E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, ulet niveli i shitjes së apartamenteve



Apartamentet në Durrës dhe zonën e plazhit prej disa muajsh kanë mbetur stok. Sipas specialistëve të agjencive imobiliare, rënie të ndjeshme në tregun e shitjeve të apartamenteve, shitblerja e trojeve dhe pallateve ka pësuar ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur kjo rënie kishte nisur. Shkak për këtë situatë është gjendja ekonomike e emigrantëve të cilët kanë qenë blerësit më të fuqishëm si dhe taksa e lartë e shitjes së banesave e cila llogaritet 10% e vlerës, e cila është paracaktuar nga shteti.

Në Durrës pallatet ndërtohen në dy zona kryesore, brenda në qytet dhe në plazh. Në qytet ka një stok që afërsisht numëron 1000 apartamente të pashitura, ndërsa në plazh ky numër është rreth 1500. Burime nga sektori noterial i cili merret me shitblerjet e pallateve dhe të trojeve, bëjnë me dije se gjatë periudhës prill-maj në Durrës dhe plazh janë shitur 98 apartamente dhe 12 troje. Ky është një numër i ulët nëse do ta krahasojmë me vitin 2006 apo 2007 kur këto shifra ishin 4 apo 5 herë më të larta, sqarojnë noterët e Durrësit. Ndërkohë, vetë 4 kolegë të tyre e kanë lënë këtë zanat dhe kanë kaluar në avokati. Në Durrës, deri disa kohë më parë, kanë funksionuar 4 agjenci imobiliare të njohura dhe rreth 6 të tjera më modeste. Gjatë ditëve të fundit, 2 prej këtyre të fundit e kanë mbyllur këtë biznes. Sekserët e shitblerjeve të pallateve, shtëpive dhe trojeve thonë se shkaqet e kësaj rënie në tregun imobiliar është gjendja e keqe ekonomike jashtë vendit ku janë të punësuar emigrantët tanë, të cilët kanë qenë konsumatorët më të mëdhenj të këtij tregu. Një pjesë e mirë e tyre ka kohë që është kthyer me duar në xhepa, pasi andej nuk ka punë. Shkak tjetër që ka kushtëzuar rënien e këtij sektori, është edhe taksa e shitjes së banesave e cila është 10% e vlerës së paracaktuar nga shteti. Ndërkohë, ndërtuesit vazhdojnë të ndërtojnë, pasi sipas tyre, herët apo vonë apartamentet do të shiten, po ashtu edhe tregu i tyre do të rizgjohet sërish.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›