E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e liqenit, Bino: Situata do të përmirësohet

Sot, mbledhje e prefektit me instancat e tjera shtetërore

Brenda pak ditësh do të nisë puna për heqjen e ndotjes

* * * *

Situata në Liqenin Artificial të Tiranës duket se do të mund të përmirësohet duke përgënjeshtruar parashikimet e para, pas ndotjes së tij. Zëvendësministri i Mjedisit, z. Taulant Bino, ka konfirmuar dje rezultatet e para të analizave, që tregojnë për një ndotje që do të mund të kalohet, nëse merren masat e nevojshme nga të gjitha instancat. Ndërkohë, sot është thirrur nga prefekti i Tiranës një mbledhje, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, asaj të Shëndetësisë, Bashkisë së Tiranës, komunës së Farkës dhe Institutit të Shëndetit Publik.

Situata

Analizat e para kimike të kryera menjëherë pas ndotjes së liqenit, tregojnë se përmbajtja e ujit nuk është në nivel alarmant. Sipas zëvendësministrit Bino, përmbajtja kimike është më e lartë sesa normalja, porse brenda standardeve shqiptare të cilësisë së ujit në liqen. Në këtë mënyrë ai ka parashikuar se brenda pak ditësh do të mund të fillojë puna për normalizimin e situatës në Liqenin Artificial, ndërsa ka deklaruar se fakti që gjallesat në liqen janë ende të gjalla, tregon se normaliteti mund të rikthehet.

Vendimet për mënyrën se si do të kryhet përmirësimi i liqenit, do të merren gjatë ditës së sotshme në një mbledhje të thirrur nga prefekti i Tiranës, z. Ruzhdi Keçi, i cili ka marrë përsipër drejtimin e operacionit për largimin e ndotjes nga liqeni. Në këtë mbledhje, ku do të marrin pjesë të gjitha instancat shtetërore të lidhura me ngjarjen, pritet të vendoset krijimi i kanalit të ri që do të furnizojë liqenin me ujë të pastër, e njëkohësisht rritja e nivelit të ujit që del nga diga e liqenit për të mundësuar rifreskimin e ujit dhe largimin e ndotjes.

Ndotja

Ndotja e Liqenit Artificial mendohet të ketë ndodhur përgjatë natës së një jave më parë. Punëtorë të bashkisë, prej së hënës së kaluar kanë filluar menjëherë pastrimin e sipërfaqes së liqenit nga ndotjet, ndërsa në bregun përballë digës, peshkatarë amatorë vazhdonin gjuetinë. Ndërkohë, me kalimin e ditëve, liqeni u ndot tërësisht, duke rrezikuar edhe gjallesat që jetojnë në të.

Shkak për ndotjen mendohet të jenë bërë materiale inerte të hedhura në anë të digës në Liqenin Artificial. Deri tani rezulton se rreth 70% për qind e sipërfaqes së liqenit të ketë marrë ngjyrë jeshile, ndërsa prej ditësh kundërmon erë. Specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik filluan menjëherë kryerjen e analizave paraprake dhe sipas tyre, deri tani rezulton se uji i Liqenit Artificial në Tiranë nuk ka ndotje sanitare dhe as shtim të ngarkesës bakteriale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›