Shërbimi social shtetëror u ndërpret asistencën 2500 familjeve
mos i plotësuar kriteret. "Vetëm për 4-mujorin e parë, janar-prill, janë inspektuar rreth 236 njësi të qeverisjes vendore nga strukturat tona të inspektimit në nivel qendror dhe rajonal dhe nga inspektimet që janë kryer janë konstatuar rreth 2500 raste abuzive të familjeve që trajtoheshin në skemën e ndihmës ekonomike", tha Leonard Strazimiri, specialist në Shërbimin Social Shtetëror. Specialistët e Shërbimit Social Shtetëror deklarojnë se do të intensifikohen kontrollet në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, pasi përfitimi në mënyrë abuzive, ndikon në masën e përfitimit, tek ato familje që plotësojnë kriteret. "Këto familje janë trajtuar nga njësitë e qeverisjes vendore dhe në një farë mënyre ka ndikuar dhe në uljen e masës së pagesës së ndihmës ekonomike për familje të tjera të cilat janë vërtetë familje në nevoje", vijon Strazimiri. Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike, përfitojnë rreth 97 mijë familje të varfra në qytet dhe në fshat. Asistenca, kush përfiton pagën 70 mijë lekë. Asistenca për familjet në nevojë shkon deri në 70 mijë lekë të vjetra. Këshilli i Ministrave është i vetmi organ që përcakton procedurat dhe shtresat që përfitojnë ndihmën sociale më vendime të cilat rishikohen vazhdimisht. Në këtë vendim përfshihen kategoritë, të cilat do të përfitojnë ndihmë ekonomike dhe procedurat që duhen ndjekur për marrjen e kësaj ndihme. Kështu, për kryefamiljarin e regjistruar si punëkërkues i papunë, ndihma ekonomike e plotë mujore do të jetë 26 mijë lekë, të vjetra po aq sa do të jetë edhe, ndihma ekonomike për anëtarët e familjes në moshë pune të lartë, që nuk janë të punësuar. Ndihma ekonomike për çdo anëtar tjetër të familjes në moshë pune, do të jetë 6 mijë lekë, ndërsa për çdo anëtar tjetër të familjes nën moshën e punës, pra nën 18 vjeç, ndihma ekonomike do të jetë 7 mijë lekë. Ndërsa masa e ndihmës ekonomike për familjet që kanë trinjakë do të jetë 30 mijë lekë, ndihmë e cila do të përfitohet deri në mbarimin e arsimit të detyrueshëm nga fëmijët. Masa e ndihmës ekonomike për jetimët e papunë mbi 25 vjeç dhe për jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë të vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari do të jetë 30 mijë lekë.