E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndroqi emërohet Zv. president i WBF-së

Promotori shqiptar Ylli Ndroqi, i cili në botën e boksit profesionist është i njohur si menaxheri i Kreshnik Qatos, është emëruar zëvendëspresident nderi i World Boxing Federation, organizatë kjo që ka filluar ristrukturimin e saj duke filluar nga ndryshimi i emrit nga World Boxing Fundation në World Boxing Federation.
Pavarësisht se do të ketë një detyrë jo-ekzekutive, emërimi i Ndroqit në rolin e zëvendëspresidentit të kësaj organizate do të jetë një gjë e rëndësishme edhe për boksin profesionist shqiptar.
Ndroqi ishte konsideruar si njëri nga kandidatët për të marrë pozitën e presidentit muaj më parë.
Presidenti i ri i WBF është emëruar Howard Goldberg nga Afrika e Jugut. Zgjedhja e tij është bërë në një mbledhje të zhvilluar në Dessau të Gjermanisë para përballjes së Kreshnik Qatos me Fabio Liggierin.
Administratorë me influencë në botën e boksit profesionist ishin takuar me ish-gjyqtarin dhe referin e klasit botëror Goldberg për të diskutuar me të për ndryshimet në federatë.
Zëvendëspresidentë janë emëruar Ron Scalf nga SHBA dhe Matteo Fratini nga Italia. Ndërkohë anëtarë të tjerë ekzekutivë janë edhe Olaf Schroder dhe Jean Marcel Nartz nga Gjermania.
"Federata është në process të përgatitjes së Kongresit të parë, i cili do të zhvillohet në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit 2010", ka thënë presidenti i ri i WBF, Howard Goldberg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›