logjika e ekonomisë së tregut dhe filozofia e përbashkët e bazamentit social individualist në shoqëri i ka “rrafshuar” shumë nga dallimet dhe dikotomitë klasike në sferën gjinore. Ndoshta, nga që në kohën tonë kanë dalë në evidencë shumë probleme të tjera që janë të mprehta, më impenjative dhe të lidhura më drejtpërdrejtë me “botën e jetës”, që tani janë përzierë me njeriun dhe që shfaqen përgjithësisht me natyrë sociale post-materialiste. Kjo ka bërë që çështjet morale dhe gjinore, që në një farë mënyre të mos konsiderohen me shumë rëndësi, ose të trajtohet me koncept linear, mendim jo adekuat dhe gjuhë stereotipike, të cilat janë shkaqet e monotizmit të çështjes gjinore.
Ky realitet, edhe në shoqërinë tonë, ka krijuar idenë e qëndrimeve të paqarta, evazive, pa qëndrime koloristike politike dikotomike, të qarta, të “majta” apo të “djathta”. Ky nuk është vetëm problem politik dhe ideologjik, por është një çështje madhore sociale. Sepse koha dhe problematika komplekse politike, sociale dhe boi-seksuale e gruas moderne, që të zgjidhet në mënyrë komplekse dhe që të trajtohet në të “gjithë krahët”, duhet trajtuar së pari, nga partitë politike jo si “çështje pa ngjyrë”, por sipas diferencimeve që janë të nevojshme dhe të domosdoshme që të bëhen. Sidomos, kur në terrenin tonë vjen puna për të gjetur “gurin e cakut” që ndan politikat e majta dhe të djathta gjinore, kjo është tashmë konditë “sine qua non”.
Në këtë kontekst, politika jonë duhet të vlerësojë të vërtetat e çështjes dhe të marrë në konsideratë faktin, që në politikat e sotme globale gjinore ka dallime, identitete dhe piketa orientimi të ndryshme, që thelbësisht kanë vlerë jo thjesht për të dalluar konkurrencën dhe mënyrat specifike të shtrimit të politikave gjinore të djathta dhe të majta, por për ta zgjidhur çështjen në të gjithë segmentin e komplikuar të saj, “herë majtas” dhe “herë djathtas”. Pavarësisht arritjeve dhe ndryshimeve që ka bërë politika me “veten”, duket se kësaj çështjeje që është komplekse nuk ka mundur t’i transmetojë qëndrimet e larmishme, të diferencuara dhe të komplikuara gjinore. Dhe nuk ka pse të mos i themi të vërtetat.
Në politikën shqiptare, këtij dallimi në politikat e majta dhe të djathta nuk po i kushtohet rëndësia e duhur. Për të vërtetuar këtë të vërtetë, provoni të bëni një “test njohurish” për politikat gjinore të partive politike, duke filluar nga qytetari i thjeshtë e deri tek shumica e deputetëve, dhe do të kuptoni se edhe ata e kanë vështirë që të dinë “esencën teorike” dhe orientimin strategjik e taktik të platformës dhe politikave gjinore të partisë së tyre apo të kundërshtarëve të saj. Nuk është normale që në politikat gjinore, ka trajtime partiake të përgjithshme, pa nuanca dhe diferencime evidente.
Në të vërtetë çështja e qëndrimit të partive të majta dhe të djathta shqiptare lidhur me çështjet specifike morale, gjinore, sociale dhe seksuale duhet parë, jo si çështje politike e dorës së dytë, apo si një problem i politikës rutinë që nuk ka nevojë për komplikacione teorike, politike, morale dhe seksuale. Në të vërtetë është jo vetëm dobësi ontologjike por dhe defekt integral i politikave të majta dhe të djathta, që nuk kanë menduar të kenë qëndrime programore, strategjike dhe taktike të dalluara për cështjet gjinore. Sidomos për çështje të tilla me rëndësi si problemi familjes, martesës, divorcit, abortit, liberalizimit të lidhjeve seksuale dhe homoseksuale, për qëndrimin ndaj monogamisë dhe “seksit të mbyllur”, zgjerimit të poligamisë, përhapjes së “seksit të lirë”, qëndrimi ndaj legalizimit apo jo të prostitucionit, krimit sentimental, etj. Të gjitha këto çështje në thelb janë politike, pastaj janë edhe gjinore, morale, sociale, shëndetësore, etj, etj.
Po, kush nga ne është në gjendje që me kompetencë të ndajë se cilat janë qëndrimet e njohura, të hapura e publike të partive politike shqiptare për problematikën gjinore ?
