Në Qershor skadon afati për deklarimet e bizneseve, tatimet përgatitin gjobat
Të gjithë bizneset duhet ë deklarojnë pranë tatimeve librat e shitjes dhe blerjes për periudhën 6 mujore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka hartuar kalendarin sipas të cilët të gjithë bizneset do të kryejnë deklarimin on-line. Bizneset e vogla duhet të
dorëzojnë librat brenda datës 5 qershor, në të kundërt tatimet do të aplikojnë gjoba. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave bizneset e vogla duhet të kenë mbyllur procedurën e deklarimit brenda datës pesë të muajit pasardhës. Ndërkohë që bizneset e mëdha dhe ato VIP do të kenë një tolerancë më të madhe në kohë për shkak të lëvizjeve të shumta që kryejnë në njësinë e biznesit.
Urdhri
Për mënyrën e deklarimit të detyrimeve dhe dokumenteve tatimore Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 3 Shkurt 2010 dhe në Udhëzimin e Ministrit të Financave, deklarimi i detyrimeve tatimore si dhe dorëzimi i librave të shitjes dhe blerjes po kryhet vetëm në mënyrë elektronike. Për këtë, sipas kalendarit e përcaktuar do të dorëzohen elektronikisht të formulari të deklarimit dhe pagesës së TVSH-së, formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP), formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi fitimin dhe formulari i deklarimit dhe pagesës së Kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Dorëzimi i formularëve
Në një njoftim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë të ditur se subjektet e regjistruara pranë Drejtorisë rajonale të Tatimpaguesve të mëdhenj duhet të dorëzojnë dokumentacionin duke filluar nga periudha tatimore 1 Janar 2010. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi Fitimin të regjistruara pranë Drejtorive Rajonale, duke filluar nga periudha tatimore 1 Mars 2010. Sipas njoftimit subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat personale për biznesin e vogël duke filluar nga periudha tatimore 1 Korrik 2010. Ndërsa entet shtetërore duhet të paraqesin deklaratat tatimore për Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP), për Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke filluar nga periudha tatimore 1 Mars 2010. Gjithashtu do të dorëzohen elektronikisht një kopje e regjistrimeve mujore të librave të shitjes dhe të blerjes. Sipas legjislacionit në fuqi tatimpaguesit mund të kryejnë pagesa në cash për blerje mallrash e shërbimesh deri në shumën 300 000 lekë për çdo blerje, por jo më shumë se 10 për qind të totalit të blerjeve gjatë periudhës tatimore. Mbi këtë shumë, pagesat duhet të kalojnë nëpërmjet xhirimeve në llogarinë bankare.
Deklarimet
Bizneset kanë mbyllur bilancet për periudhën tremujore janar-mars 2010, dhe i kanë dorëzuar Administratës Tatimore edhe librat e shitjeve dhe blerjeve. Për të rikujtuar subjektet për të gjitha detyrimet që u takojnë gjatë muajve të ndryshëm, DPT-ja ka publikuar në ueb-sitin e saj (faqen elektronike), një kalendar të posaçëm i cili shënon me ngjyrë portokalli të gjitha datat përgjatë një muaji kalendarik në të cilat subjektet private duhet të bëjnë pagesat e ndryshme të taksave dhe detyrimeve të tjera fiskale. Sipas ekspertëve të DPT-së, datat që në kalendarin elektronik shënohen me ngjyrën portokalli, përbëjnë dhe afatin e fundit për pagesën e një detyrimi tatimor ose për dorëzimin e një formulari ose dokumenti të caktuar. Në morinë e informacioneve që përmban për subjektet private ueb-siti i DPT-së, janë të shpjeguara edhe mënyrat se si mund të bëhen nga cilido subjekt privat pagesat e taksave të ndryshme bashkë me udhëzimet dhe formularët përkatës të cilët mund të shkarkohen dhe printohen fare thjeshtë nga cilido i interesuar.
Dokumentet për dorëzim
1. Formulari i deklarimit dhe pagesës së TVSH-së.
2. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP).
3. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Fitimin (deklarata vjetore).
4. Formulari i deklarimit dhe pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Në kalendarin elektronik të përcaktuar për këtë qëllim nga ana e DPT-së, duhet të bëjnë dorëzimin subjektet e mëposhtme si:
a) Subjektet e regjistruara pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, duke filluar nga periudha tatimore 1 janar 2010.
b) Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin të regjistruara pranë Drejtorive Rajonale, duke filluar nga periudha tatimore 1 mars 2010.
c) Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat Personale për biznesin e vogël, duke filluar nga periudha tatimore 1 korrik 2010.
ç) Entet shtetërore duhet të paraqesin deklaratat tatimore për Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP), për Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke filluar nga periudha tatimore 1 mars 2010.
Ornela Manjani