E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Z.Kryeministër, jam kërcënuar me jetë"

Letër e hapur Kryeministrit
Zotit Sali Berisha
Zoti Kryeministër,
Të enjten, më 24 janar, në Gazetën "Ndryshe" u botua një artikull në faqen e dytë, si kryeartikull me autor Genc Llakaj (duhet të jetë pseudonim), ku bëhej thirrje për eliminimin tim fizik.
Ky artikull ka fyerjet dhe sharjet më ekstreme që mund të imagjinohen, dhe mbyllet:
"Si ka mundësim që një specie e tillë si ti merr frymë ende në këtë tokë të bekuar nga Zoti, duke vepruar kundër dëshirës tonë dhe Zotit".
Është formulimi klasik i një Fatva-je. Apeli është fare i qartë.
Që nga fillimi i gushtit, në këtë gazetë janë botuar pesë artikuj mbushur me shpifje, falsifikime, fyerje, denigrime, poshtërime dhe kërcënime të hapura.
Nuk u jam përgjigjur në asnjë rast, sepse shikoja që përveç ligësisë, kishin edhe një marrëzi ekstreme përderisa arritën të shkruanin se edhe Brixhit Bardoja është labe dhe duhet lexuar Bringjit Bardhi.
Sidoqoftë, bëra padi civile për shpifje dhe fyerje publike. Gjyqi nis më 30 janar.
Çuditërisht, pasi kishin marrë letër-thirrjen për gjyq, botojnë këtë artikull që është formuluar si nga një celulë terroriste.
Por për mua çudia më e madhe është se asnjë nga organizmat shtetërorë të sigurisë nuk po interesohet.
Si ta quaj këtë zoti Kryeministër, bashkëpunim apo mosveprim i qëllimshëm?
Si qytetar amerikan po ve në dijeni Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Me respekt
Maks Velo
Tiranë, më 28 janar 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›