Vështirë të besohet se njerëzit tanë të zakonshëm madje edhe ata të botës politike kanë koncepte, ide, qëndrime e programe precize gjinore jo skolareske por të vërteta dhe që prekin thelbin e problemit. Sado që personalisht, për qëllime studimore, jam munduar të dallojë nuancat e holla deterministe në politikat gjinore, apo ndryshimet në nuancimet e qëndrimeve politike, ka qenë e vështirë të kem të qartë, se cili është qëndrimi alternativ në çështjen e trajtimit dhe propozimeve të politikave për zgjidhjen e problemeve të femrës shqiptare. Është vështirë të dallosh nuanca të qarta të politikave gjinore të majta apo të djathta, cilat janë orientimet konservatore apo liberale dhe moderne. Kaosi i koncepteve dhe inflacioni i fjalëve të thëna kuturu, herë për festë e pastaj për propagandë, herë për të afirmuar arritje dhe pastaj për të bërë opozicion, ka krijuar një turbullirë filozofike dhe sociale gjinore, duke e lënë çështjen e femrës shqiptare të mbuluar me një “jorgan të vjetër”, të mbushur me slogane apo frazeologji programore të padisiplinuara që kanë çoroditur shoqërinë dhe vetë gratë shqiptare.
Sepse është bërë modë që kur flasim për temën e femrës (jo thjesht të gruas), më shumë prodhojmë slogane gjinore ose përdorim ide të çoroditura feministe, pa i pasur, së pari, të qarta objektivat për të cilat flasim. Por kur një cështje të tillë nuk e ke të qartë, kur nuk di pozitën dhe pozicionin që mban, kur nuk ke një platformë konsekuente që në thelb nuk është as e “majtë” e as e “djathtë”, as liberale dhe as konservatore, atëherë kjo është si të “hysh në betejë” pa plan, pa hartë dhe pa armë. Kështu, më duket gjithnjë kur dëgjoj që flitet për gratë pa pasur asnjë koncept gjinor të qartë, pa ditur se ku do ta çojmë lëvizjen e emancipimit të tyre, se cilat janë alternativat gjinore të majta apo të djathta (në fakt të dyja janë alternativa normale). Akoma më qartë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nganjëherë duke dashur ta rivlerësojmë gruan, rolin gjinor dhe pozitën sociale bëjmë gabime kufizuese, që sjellin diskriminim gjinor në emër të moralit, traditës dhe zakoneve të shoqërisë tonë. Nuk kam asgjë kundër me qëndrimin konservator dhe rolet e natyrshme të gruas shqiptare. Por, më duket e padrejtë pozita sociale e politikës, shoqërisë civile dhe e disa organizatave të grave, që e reduktojnë pozitën e femrës vetëm për të qenë brenda dhe në rregull me moralin tradicional për rolin dhe pozitën e femrës, duke i reduktuar rolet dhe funksionet e saj, deri në platformën e ngushtë konservatore (jo në kuptimin pezhorativ por sociologjik).
Beteja e sotme konceptuale, filozofike dhe sociologjike për “barazinë gjinore” në botën moderne është e përzierë. Kjo do të thotë se pozitat konservatore të trajtimit të gruas si qenie e mbyllur në “fatalitetin biologjik”, e detyruar t’u bindet “roleve historike” që shoqëria ka destinuar për të, kanë filluar të lëkunden. Ky është një hap i madh për të rivendosur në nivele modeste barazinë gjinore dhe për të rregulluar disa komponentë konservatorë të kultivuar nga ideja e pabarazisë biologjike dhe e roleve të ndryshme seksuale. A duhet të besojmë ne se në Shqipëri do të arrijmë rezultat në betejën për barazi gjinore, në se do vazhdojmë të favorizojmë konceptin dhe optikën konservatore në trajtimin e çështjes së gruas, nëse do vazhdojmë t’i bëjmë ditirambe asaj, vetëm duke e lënë në pozicionet e “natyrshme” të femrës, gruas, nënës, bijës, të dashurës dhe nuk do të bëjmë asgjë për të ndryshuar konceptin social duke liberalizuar idenë që e mban femrën të “lidhur pas roleve historike” ? ǒrëndësi ka nëse ky koncept është i majtë apo i djathtë, në se kjo pozitë gjinore është liberale apo konservatore. Rëndësi ka që në betejën që kemi nisur të hymë seriozisht të përgatitur, me koncept të qartë dhe me armët e duhura të fitores gjinore. Sado të na pëlqejë pozita e femrës në këto role tradicionale, gjinore biologjike dhe seksuale, sado të idolatrizojmë tiparet dhe vetitë e tyre gjinore, nëse do vazhdojmë të mendojmë në mënyrë sempliste dhe konservatore, nuk kemi për ta ndihmuar “kauzën e barazisë gjinore”. Për këtë, duhen idetë e qarta politike të partive shqiptare, mungesa e të cilave nuk është handikap programor, por, pengesë për këtë aksion socio-politik integral që ka të bëjë me konceptin e zgjeruar dhe të integruar të “barazisë gjinore”.
