E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rast i dyshuar me malarie, ISHP: Nuk ka rrezik

Analizat po kryhen në laboratorë italianë

ISHP: Nuk ka ndryshim të nivelit të riskut

* * * *

Një shtetas anglez, aktivist i një shoqate humanitare, dyshohet të jetë rasti i parë i malaries në Shqipëri, pas katër vitesh, që kjo sëmundje nuk shfaqej në vendin tonë. Pacienti ka paraqitur simptomat tipike të sëmundjes si temperaturë, dhembje koke dhe diarre. Menjëherë pas kësaj, ai është shtruar në pavijonin e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku po trajtohet me ndihmë mjekësore. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Alban Ylli, deklaroi dje për “standard” se “pacienti deri tani është rast i dyshuar, ndërkohë që pritet përgjigja e analizave nga Italia”. Ndërkohë, ky rast nuk përbën rrezik për vendin tonë, pasi është vetëm një rast i izoluar, sipas mjekëve dhe specialistëve të ISHP-së.

Rasti

Për shkak të lëvizjeve të shpeshta dhe kontakteve me vende si Afrika, shtetasi anglez dyshohet si rast pozitiv, mbartës i sëmundjes së malaries. Shenjat dhe udhëtimet e tij në Afrikë kanë shtuar akoma më shumë dyshimet e specialistëve të shëndetësisë. Menjëherë pas kësaj kanë nisur ekzaminimet e mëtejshme. Për kryerjen më të saktë të analizave dhe konfirmimin ose jo të sëmundjes analizat e pacientit janë dërguar për t’u bërë në vendin fqinj, Itali. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Alban Ylli, pohon se vetëm pas marrjes së rezultateve mund të flitet më konkretisht, por deri tani ai është vetëm i dyshuar. “Flitet për një rast të importuar. Nga raportet operative pacienti dyshohet të ketë këtë sëmundje”. Më tej Ylli vijon duke qetësuar popullatën: “Edhe në rast se ai rezulton pozitiv, nuk përbën rrezik, pasi do të mbikëqyret në vijimësi dhe do të trajtohet me ndihmë mjekësore. Por theksoj se nuk ka ndryshim të nivelit të riskut”.

Malaria

Malaria është sëmundje tropikale dhe është shumë e rrallë. Ajo është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Te trupi i njeriut ato përqendrohen në mëlçi dhe tek rruazat e kuqe të gjakut. Pasi hyn në gjak ky parazit, fillojnë të shfaqen simptomat e para të malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje, janë vdekjeprurëse. Simptomat e para shfaqen brenda pak javëve nga pickimi i mushkonjës së malaries. Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milion vetave. Nga malaria rezultojnë të prekur rreth 500 milionë njerëz në botë dhe rreth 2 milionë të vdekur çdo vit. Ky rast prej vitesh nuk shfaqet në vendin tonë, por ka qenë mjaft i përhapur deri në vitet `50, sipas specialistëve. Sëmundja e aktivistit anglez nuk përbën rrezik të ripërhapjes së sëmundjes në vend dhe shihet nga specialistët si një rast i izoluar, pa rrezik për shoqërinë.

Masat ndaj malaries

Në kuadër të ndryshimeve klimaterike dhe ngrohjes globale, edhe vendi ynë ka hartuar një plan ndaj sëmundjeve infektive. Asokohe, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pati deklaruar se me rritjen e temperaturave, brezi i malaries mund të zhvendoset më në veri. “Në qoftë se malaria sot shihet vetëm në Afrikë kryesisht, mund të shfaqet dhe në Evropën Jugore, në qoftë se ngrihet temperatura. Shqipëria, për nga pozita gjeografike, është një vend i cili është vulnerabël, pra, i prekshëm nga kërcënime të tilla. Është një vend që mund të preket dhe të vuajë pasoja nga rritjet e temperaturës, nga thatësira”.

Malaria

- Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries

- Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milion vetave

- Nga malaria rezultojnë të prekur rreth 500 milionë njerëz në botë dhe rreth 2 milionë të vdekur çdo vit

Simptomat:

- Temperaturë e lartë

- Lodhje

- Dhimbje koke

- Dhimbje muskujsh

- Çrregullime me aparatin tretës

- Të vjella

- Ndjesi të fikëti

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›