Ndryshim po, por si?
Një nga gjërat e para që të bie menjëherë në sy në fushatën zgjedhore partiake në SHBA, ku së shpejti pritet të përcaktohen kandidatët respektivë të dy poleve politikë (atij republikan dhe demokrat), është theksimi i një nevoje për ndryshim në Washington dhe kush nga kandidatët është më i aftë, për ta sjellë apo bërë të mundur këtë metamorfozë apo ndryshim. Pra, fakti që diçka nuk shkon mirë në Washington dhe që vendi ka nevojë për një rifreskim, në mos të gjithçkaje, të paktën të disa prej politikave të ndjekura nga administrata "Bush", pranohet apriori nga pothuajse të gjithë kandidatët presidencialë. Nëse kjo gjë duket normale përsa i përket demokratëve, dikush mund të shfaqet i habitur se pse republikanët kërkojnë ndryshim dhe çfarë ndryshimi mund të kërkojnë ata, nisur nga fakti që jo vetëm Presidenti aktual i përket forcës së tyre politike prej dy mandatesh, por edhe dominimin për një kohë të gjatë që kanë pasur në dy Dhomat e Kongresit. Ky i fundit, kaloi nën demokratët vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit.
Por faktikisht nga gazetarë dhe komentatorë të ndryshëm është vënë re se ndryshimi fillon për shembull me vetë faktin që, për herë të parë në historinë e saj, Amerikës i afrohen mundësi zgjedhje kaq të ndryshme. Në menynë presidenciale të radhës, ofrohen kandidatë presidencialë më karakteristika kaq të veçanta dhe diverse, sa edhe një vëzhgues i jashtëm, fjala vjen evropian, nuk mund të qëndronte indiferent përballë këtij fakti. Pra, për herë të parë, amerikanëve i duhet të zgjedhin mes një gruaje, afrikano-amerikani, mormoni, ish-evangjelisti të kthyer në politikan, ish-guvernatori të divorcuar dy herë dhe që përfaqëson ngjyrat e konservatorëve apo një republikani tjetër, që shumicën e mbështetjes e ka nga të pavarurit dhe të pa-afiliuarit politikisht me asnjë nga dy partitë e mëdha. Pra, vetë procesi është një ndryshim në vetvete dhe nuk mund të kuptohet thjesht si një ndryshim kursi rrënjësor nga administrata "Bush", megjithëse natyralisht demokratët janë më të destinuar për një retorikë më të ashpër kundër Washingtonit.
Gjithsesi ajo që të çudit te republikanët, është që asnjë nga kandidatët kryesorë të saj nuk po përpiqet të sigurojë mbështetjen e Presidentit aktual, që mund të ishte dhe "guri i provës" apo e thënë ndryshe, një shtysë e fuqishme për mijëra votues republikanë për të votuar kandidaturën e tyre. Përkundrazi, po mundohen të theksojnë problemet që ka administrata aktuale, kryesisht në sferën ekonomike dhe se si ata mund të gjejnë mekanizmat e duhura për ta transformuar panoramën gri, në një më optimiste. Mit Romnej për shembull e ka kthyer në kalë beteje tashmë, aftësinë që ai ka si ish-Drejtor Ekzekutiv i një firme të madhe biznesi apo ish-organizator i Lojërave Olimpike të Solt Lejk Sitit, për të rikthyer vendet e humbura të punës, si pasojë e zhvendosjes së qindra firmave të fuqishme amerikane drejt vendeve në zhvillim (për të reduktuar taksat dhe kontraktuar fuqi punëtore më të lirë). Në të njëjtën linjë është pak a shumë edhe retorika e rivalit të tij më të fuqishëm për momentin, Jon Mekainit.
Ndërsa, po të hedhim sytë në kampin e demokratëve, nevoja për ndryshim duket se është një fakt i gjithëpranuar dhe vetëm debatohet për anën metodologjike të çështjes: pra, kush është më i aftë, për ta sjellë më shpejt këtë ndryshim? Senatori Obama, e vë theksin te fakti që ai, duke qenë një senator i ri, është akoma i pakonsumuar nga mekanizmat konsumues të pushtetit në Washington, ndërsa i referohet gjithashtu propozimeve të tij legjislative gjatë këtyre dy viteve të fundit që ka qenë senator, për të dëshmuar prirjen e tij për të mos bërë kompromise në emër të principeve. Senatorja Klinton nga ana tjetër, thekson pikërisht të kundërtën, duke quajtur si armën e saj më të fortë pikërisht eksperiencën, së pari, si Zonjë e Parë aktive e përfshirë nga burri ish-President i saj në shumë iniciativa ligjvënëse, si ai për sigurimet shëndetësore për shembull (Medicare Reform), apo si senatore tashmë në mandatin e dytë të saj, në një nga shtetet më të mëdha dhe të rëndësishëm, Nju Jorkun. Në këtë pikë ajo madje sulmon dhe Obamën, duke nënvizuar se ndërsa retorika e tij elektorale është e shkëlqyer, atij i mungon ekspertiza e nevojshme për të udhëhequr shtetin më të fuqishëm të botës.
Por kjo nevojë për ndryshim, që tashmë është kthyer në refren kryesor të fushatave elektorale anembanë globit, ka dhe paradokset e tij. Më i fundit qe artikulimi i kësaj teze nga lideri ultra-nacionalist serb, Nikoliç gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në Serbi, që i dha atij dhe fitoren në raundin e parë të votimeve. Se çfarë ndryshimi mund të presësh nga përfaqësuesi i një partie, lideri i së cilës është në Hagë, i akuzuar për spastrim etnik në Bosnje dhe Kroaci dhe kur vetë Nikoliç deklaron se më mirë është të jesh një provincë e Rusisë sesa pjesë e Bashkimit Evropian, këtë vetëm ky i fundit mund ta dijë. Gjithsesi qëllimi i këtij shkrimi nuk është një krahasim kufizues i një apo dy fushatave që po ndodhin aktualisht, ku retorika e ndryshimit, me gjithë kahet e ndryshme me të cilat shfaqet, po kthehet në një diskurs dominant të sjelljes elektorale. Mendoj se është interesant fakti që refreni i ndryshimit tashmë mund të observohet në pothuajse të gjitha fushatat e fundit elektorale, në vende të ndryshme të botës. Në disa ky refren mund të sjellë në pushtet forca progresiste, si Sarkozi në Francë, Prodi në Itali e kështu me radhë, ndërsa diku mund të sjellë radikalë, si Nikoliçi në Serbi, që në vetvete është një ndryshim, por në kahun e kundërt, në atë të regresit. Ndërsa rasti amerikan është më ilustruesi dhe kjo jo vetëm për shkak të larmisë së individualiteteve të veçanta të kandidatëve aktualë, por edhe për shkak të dinamizmit të vetë procesit, i cili shpesh përpiqet të emulohet nga vende të ndryshme. Në njëfarë mënyre, fushata e fundit presidenciale në Francë apo zgjedhjet parlamentare që sollën Merkelin në pushtet, kanë qenë një tentim drejt një amerikanizimi të fushatave elektorale në Evropë, jo vetëm përsa i përket stilit dhe formës, por edhe ligjërimit dominant, që vërtitej rreth nevojës për ndryshim.