Ndotje dhe plehra, Vlora nuk është gati për turistët
Rruga Vlorë-Skelë është e papërfunduar dhe Sheshi i Flamurit i pakalueshëm
Me një ndotje alarmante dhe rrugët ende të hapura, Vlora pas dy javësh çel sezonin turistik. Por sipas Agjencisë Rajonale të Mjedisit, pushuesit nuk do të gjejnë as kushtet minimale të pastërtisë së ujërave apo infrastrukturës rrugore. Kreu i ARM-së thotë se deti është i ndotur nga ujërat e zeza dhe molet e paligjshme private. Pylli i Sodës përveç që është kthyer në vendgrumbullim mbeturinash ka filluar edhe të pritet masivisht. Ndërsa rruga Vlorë-Skelë është e papërfunduar dhe Sheshi i Flamurit është i pakalueshëm. Këto sipas agjencisë janë problematika që kërkojnë shumë kohë dhe punë për tu zgjidhur. “Mund ta fillojmë qoftë nga rruga nacionale e vjetër, e cila është kthyer në një vend grumbullimi i mbetjeve inerte, qoftë nga Pylli i Sodës, i cili çdo ditë ka pasur hedhje inertesh dhe mbeturina të tjera të qytetit. Kemi pasur prerje të pishave. Të gjitha këto shkaktojnë në ajër pluhura të cilat dëmtojnë jetën e qytetarëve”, tha Geron Gunbardhi, drejtor i ARM, Vlorë. Niveli i ndotjes në qytetin e Vlorës sidomos gjatë verës rritet edhe për shkak të djegies së plehrave në fushën e grumbullimit tymi i të cilës mbulon tërë qytetin. Projekti për ndërtimin e një landfilldi është hartuar prej kohësh, por fondet për financimin e tij nuk janë siguruar asnjëherë.
Ndotje dhe plehra, Vlora nuk është gati për turistët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email