Shërbimi i Provës,nis rikonstruksioni i godinës dhe rekrutimi i stafit
Shërbimi i Provës, struktura më e re në Ministrinë e Drejtësisë, pas emërimit dhe prezantimit në detyrë të drejtorit të ri, Arben Sefgjini, ka nisur nga puna me rekrutimin e stafit përbërës. Paralelisht, ngjitur me gjykatën penale dhe njërin nga paraburgimit, është duke u rikonstruktuar një godinë, ku do vendoset stafi i ri i Shërbimit të Provës. Nga burime zyrtare, mësohet se deri tani është përgatitur një staf prej 80 personash, ndërkohë që nga burgjet po përgatiten listat me personat që do përfitojnë nga Shërbimi i Provës brenda burgjeve. Bëhet fjalë për 350 të dënuar, por që sipas burimeve, nuk do të thotë se është lista përfundimtare e përfituesve nga Shërbimi i Provës. Kjo listë është përgatitur nga psikologët dhe sociologët në burgje, të cilët kanë shqyrtuar dosjet e të dënuarve. Ndërkohë është gati edhe rregullorja e Shërbimit të Provës, e cila do të jetë udhërrëfyesja e kësaj zyre me udhëzimet përkatëse, në nene të veçanta, që shpjegon funksionimin e Shërbimit të Provës, personat që përfitojnë, kriteret e vendosura, kur pezullohet ky shërbim në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e të dënuarve apo të paraburgosurve. Burimet zyrtare na shpjegojnë edhe mënyrën se si do funksionojnë Shërbimi i Provës, i cili do funksionojë në dy mënyra, i plotë dhe i pjesshëm. “Do ketë shërbim të plotë të provës për të gjithë të dënuarit që pas përfundimit të shërbimit do kthehen në banesat e tyre, gjithmonë të mbikëqyrur nga një polic përgjatë ditës. Ndërsa shërbimi i pjesshëm është ai i gjysmëlirisë, kur i dënuari pas shërbimit të provës kthehet në darkë në burg. Por, burgjet do sigurojnë mbikëqyrje të plotë të personave që do përfitojnë nga shërbimi i provës, për të parë mënyrën e funksionimit dhe respektimit nga të dënuarit. Me anë të këtij shërbimi, pritet që në burgje të ulet ndjeshëm mbipopullimi, ndërkohë që do të jetë i madh numri i përfituesve, duke shmangur në këtë mënyrë burgun”.