Çështjet gjinore janë bërë të tilla në shoqërinë tonë që nuk ja lejojnë më “luksin politikës” që ta mbulojë këtë fushë specifike me slogane të përgjithshme gjinore dhe morale, duke ju shmangur çështjeve që mund të duken anësore, por që në shoqërinë tonë po bëhen thelbësore, me pasoja substanciale sociale. Nuk mjaftojnë më dhe nuk i mbushin mendjen askujt programet politike gjinore, të mbushura me slogane stereotipike, të vjetra, arkaike, me mesazhe paranojake, me frikën morale për të qenë brenda me shoqërinë, me elektoratin dhe “moralin sundues” të shoqërisë. Kjo është “politikë struci” që e turpëron politikën profesionalisht dhe moralisht politikën që nuk ka kurajo, që nuk di apo nuk do të futë duart në çështjet e botës femërore, që janë shumë larg sloganeve të politikës dhe shkrimeve fraziste, pa gjak dhe limfë; qofshin të majta apo të djathta. Koha kërkon që partitë politike të shfaqin në mënyrë të qartë, në formë sa më eksplicite qëndrimet e tyre ndaj problemit gjinor. Por, duke e parë atë përtej perdes kufizuese morale të shoqërisë tradicionale, duke u përshtatur me kërkesat dhe imperativat e jetës dhe femrës moderne. Kjo do të thotë që tu themi njerëzve, dhe veçanërisht femrave tona, të vërtetat e qëndrimeve politike, nuancat ku dallohen dhe ku ngjajnë ato ? Sa koherente, kompatibile dhe sa ato janë pjesë e ndërtimit të këtij “aksioni kombëtar” të qytetërimit tonë, për realizuar me sukses këtë sfidë ?
Që të realizohet kjo, duhet, së pari qytetarët si militantët apo si elektorati, ta kenë të qartë dhe të kuptojnë se cilat janë orientimet që frymëzojnë politikat gjinore në Shqipëri, cilat janë platformat filozofike dhe cilat janë pretendimet që vetë ato (femrat) kanë ndaj padrejtësive që u bëhen në familje dhe shoqëri, në të cilat ende padyshim ka diskriminim të dukshëm social dhe gjinor.
Tani nuk mund të ecet më tej pa përgjegjësinë e duhur të partive politike. Duhet të dallohen “orientimet” themelore dhe thelbësore, jo vetëm të teorizohet për zgjidhjen e problemit të barazisë gjinore. Kjo kërkon që të dallohet se ku partitë tona janë kompatibile me idetë “progresiste gjinore”, ku dëshmojnë dhe këmbëngulin me “konsistencë konservatore” (jo në kuptim empirik por filozofik). Natyrisht, këto mund të duken sikur janë prerje të holla socio-filozofike. Por, unë besoj se ato janë “gurët kilometrikë” që na duhen vlerësuar fort për të përmirësuar procesin e barazisë gjinore duke orientuar politikën, shoqërinë dhe vetë gratë në betejën për drejtësi sociale, për barazi gjinore dhe respektim të identitetit, roleve, pozicioneve dhe të drejtave që ato duhet të kenë të pacenuara në shoqërinë tonë.
Çështja e grave nuk mund të mbetet një problem politik “toptan”, i përgjithshëm, i padalluar, pa nuanca dhe i mbuluar me slogane e demagogji. Ca më pak, me frikëra morale, skrupuj primitivë, me padituri konceptuale dhe trajtime programore empirike. Nga ana e tyre gratë dhe organizimet partiake gjinore, politike dhe organizatat e shoqërisë civile, duhet të jenë në gjendje që në mënyrë precize t’i tregojnë shoqërisë se cilat janë objektivat aktuale të emancipimit gjinor të shoqërisë tonë.
Të gjitha këto çështje janë me shumë rëndësi, sidomos tani kur situata është pjekuar dhe shoqëria pret më shumë inpute dhe outpute politike, jo vetëm në luftën për emancipimin e shoqërisë, por sidomos për krijimin e një terreni më të favorizuar për të mbështetur me politika reale, mbështetjen gjinore dhe solidaritetin social gratë në betejën e tyre emancipuese...
19 Gusht 2010