Ndryshim rrënjësor sistemit arsimor
Asllan Dogjani/Deputeti i PS-së, Qarku Kukës
Arsimimi i një kombi është cilësuar si një nga shtyllat më të forta të zhvillimit të një vendi, por në vendin tonë arsimi është kthyer në një sektor ku thjeshtë punësohen militantët e partive, ndërkohë që specialistët e vërtetë, lihen mënjanë. Në këtë kontekst dua të ndalem në situatën në të cilën ndodhet arsimi sot në vendin tonë, më së shumti në qarkun e Kukësit, ku problemet nuk kanë të sosur. Shpesh herë jemi bërë dëshmitarë të gjendjes skandaloze të godinave arsimore apo edhe të kushteve në të cilat mësojnë fëmijët e qarkut të Kukësit,në të ashtuquajturat shkolla. Shpesh herë jemi përballur me faktin se shumica e mësuesve janë jo të profilit të duhur, ku një mësues letërsie jep matematikë apo anasjelltas, apo edhe kur mësuesit detyrohen që të paguajnë nga xhepi I tyre, jo vetëm për transportin e tyre drejt shkollave që janë larg qytetit, por edhe për të blerë shkumësin e dërrasës së zezë, apo për të printuar edhe testet që iu bëhen nxënësve në fund të çdo kapitulli. Një tjetër fenomen që tashmë është shtrirë gjerësisht në shkollat e qarkut të Kukësit është edhe ai i shtimit gjithnjë e më shumë të numrit të klasave kolektive, gjë që ka ndikuar ndjeshëm në rënien e cilësisë së mësimdhënies. Vetëm në rrethin e Kukësit janë 140 klasa kolektive gjithsej, ku mësojnë 1944 nxënës. Janë të shtrirë në 64 shkolla, që janë kryesisht vartëse dhe me numër të vogël nxënësish. Po ashtu funksionojnë 41 shkolla gjithsej dhe 40 shkolla të tjera vartëse, ku edhe janë evidente klasat kolektive. Në zonat ku ky fenomen është i pranishëm, numri i mësuesve specialistë është i mangët. Po ashtu vështirë të mendohet për nivel cilësor në procesin e mësimit, kur klasa kolektive përbëhet nga nxënës nga klasa e parë deri te e pesta. Edhe pesha që i jepet arsimit në buxhetin e çdo viti është shumë i ulët, pasi ajo ka ardhur gjithnjë e në rënie. Po ashtu, autonominë e cunguar që i është dhënë universiteteve publike apo private pasi vetëm duke i dhënë autonomi mund të ketë cilësi dhe standard në mësimdhënie. Apo licensimit të universiteteve thjeshtë për qëllime përfitimi. E gjithë kjo panoramë tepër e zymtë,e njohur prej të gjithë shqiptarëve, ka ardhur koha që ti jepet fundi pasi arsimi shqiptar gjendet në situatën më kritike që nga historia e krijimit të tij. Ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht këtë sistem në mënyrë që të kemi një arsim cilësor pavarësisht vendndodhjes, rrethanave familjare apo gjendjes ekonomike. Ka ardhur koha që të ketë mësues të aftë dhe me status, tekste me njohuri bashkëkohore, mjedise motivuese për të mësuar. Do i japim fund licensimit të institucioneve arsimore me qëllime përfitimi si dhe do të krijojmë një sistem të pavarur të vlerësimit dhe renditjes së shkollave të larta.